-Bëmë baba të të ngjaj,
ta bëj popullin të qajë.
Siç qau dikur për ty,
të më qajë, me lot në sy!
Tall menderen, kokën tundin,
që thotë kanë prekur fundin.
I degdisa tutje dynjasë,
por të kthehen, ka shumë gjasë!
Artistët as i kam në listë,
se jam vetë pseudoartist.
Dhe sportistët më elitarë,
brenda shalëve i kam marrë.
Skllevërve që për Ty punuan,
u jap karamele, e më duan,
se më shumë po t’u japësh,
kot oreksin do u hapësh.
Dhe nëpunësit “e përzgjedhur”,
që të gjithë i kam tredhur.
Veç “të mitë” ma kanë dredhur,
prapa shpinës duke vjedhur…!
S’mbet njeri pa më lëpirë,
kush e kush ta bëjë më mirë,
dhe të urtët që ky vend ka,
shumica më bëjnë temena.
Ndaj, o Atë, mjeshtër i vjetër,
më thuaj ç’mund t’u bëj tjetër?
Se me këto që u kam bërë,
po më duken armiq të tërë!…
Bëj ç’të duash, o biri im,
se ai popull e ka mallkim,
me armiqtë të luftojë,
diktatorët e vet t’i dojë…!!!
Muzës time të dashurisë
Dhe tani të ndjej
thellë brenda meje,
në shpirtin që më djeg,
porsi flakë rrufeje!
Ti ndofta s’e beson,
a ndofta ke harruar,
se me ç’pasjon,
të pata dashuruar!
…dhe tani kaq larg,
nuk janë aspak kujtime,
por je në çdo varg,
e brenda zemrës sime!!!
Rubai
Brenda ëndrrës seç hyre befas
sikur po lozje kuka-fshehtas,
dhe mbete ëndërr edhe vetë,
me shpirtin tim ndërthurur keqas.