Nëpër vitrina pozojnë manekinet. Syshkruara,
të brishta,
sensuale,
të trishta,
qafëgjata si pata.
Seksit i bëjnë fetish!
Oh, Krisht!
Të përkryera,
pa moshë,
as plaken as vdesin.
Nuk e përfillin as e shpërfillin,
virtytin dhe vesin.
S’njohin braktisje,
ndarja s’u dhimbset.
Detit të shpresave
as notojnë, as mbyten.
Sajohen, stolisen, vitrinash veniten. Hidhen e priten, eshtrat s’u vriten.
(Për statistikë,
në jo pak raste,
adhuruesë të marrë,
për to kryejnë vetvrasje).
E ftohta manekinë që feks në vitrinë,
unë s’mund të të ngjall, të të jap frymë.
Ik nga ky burg, ti s’je një robinë,
shtegëto, dashuro… jeto lirinë!
Por zemër ti s’ke, bukuri e ngrirë, ndryshe do të kërceje,
do merrje arratinë.
Pozat do braktisje, për t’u ndier femër, sikur copë ta bëje,
xhamin dhe zemrën.
Xhelozi e detit
Det, sa duheshim atëherë,
Kurrë s’e kuptova,
pse më ngrije kurth ,
kur zhytesha thellë teje,
me dallgë përpirëse në furtunë frymën ma merrje,
pastaj bregut më përkëdhelje,
me ledha valësh më dehje.
S’munde dot, për hir të së vërtetës,
të ma merrje jetën, se t’i dija hiletë.
Në vite nga ajo kohë u ftohëm,
si dy dashnorë të largët mbetëm,
kufij vendosëm mes njëri-tjetrit
dhe u ndamë heshtur.
Mbrëmë, për inate të vjetra, meskine, fundose një imazh në bregun e syve, gjithë fotot e kaltërsive i përpive,
i fshehe, i fshive…
inatçor, me dallgë zemërimi
ndaj qiellit plot yje.
Ti s’e ndien fajin, hakmarrjen primitive,
por unë kam një vend të shenjtë në zemër ku i ruaj kujtimet.
Sa të bjerë stuhia, do të vish në vete.
Ti m’i mbylle përngaherë portat e të fshehtave.
(Kurrë nuk e mendoja se ajo urrejtja jote ataviste, dashurinë do ta vriste.)
Si i harrove netët,
kur sytë i mbyllja si i verbër,
shpërfillja yjet feksës, mahnitës mbi vete,
gjithësinë,
teksa shihja poshtë, i harruar, thellësitë!
Ty ta falja, det, jo qiellit, dashurinë.
E fundit fjalë:
Kush dashuron fal!
Unë prapë të dua.
Xhelozia vret,
kush dashuron vuan.
Miqtë
Falini gjithmonë armiqtë. Asgjë s’i mërzit më shumë.
Mark Tëain
Kot e ke, më tha vetëdija,
Njerëzit s’janë përherë miq,
Ti pandeh se ata të duan,
Por, në fakt, i ke armiq.
I them vetes, pse, s’kanë shkak, S’kam pushtet, as ofiq,
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të ligj.
S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Udhës shko, pas mos i ndiq.
(Dashuri ti s’fal, thotë Krishti,
Po s’i deshe dhe armiqtë!)
S’është çudi, në këtë jetë
Mes armiqsh ka të tillë “miq”
Helm i egos i ngërthen
Dhe i bën, oh, sa të ligj!
Mos u lig, mos u mpak,
Thotë vetvetja, je një hiç,
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”.
Veç një jetë, njerëz, kemi,
Si të mirë edhe të ligj,
Në pusí një ditë në rënça,
Mos qoftë thënë ta kem nga miqtë!



















