Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti:  Matrioshkat

44
Sigal

Ikën shekujt, vdiqën vitet, jemi tetë, sërishmi bashkë,

tetë motra si vargan, frymën një të gjitha kemi.

Fryjnë stuhitë që nga qeliza, nisin, egërsohen jashtë,

në ankandin e përhershëm psherëtijmë: Ej, na zbërtheni!

Jemi tetë, njëlloj të gjitha, hamë veten: ja dhe njëra:

ngrije kulmin, të del tjetra, ah njësoj, por më mioshe!

Ju mos shihni çfarë hëngrëm, çfarë nxorëm të pëgëra,

derdhën vitet, nëpër vite, tetë nga tetë, motrat matrioshe.

 

Tani syrin mbërthejnë ndryshe, jemi zgjyrë e jemi farsë,

Kalë Troje dhe gënjeshtër, koha vjell dhe e përcjell.

Ne, sërishmi si matrioshka, frymën e përcjellim bashkë;

hije e njëra-tjetrës jemi, nuk ndiejmë dritë, s’ndiejmë diell.

 

Ne, matrioshkat e dikurshme, uh, kërkojmë shpirtra, sërish.

Bliret humbën dhe u thanë, ç’llak u shplah, askush s’e di.

Brenda vetes, sa matrioshka, eh, moderne, njëqindfish,

s’e kupton se sa ke rritur, ti i shkreti, o njeri!

 

Shkrihen shekujt, vdesin vitet, tetë matrioshka sërish bashkë,

vargan motrash përbetuar, rite shembujsh hipokritë.

Fryjnë stuhitë e ngrijnë qelizat, pjellin hije që nga jashtë,

në ankandin e përditshëm…errësirë dhe aspak dritë!

 

Nostalgji

Qan burimi, s’ka më hënë,

qan një valë shkëmbit gërmuq.

Një re – qen i paska ngrënë.

Humbën ëndrrat, ikën huq.

 

Qan një degëz, përdhe rënë.

Sopata e preu një ditë.

Qan gjinkalla, bora zënë,

tej e tej, si Antarktidë.

 

Qan zambaku-e këputën.

Qan trishtili, më keq. Trishtë!

Një lypsar humbi këpucën,

bulevardit veshur dritë.

 

Qan ylberi përmbi lumë,

varur në litar me ngjyra.

Mali tretet bëhet shkumë,

në greminë i vdes fytyra.

 

Qan një pemë e shiti trupin,

dhe e gjitha u bë letër…

Zhgarravisin pamëshirshëm,

veç poetë, që s’njohin tjetër.

 

Qan një pemë-s’ka më zogj!

S’fryn as vjeshtë, s’nxeh as verë…

Nxihen ëndërrat, zjarri dogj,

ç’ish e bukur… veç njëherë..