Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Rusi: Njëtrajtshmëri

218
Sigal

I njëjtë qielli i dalë boje,

që më përgjon

ngado që vete!

Të njëjtë yjet lart,

që derdhin,

mbi mua shi të verdhë brenge!

Të njëjtë njerëzit,

që nxjerrin

veç gaz të qelbur

karbonik!

I njëjtë ajri,

që ka mbetur,

ku ne pështyjmë

dit’ për ditë’!

Të njëjtë shpendët,

që bëjnë vjeshtë.

E njëjtë era,

që vdes gjethe.

I njëjti unë që jam dënuar

ngado që shkoj të flas me vete!

 

Se Si…

Se si po më ikën jeta! Se si!

Pa më pyetur fare,

sikur të mos jetë imja!

Kam çaste kur edhe vetë,

unë nuk e di,

nëse duhej ose jo, të lindja!

Se si po më ikin ditët! Se si!

Rrokullisen, rrokullisen

si toptha të vegjël.

Unë vrapoj pas tyre,

kërkoj t’i arrij,

t’i ndaloj, t’i pyes:

Çdo të bëhem nesër!?

Se si po më ikin ëndrrat! Se si!

Edhe në gjumë më kanë hyrë

e m’i kanë vrarë!

Ato që kanë shpëtuar

kanë marrë arratinë,

duke më lënë mua

një të vdekur-të gjallë!

Se si po më ikin dashuritë! Se si!

Një sot. Një nesër.

Një tjetër pas një jave!

Marr kokën mes grushtash,

i bie me zemërim,

sikur të më ketë bërë

mijra faje!

Se si po më ikin dëshirat! Se si!

Si ata zogjtë shtegëtarë,

që dimrit i tremben!

Po ç’them edhe unë,

do të ish mrekulli,

të ishin zogj shtegëtarë

që ikin e kthehen!