Kur të godet rrufeja
Bregut shpejtoje, përmbi rërë,
Sikur të kish rrëmbyer era.
As gjurmët s’t’i shihja.
Shpirt i lindur nga toka dhe uji, sikur ishe bërë,
Flakadan që frymonte drejt duarve të mia.
Ish çasti kur njeriu nga dashuria buis,
Sekondi kur të godet rrufeja, thonë.
Të vjen shkarkimi befas, në kurriz,
Nga lart-poshtë, nëpër kolonë
Dhe copëzat e vertebrave të tua
Me të miat ngërthehen përgjithmonë.
Ti ishe gjithçka që kam pasur nevojë,
Ti ishe çasti i duhur.
I ngjashëm me lirinë,
Që perceptohet me hapësirën e pafund,
Ku fishkëllejnë avionë supersonikë,
Ku yjet puqen me njëri tjetrin,
Si unë dhe ti në një çast magjik,
Ku asnjë hije s’do ta zerë diellin,
Gjersa ne të bëhemi pluhur.
Ti je gjithçka që kam pasur nevojë,
Ti je njeriu i duhur.
At Zef*
At Zef,
Kur do të kthehesh përsëri?
(Me mallin për ty kjo zemër m’u ngi).
Dua të ta prek zemrën,
Të më mësojë të rezistoj,
Të më thotë dy fjalë nga ti.
Për flamujt, At Zef,
Sepse, asgjë s’ka ndryshuar në këtë Shqipëri:
Flamuj ndër xhepa, flamuj ndën xhaketa,
Flamuj lidhur ndën jaka si kravata,
Flamuj tregtarësh, me yll, me yje, me sopata…
Në histori çfarë nuk ndesh…
Për t’na vrarë shpirtin
Dhe ti, me dhimbje, qesh, qesh,
Për t’mos qarë, vetëm qesh.
At Zef,
Ku shkoi flamuri mbi kambanore
Ditën e parë të “lirisë”?
E kuqja, ku u zbeh?
Shqiponja pse fluturoi mbi Cukal?…
Më mëso si të rezistoj, si të bëhem mal
Dhe vetëm një flamuri, vetëm njërit, At Zef,
Atij tëndit, valëvitjen mos t’ia ndal.
Kur do të kthehesh përsëri, At Zef
Të më thuash:
Bir, kjofsh bekue!
Mos tash është koha t’i valëvitim në dritë,
Ata që gjer dje i valëvitëm në shpirt?
Të pres, At Zef.
E kam mësuar lodhjen tënde nga ai rrëfim i gjatë
Po qeshja jote më bën dhe mua të qesh,
Udhëtimi i Atdheut nuk mbaron me kaq.
At Zef,
Ndaj ti do të kthehesh një ditë,
Dhe shpirtin tënd në shpirtin tim do ta ndjesh,
Forca jote e dashurisë është një mit,
Forcën time do ta rilindë,
Përpara do t’i shpjerë liritë.
He pra, më thuaj,
Kur do të kthehesh?
Ta rigjejmë të ardhmen e humbur, të dy,
Siç e rigjeti e mira jote mbi të keqen,
Po të thërras, At i shenjtë…
Po të thërras ty!…
Eja edhe pse, asnjë dyshkë nuk ke patur kurrë
Dhe nuk do të kesh.
Sill shpirtin, At Zef.
Drita e tij do ta verbojë të keqen
E do të ndrij midis nesh.
- At Zef Pllumit që “rrnoi për me tregue”






















