I veshi vajzat vjeshta e vonë,
dorë që ua mbuloi
mizorisht kërthizat!
Në ç’lëndina do të prehen tani
kopetë e syve,
kur dihet që pas vjeshtës
vijnë dimrat!?
Me urdhër të kujt
ajo solli dëborën,
për t’ua vdekur vajzave
të gjitha trillet!?
Qënka mediokre
kjo vjeshtë e vonë,
që e quan mëkat
të zbulosh hiret(!)
Mister etrusk kjo kapriçioja e saj,
që i vesh vajzat dhe i xhvesh
pemët!
Nëse ka një stinë që unë s’dua
t’i ngjaj,
Ajo mban pikërisht emrin
e vjeshtës!
UDHËKRYQE
Kam frikë
mos e humbas rrugën,
që gjer tani
vetë e kam zgjedhur!
Se dalin lloj-lloj
udhëkryqesh,
ku asnjëherë
unë nuk kam shkelur!
Nuk janë pak,
por dhjetra rrugë,
si prostituta
ngrenë fundin!
Por unë s’mund
t’i them dot këmbëve,
të ecin nga të mundin!
Se nuk e di ende misterin!
Nuk di se ku të çojnë ato!
Të gjitha rrugët
diku të nxjerrin
por jo të gjitha,
atje ku do!
Kam frikë
mos e humbas rrugën,
që gjer tani
vetë e kam zgjedhur!
Dhe kjo më ndodh
në udhëkryqe,
që brenda meje,
rrinë fshehur!





















