Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Kutia e thesarit

437
Sigal

Kutia e thesarit

Në një fshat me emrin Miranas rronte plaku Nuredin me të shoqen, Besniken. Shtëpia e tyre ishte në krye të fshatit, por edhe pse në mes të pemëve, dallohej kur e vështroje nga rruga kryesore. Plaku ishte i ndershëm e i zgjuar. Kishte qenë disa kohë në kurbet, po më bukur se në fshatin e tij asgjë nuk i dukej atje në dhe të huaj. – S’ka si fshati Miranas!, – thoshte vazhdimisht jo vetëm me veten e tij, por edhe në mes shokësh. Ndaj vendosi dhe u kthye aty ku i kishte rënë koka. Të gjitha pemët ishin mbjellë e rritur nga duart e tij së bashku me ato të plakës. Kështu kishte filluar t’i thërriste kohët e fundit të shoqes. Në ditët e para të martesës dhe shumë vite më vonë i thërriste:” Ku je Besnikja ime!” ose ” Eja, eja, o Besnikja ime!” Edhe pse s’kishte lindur fëmijë, jetën e kishte kaluar  të gëzueshme midis nipërve e mbesave. Peng i kishte mbetur mosvajtja në shkollë. Ishte munduar një herë në ato vite i ati, Rizaj, ta hapte shkollën në fshat, por ajo s’e pati jetën e gjatë. Erdhën dhe ia mbyllën. E tregonte vazhdimisht historinë e përleshjes së fshatarëve me xhandarët. Ato ditë që po ndërtohej shkolla, Nuredini, shkonte dhe e vështronte. “Bukur, bukur! – thoshte. – Lum si këta fëmijë!”  Çdo pasdite, kur pinte kafen në ballkon, hidhte sytë nga shkolla. I qante zemra për të lexuar një libër e, aq më shumë, që të shkruante me dorën e tij. Ishte duke ngritur lartë në shtratore lastarin e pjergullës, i cili, nga ngarkesa e veshukëve, kishte rënë në tokë, kur dëgjoi zërin e një grupi fëmijësh aty tek rruga. Ktheu kokën. Në duar mbanin çantat me libra. Iu kujtua se të nesërmen ishte 1 Shtatori, dita e parë e fillimit të vitit shkollor. Bëri lidhjen e fundit dhe, ashtu, me gërshërët në duar, shkoi drejtë e në dhomë ku ishte sepetja e rrobave. Nxori mësallën, të cilën e shtronte në tokë gjatë ngrënies së drekës, atje nën hijen e manit të madh buzë arës, të cilën nuk e di përse atë arë e kishin quajtur ” Manastir”, kur kisha me të njëjtin emër ishte larg nga fshati. E shikoi mësallën me kujdes, nëse kishte ndonjë njollë, pastaj e palosi dhe, si iu mbush mendja, që ishte e përshtatshme shkoi në kuzhinë. – Eja, eja, o Besnikja ime! E mora një vendim të veçantë, ndaj qepma këtë mësallën për çantë! – Çantën ta qep unë dhe ta qep për merak. Më trego, se ç’të duhet kjo, o i dashuri plak ? Ne kemi plot çanta. Këtë e ke për të ngrënë bukë. – E di,e di, po qepma kështu! Dhe filloi t’i tregonte se si ta qepte. Ajo e shikonte e shqetësuar dhe ku si shkonte mendja! U drejtua nga qielli e i falej, e i lutet Zotit për t’ia shpëtuar nga ndonjë e keqe, që po i vinte të shoqit. Kishin kaq shumë vite që jetonin së bashku, por s’e kishte parë kurrë në këtë gjendje edhe pse dukej i gëzuar. – Mos u merakos, moj Besnikja ime! Unë nesër do të shkoj në shkollë. A është 1 Shtatori nesër ? – Po…,po… ! – i kthente përgjigje më zë të dridhur. Mori copën e filloi ta qepte. Në çdo gjilpërë që shkonte mbi copë përsëriste : “O Zot, o Zot, më shpëto burrin!” … Kishte kaluar shumë kohë. Nuredini tani po i afrohej 100 – shes. Ajo, së cilës duhej t’i kishe zili, ishte kujtesa e tij. Kafen e mbasditës po e pinim në ballkon, të cilin e kishte për zemër, pasi e lidhnin shumë kujtime, midis të cilave ishin edhe ato të shkollës. – Po hë, o Nuredin! – e pyeta. – Si është ajo historia e shkollës? U drejtua nga unë dhe, i kënaqur për pyetjen që i drejtova, filloi të tregojë. – Po. Më 1 Shtator, së bashku me fëmijët, u ndodha në oborrin e shkollës. Mësuesi s’po e merrte seriozisht kërkesën time, ndaj më zgjati dorën. – Mirëupafshim! Do filloi mësimin. Mirëpo, ai para, unë pas. Kur ai hyri në dhomën ngjitur me klasën, unë u futa në klasë e u ula në bankën e fundit… – Shkolla s’njeh moshë, – i thashë. Kështu u regjistrova si nxënës i rregullt. Në moshën 65- vjeçare përfundova shkollën. Atë ditë që mora dëftesën, më dukej vetja i ri. Ja, si ata katërmbëdhjetëvjeçarët. E papritura ishte se, kur po kthehesha për në shtëpi me dëftesën, që s”e lëshoja nga dora, shkova për të parë të mbjellat në kopsht. Nën ulli, shikoj një kuti, si këto kutitë e këpucëve. Pranë saj ishte një portofol. Hapa kutinë. U gëzova se brenda ishin dy libra artistikë; njëri roman e tjetri me tregime. Në portofol ishin disa kartëmonedha . Me mendimin, se si kishte mundësi që të ishin harruar kutia dhe portofoli, arrita në shtëpi. I tregova plakës. Mbas dite isha në ballkon. Besnikja thurte triko, ndërsa unë kisha filluar të lexoja tregimin e parë. – Urdhëroni, urdhëroni, djemtë e nënës! – foli plaka. Dhe u ngrit nga karrikja. Hoqa sytë nga libri. Shoh dy djem, që kishin hyrë në oborr. – O xhaj! Ai ulliri mbi çezmë, i juj është? – foli njëri nga djemtë. – Po. Edhe ullirin, edhe kopshtin unë i kam. – Po ju pyesim më shumë për të nxjerrë merakun. Mos kini gjetur një portofol e një kuti të vogël kartoni? – Po, or djem, unë i kam gjetur. Pasi mora dëftesën e përfundimit të shkollës dhe u ndava me shokët, u hodha andej nga kopshti për … Nuk e përfundova fjalën, kur të dy djemtë m’u drejtuan të revoltuar. – Pse tallesh me ne, or plak? Kur ke marrë ti dëftesën e shkollës, ne s’kishim lindur. – Unë s’gënjej njeri. Jam i ndershëm. Brenda në kuti ishte thesari i mendjes dhe në portofol pak thesar për barkun. Djali tjetër, për t’më tallur, (ma do mendja, më mori për të lajthitur) më foli duke qeshur: – Cili të gëzoi më shumë, ai thesari i kutisë, apo i portofolit? – Thesari i kutisë! – iu përgjigja në moment. – Ai thesar të mbush trurin dhe të bënë të ditur. Kur je i ditur, thesarin e portofolit e ke të siguruar. Djemtë shikuan njëri – tjetrin, më thanë “natën e mirë!” dhe kthyen kurrizin për të ikur. S’kishin dalë ende në rrugë, kur u dëgjua zëri i sime shoqe. – Mos ikni, mos ikni! Eja hani nga një veshuk rrush! Djemtë kthyen kokën. Së bashku me pjatën e rrushit, panë kutinë dhe portofolin. U ulën. Ata ha rrush, unë trego historinë e shkollës.. Në largim, përsëri më provokuan. – Cilin thesar të të dhurojmë? Këtë thesarin e kutisë, apo këtë të portofolit? – Pa u menduar dy herë, – u përgjigja, – patjetër atë të kutisë! Në roman, dy djemtë kishin shkruar: “Plakut, që na dha një mësim në kohën e duhur”.