Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Qetësinë ta bëj të flasë

126
Sigal

 

Do të doja krahë të fluturoj,

po ja, nuk i gjej dot.

Mos mbeta ngulur pa përvojë,

i humbur në këtë botë?

S’e di nëse përpiqem kot,

kuptim në jetë të kem!…

Më sheh në sy, më merr për Zot,

por Zot unë s’mund të jem.

Me dhimbjen, të luftoj më fton,

me poezi, pa lot.

Më puth e fort më përqafon

e prapë më quan Zot.

Por Zot, ta dish, unë s’mund të jem,

besomë, nuk të gënjej!

Veç nëse dhimbjen pas do të kem,

qetësia do t’më brejë.

Ndaj, nis e qesh, në krahë të marr

e humb në hapësirë.

Në sy, si ti, dhimbjen kam parë:

kjo më ka bërë të mirë.

Do të doja krahë të fluturoj

e lart, më lart të ngas.

E nëse rrotull ka qetësi,

qetësinë ta bëj të flasë.

 

Rock që dhemb

 

Thuam sonte, çfarë nuk shkon?!

Ti murgeshë nuk ke qenë kurrë.

Një kohë hallesh kurrë s’mbaron,

qoftë liri, qoftë diktaturë.

Lëre në mes at’ telenovelë!…

Natën veç një rock na e ngjall,

se tek dancojmë, na përkëdhel,

kur e qafojmë, na zbut çdo kokallë.

E në e kujtofshim at’kohë rrebesh,

s’ka ç’na bën kjo koha furtunë.

Përherë brenda meje rini do të gjesh:

merrma shpirtin, ç’ka mbetur tek unë.

Një rock që dhemb, pa gojë, pa veshë

ka vetëm sy, një lloj rock-u tjetër.

Është rock që qan, rock dhe që qesh,

është dhimbja jonë, shoku i vjetër!