Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Talenti, tregu, kritika, fati, fama

139
Sigal

Duket si një numeracion i tepruar, por janë episode të rëndësishme të karrierës. Talenti dhe fati vijnë me ty. Fama është ëndrra. Kurse kritika dhe tregu janë jashtë vullnetit të krijuesit. Ka pasur raste kur një krijim nuk është vlerësuar që në krye të herës; (historia më e trishtë – ajo e Van Gogut). Ose vetë autorët e kanë mbajtur të mbyllur veprën e tyre; (Emili Dikinson, Franc Kafka). Gjithsesi, kur shënohen arritje të dukshme, asnjëlloj kamuflazhi nuk mund t’i bëjë këto më mirë a më keq. Doemos, kanë rëndësi edhe rrethanat, vetiake apo asish, që kanë të bëjnë me kritikën artistike; po ashtu, publiciteti, ndjesia e institucioneve dhe mediave.

Teksa elementet, që janë titulli i këtij shënimi bashkohen në një, ka autorë, të cilët i gëzohen veprës së tyre në mijëra, në mos miliona kopje dhe e gjejnë veten mirë në ekran; (P. Coelho, N. Sparks, etj.) Më tej, shumë arrijnë në qindra e këtu hyjnë disa nga ne, por vetëm disa; për të shkuar te shifrat e papërfillshme e gjer te zeroja… E pranoj, këta të fundit nuk është se janë të gjithë jashtë orbitës së vëmendjes letrare dhe artistike; historitë janë nga më të ndryshmet. Por gjithsesi, njohja në shkallë më të gjerë, është tregues i rëndësishëm.

Lexoja intervistën e një aktoreje që ka kontributet e veta, por jo ndonjë karrierë të spikatur; nuk njihet përtej bulevardeve të Tiranës… Unë e kuptoj, talenti, fati, rrethanat, vendi ku lindesh e jeton, të gjitha këto kanë shumë rëndësi. S’është më e mira të luash në një kinema a në një teatër me pak popull, të shkruash në një gjuhë që aq e ka rrezen, dy milionë, ja tre milionë qytetarë; dhe nga ata, në rastin më të mirë – tek autorët më të lexuar dhe artistët më të ndjekur – mund të duken vetëm disa qindra, rrallë disa mijëra. E nuk ikim dot nga kjo rrethanë cfilitëse. Por unë jam “Binjakët”. Prapë them se puna e secilit, pavarësisht “peshës”, ka vlerën e vet.

Veç, në një botë krejt tjetër, një dive Hollivudi ka fatin të jetë në “perandorinë” e filmit; bie fjala, Meril Strep apo Xhulia Roberts; aktore spanjolle si Amaia Salamanka apo Blanka Suarez kanë fatin të flasin (në film) në një gjuhë që e përdor pothuaj çereku i botës; një aktore si Tuba Büyüküstün ka fatin të ndiqet nga një popull 80 milionësh (të mos themi që fama e saj shkon më gjerë). Janë të talentuara, ndryshe nuk do ta kishin auditorin kaq të zgjeruar. Është talenti që e bën Tom Henks të luajë në disa plane dhe të krijojë vazhdimisht karaktere të ndryshëm nga njëri-tjetri; padyshim një artist i jashtëzakonshëm. Por nëse do të kishin lerë në një truall me… ca mijëra banorë e ndjekës, mbase s’do t’u dihej fati.

Dhe prapë nuk mbyllet këtu, sepse nga vende të vogla kanë ardhur drejt famës jo pak shkrimtarë dhe artistë. Ja dy emra të tillë nga “tanët”: Ermonela Jaho. Ismail Kadare. I shoh disa teksa (pothuaj) i hidhen atij në fyt; një Zot e di pse e kanë aq inat, sikur “u ka ngrënë bukën” apo “u ka marrë” famën. Shansin e kanë pasur dhe e kanë të gjithë. Kujtoj, në vitet e Socializmit, pati shkrimtarë që u arratisën në Perëndim dhe ja, i patën mundësitë për t’u afirmuar e për t’u bërë të famshëm. Por (gjithsesi, e them me dhimbje) nuk u eci, s’u afirmuan dot; botuesit dhe publiku i vendeve perëndimore – me ndonjë përjashtim – nuk tregoi interes për ta. Po ashtu ndodhi pas ‘90-ës, e në vijim, edhe sot – pa mohuar disa arritje – kur për botimet në gjuhë të huaj dëgjohen bërtitje në rrjet (e), por nuk thuhet asnjëherë nëse… shiten ndoca kopje dhe sa lexohet?

Koha prodhon dukuri. Nuk mund të mos vihet re që, krahas talentit, edhe rrethanat jetësore u dhanë impulse të reja dhe auditor më të zgjeruar shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë shqiptarë; po përmend disa, thjesht për ta ilustruar mendimin: Eno Peçi (Austri), Bujar Llapaj (Kanada), Fatmir Terziu (Mbretëria e Bashkuar), Irma Kurti (Itali), Petraq Risto (SHBA) etj. Një informacion i tillë, nuk do të thotë aspak se ata që jetojnë në Shqipëri e Kosovë, s’i kanë shanset; absolutisht po, dhe këtu rikthehemi sërish te talenti, por pa lënë mënjanë, në asnjë çast, rrethanat. Mirë është të kuptojmë se në jetë ka disa asish që të krijojnë ty e, po ashtu, kompozojnë një rend; pra duhet të dimë ku e kemi vendin, duhet të pranojmë me modesti çfarë kemi arritur, pa i rënë në qafë vetes dhe të tjerëve me më shumë fat. Përtej këtij qëndrimi, ka vetëm grotesk…

Një sërë, ankohen pareshtur: që lexohet pak; që librat nuk blihen; që shumë autorë i mbajnë ato në shtëpi apo i falin; që edhe libraritë s’i pranojnë. (Doemos, sepse së pari, varet se ku botohet libri, duhet një “pasaportë”; dhe së dyti, ato janë mbytur në libra të palexueshëm.) Mirëpo, në vend që ta shohim këtë mjerim në sy, se ndryshe nuk shkojmë dot më tej, shumë nga ne bëjnë edhe ironi, çka më kujton fabulën e Ezopit të madh “Dhelpra dhe rrushtë”. Mendoj që kjo lloj qasjeje me (gjoja) mospërfillje për mendimin artistik, por sidomos për tregun e lexuesin, prirja për t’u kënaqur me veten dhe me atë se çfarë e di ti veten, këto janë një trishtim i pamatë e nuk sjellin ndonjë dobi.

Mendimi artistik e publiciteti (në shumë vende ribëjnë talentin, krijojnë mitin, inspirojnë tregun, sjellin famën, etj.) e, po ashtu kurba e leximit, e shikueshmërisë dhe e blerjeve, janë dimension. Kombinimi i tyre është suksesi. Asgjëja, kufizimi në pak territor e njohje, nuk mund të mbulohen me llafe boshe, as me snobizëm apo duke pozuar në disa ekrane lokale. Mendjemadhësia dhe tangërlliku nuk ndihmojnë askënd të bëhet më i (e) njohur dhe më i (e) preferuar nga kritika dhe tregu. Ky profesion, ‘pasion’, quajeni si të doni, pas zbulimit të talentit, kërkon shumë mund për më tej; natyrisht, siç e thamë, edhe fat. Flasim prapë.