Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Pa titull

167
Sigal

 

Një zile në citofon. Elizabeta Bala. Motra e Mark Balës dhe vajza e Maries, italianes së bukur, me historinë e trishtuar 45 vjeçare kish ardhur nga Italia të më takonte.

-Erdha për një kafe, – më tha. – Pak ditë kam që ndodhem në Durrës dhe Tiranë. Nesër iki përsëri.

Nuk deshi të ngjitej sipër.

-Më prit përballë shtëpisë, aty në “bar Milano”. Erdha, – ia ktheva. – Të zgjedh librat për ty.

Nuk e njoha Elizabetën e bukur pas më shumë se gjysmë shekulli. Qante, vetëm qante. Një mik dhe shokë klase në gjimnazin “16 Shtatori” i kish folur për mua dhe për trilogjinë “Dritë në humbëtirë” ku Marku dhe nëna e tij ishin personazhe. I kish lexuar të tre vëllimet. Qante dhe vetëm qante.

-Erdha të të falenderoj, – më tha.- Edhe në emër të tyre. Sa të kthehem në Treviso do të shkoj në varreza, bashkë me librat.

Një kafe që zgjati më shumë se dy orë.

-Kafeja të mbledh shpirt dhe trup bashkë, – i thashë.- Të bën të fortë të përballosh edhe uragane.

Homazh për këta njerëz të mirë, që pësuan vuajtje pakufi nëpër humbëtira, por që mbajtën dritën ndezur.

-Do të kthehem përsëri, – më premtoi ajo. – Nga fundi i pranverës së ardhshme. Gjer atëherë shpresoj të kesh botuar edhe vëllimin e tretë të trilogjisë “Është lojë, e dashura ime”.

-Me shpresë të Zotit ia ktheva unë dhe i shtrëngova dorën fort. – Ai dhe vetëm ai i rregullon ekuilibrat në këtë botën tonë, sa të vogël, aq edhe të madhe. Me shpresë, me shprese Elizabeta!…