Gëzim Zilja: Folklori si ruajtës i gjuhës dhe vlerave kombëtare

261
Sigal

 

Në shekullin e XV, kur Shqipëria i bëhej mburojë Evropës, duke u sakrifikuar me gjithësej, duke u kthyer në një tokë të djegur e të shkretuar, kjo jetonte Rilindjen e saj, duke hapur shkolla, teatro, universitete, duke arritur majat më të larta të zhvillimit ekonomik, artistik e kulturor. Me rënien e Arbërisë, shqiptarët u gjendën në  kushtet e një terrori të pashëmbullt. Nga të gjithë popujt e pushtuar të Ballkanit vetëm shqiptari u ndalua të shkruante e të mësonte gjuhën amtare. Kjo hata e padëgjuar kurrë më parë zgjati deri ditën kur Shqipëria shpalli Pavarësinë. Në qiellin shqiptar për 450 vjet ndriçoi drita e zbehtë me ngjyrë meiti e gjysmë-hënës turke, që u ul këmbëkryq në ato troje të lavdishme, ku kodi i besës dhe i nderit ishin nenet themelore  të jetesës dhe organizimit shoqëror. Pushtuesit turq nuk u mjaftuan me rrafshimin e kështjellave dhe qyteteve, por mëtuan të zaptonin, shkatërronin e të zëvendësonin kulturën, traditat, filozofinë, këngët, vallet, meloditë, kostumet e gjithçka tjetër, që shkakton zvetënimin dhe rënien e një kombi. Gjithë kjo orvajtje për të zëvendësur botën shpirtërore të shqiptarit (që nënkuptonte asimilimin e tij) me një kulturë tjetër shumë më pak të zhvilluar se e tyre, barbare dhe armiqësore, gjeti kundërshtimin tërësor të banorëve të Arbërisë. Gjatë katërqind vjetëve lufta do të zhvillohej sërish e egër, por në një plan tjetër, atë shpirtëror. Në këtë betejë 450 vjeçare shqiptarët treguan se janë një popull i pamposhtur dhe tepër më superior se pushtuesit. Qëndrueshmëria dhe papërkulshmëria tashmë do të shpreheshin në mënyrë të shkëlqyer në ruajtjen me fanatizëm të gjuhës amtare, të riteve, zakoneve, këngëve, valleve, veshjeve, e gjithçka që dallon një komb nga një tjetër. Ruajtja e gjuhës dhe traditës u kthye një një mision historik, që do të bënte të pamundur depërtimin e kulturës së pushtuesit turk. Kënga e poezia popullore tashmë do të zhvillohej e do të kapte maja të papara. Në të gjithë atë perandori që shtrihej në tre kontinente vetëm gjuha shqipe u dënua me vdekje. Sulltanët njëri më i egër se tjetri ndaluan, që kjo gjuhë me të cilën kishin folur perënditë në vigjilje të njerëzimit, të shkruhej në libra e sidomos të mësohej në shkolla. Gjithë “kujdesi” i pushtuesit  ishte që kjo gjuhë të mos kishte alfabetin e vet e të mos shkruhej. Edhe në fund të shek. XIX e fillimet e shek. të XX, kur bota ecte me ritme të larta drejt zhvillimit e përparimit, pushtuesit turq ndonëse ishin armiq me grekofonët bashkëpunuan me ta, duke ndaluar përhapjen e shkollave dhe arsimit shqip.

NOA

Në këto kushte kënga dhe poezia popullore zuri një vend qëndror në jetën e shqiptarit. Ajo kishte një qëllim final fisnik, të mbijetesës së gjuhës, traditës dhe  historisë. Kënga dhe poezia do të ishin elementët kryesorë, që interpretoheshin në mjediset familjare, në dasma, fejesa, mbas punës së përditëshme, në gostira me miq, në vaje e fatkeqësi. Ato do të ishin një kronikë e saktë e jetës shqiptare, asaj të përditëshme dhe asaj së shkuar. Në repertorin e këngëve do të ringjalleshin e shfaqeshin si kurrë ndonjëherë eposi i kreshnikëve, baladat e vjetra të murimit, Doruntinës, Ago Imerit, këngët që evokonin kohën e lavdishme të Skënderbeut, këngët e qëndresës kundër pushtimit turk, këngët e vajit, të trimave, kaçakëve, të kurbetit, këngët historike dhe ato të mrekullueshmet: këngët e dasmave, fejesave, të dashurisë, të bukurisë, të martesës, ninullat, këngët për natyrën, e ato humoristike; të gjitha ato këngë që tregonin se ata ishin shqiptarë, se gjysmëhëna ishte e huaj dhe nuk kishin asgjë të përbashkët me ta. Në librin e tij “Autobiografia e popullit në vargje” Ismail Kadareja do të shprehej: “Për shumë shekuj me rradhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij: historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, kumti i tejçuar nga brezi në brez. Ajo zëvëndësonte shkollën, botimet, gazetat, universitetin, akademinë. f.12”. Vërtet në Shqipëri deri në shek XIX nuk u vunë në skenë vepra teatrale, apo operistike, por kënga dhe vallja popullore vazhdoi të përsosej e transmentohej brez pas brezi si një shoqërues i pazëvendësueshëm i identitetit kombëtar. Edhe pasi gjuha shqipe u lejua të shkruhej e të botoheshin libra, kënga popullore e në përgjithësi folklori shqiptar nuk do ta humbte rëndësinë e tij, përkundrazi njohu një zhvillim të mëtejshëm. Ai vazhdoi të pasqyronte me vërtetësi, jetën e shqiptarit, varfërinë, kurbetin, qëndresën ndaj padrejtësive, këngët e dashurisë, pamundësisë për të zgjedhur njeriun e jetës, të mallit e ndarjes, duke sfiduar shpesh letërsinë dhe poezinë e shkruar. Edhe gjatë diktaturës kënga popullore e ruajti indentiten e saj megjithëse u ndodh nën trysninë e doktrinës komuniste, që duhet me patjetër t’i këndonte e thurte lavde diktatorit, partisë dhe “jetës së lumtur.” Madje dhe kuptimi i Atdheut dhe këngët për të, u rrudhën e mpakën, sepse në plan të parë, e mbi çdo dashuri tjetër u vendos partia dhe udhëheqësi i saj. Megjithatë kënga popullore ruajti fizionominë dhe pavarësinë, duke u zhvilluar më shumë në drejtim të këngëve të dashurisë, kurbetit e sidomos ato të trimërisë e historike, duke mos u vënë tërësisht në shërbim të diktaturës. Ishin më të shumta këngët e poezitë kushtuar jetës së përditëshme, dashurisë, të kaluarës heroike, përpjekeve për liri e pavarësi, sesa ato që i thurrnin lavde diktaturës dhe diktatorit. Poezia dhe kënga popullore nuk shkoi paralel por “devijoi” nga kultura, letërsia dhe arti zyrtar, i diktuar nga teoria socialiste apo komuniste. Në librin “Autobiografia e popullit në vargje” botim i Onufrit, viti 2002, Ismail Kadereja shkruan: Dihet se kultura borgjeze dhe sot kultura revizioniste janë përpjekur të thyejnë pa mëshirë mekanizmin e mrekullueshëm të artit gojor, si një gjë të bezdisshme, kundërshtuese dhe penguese për to. Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër, sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Po të kemi parasysh botimet e këngëve folklorike pas vitit 1944, kupton se ç’gjëmë u përpoq t’i bënte politizimi i tejskajshëm socialist këngës popullore. Me vështirësi mund të gjesh aty midis qindra-mijëra vargjeve këngë dashurie, pune, dasme, qoftë dhe argëtuese ose  ninullë, që të mos përmendet partia dhe Enveri. Manifestimi më i madh i këngës dhe valles popullore, që trumbetohej me aq bujë nga diktatura ishte Festivali i Gjirokastrës, ku nga fillimi deri në fund mbizotëronte llumi i këngëve të politizuara. Midis atij deti këngësh e vallesh për partinë dhe Enverin (Marsho Dibra e Partisë/Fole shqipesh , buz’ kufinit/Ylli i Artë ç’të ndrin në gjoks/Moj kala gur’ rubinit.) ose (Brigada në punë/ shkon si vetëtimë/ këngën më të bukur/ këndon për partinë. ) tek-tuk shkëlqenin këngët e vjetra si ajo për Zenel Gjolekën, Hajredin Pashën, Oso Kukën, Çelo Mezanin apo për ngjarje të veçanta si “Janinës ç’i panë sytë.” Janë me dhjetëra botime luksi të Akademisë së Shkencave, të emërtuara “Këngë popullore të periudhës së ndërtimit socialist” që edhe kur përmendeshin heronj të Rilindjes, Pavarësisë e të Luftës, do të futej emri i partisë apo diktatorit, se vetëm partia dhe Enveri i vuri në vendin që meritonin, i nderuan apo dekoruan. Ky politizim bëri që kënga popullore të humbte përkohësisht vërtetësinë, muzikalitetin, sinqeritetin, muzën, dhe shpirtin e pastër duke u shndërruar në këngë propaganduese: Është mjelëse me lopë/E dua shokë me kokë/E dua shokë e dua/Se ajo është për mua/Punëtore s’lodhet kurrë/Në çdo garë merr flamurë.) ose, Nënë më thërret partia/në aksion do shkojmë/Është e jona Shqipëria/Do ta zbukuromë/Atdheun dhe socializmin/Nëno do t’i mbrojmë/Armiku le të pëlcasë/Ne do të marshojmë.) Jo rrallë kënga popullore ishte e detyruar të paraqitej si një shërbyese e zellshme e doktrinës gjakatare komuniste me vargje makabre: Oh, sa gëzim ka fshati/ U arrestua Reshati/Reshati armiku ynë/ Partia ia bëri mirë. Nga sa arsyetova më lart nuk mund të thuhet e të provohet përfundimi i Kadaresë se: Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia” dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Mund të themi me plot gojën se socializmi u përpoq ta deformonte, ta shëmtonte, ta falsikonte e ta vinte në shërbim të politikës, këngën popullore, por nuk ia doli. Sot, folklori shqiptar gjendet sërish në “vështirësi,” në “garë” me këngët moderne, por duke qenë i lirë nga politika po ia del me sukses t’i sfidojë këngët e kultivuara. Kudo në festa gëzime, fejesa e martesa mbizotëron kënga e vallja popullore e vjetër dhe e re, në raport me atë moderne. Kjo është tjetër fitore e qëndrueshmërisë, fantazisë, bukurisë e pastërtisë së këngës, valles e muzikës popullore.