Fabul
“Larmia”
Korija këngës ia ka marrë:
zogj e insekte sekush në punë të vet.
Gjer dhe një bretk,
anës pellgut të tharë,
këndon apo s’këndon gjithë lezet…
Dhe meqë gjindja paq po gumëzhin,
ngrihet bilbili që të ikë tutje,
këngëbraktisur, plot trishtim.
I thotë korija:
-Nuk e vlen kjo ngutje;
mërzitja do të shpojë si një gjemb,
prandaj të them, ti këngën mos e lerë.
Anipse s’të pëlqen larmia,
ashtu dëgjoje edhe zërin tënd.
Tani do të dëgjosh vetëm të tjerët…
DALLGA
Një Dallgë ndiqte shoqen në detin e vjetër…
Dhe befas iu shkrep ta arrinte patjetër.
Filloi të përhidhej e shkumëzohej fort,
‘garoi’ gjithë ditën, por nuk e kapi dot.
Së fundi (e ngrata) e lodhur, u shua
në Bregun që bënte gjumë të trazuar…






















