Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Qemal Kërtusha orfeu i këngëve tona

409
Sigal

 

Ka kohë që artisti që zbukuronte Durrësin, këngëtari – bilbil Qemal Kërtusha nuk duket rrugëve të qytetit. Pandemisë duhet t`i ruhen të gjithë; ajo kërcënon pa bërë dallime dhe pa ja ditur për vlera e kontribute, sidomos të moshuarit. Por durrsakët e kanë të pranishëm në bisedat e tyre dhe në nostalitë që u sjell magjia e zërit të tij. Se ai edhe mua më kujton atë ndodhinë me Enriko Karuzon, i cili duke kënduar në një nga dhomat e tij, bënte me atë zërin e tij hyjnor, që bojaxhinjtë të cilët kishin shkuar për t`i lyer shtëpinë, të ndërprisnin punën, gjë që e detyroi përgjegjësin e tyre që t`i lutej tenorit të madh që ta linte këngën, pasi në të kundërtën, punëtorët nuk do ta mbaronin kurrë detyrën për të cilin kishin shkuar. Kjo ngjiste dikur edhe me ne, skënderbegasit e vitit 1962 që pasi i kishim dëgjuar duke mbajtur frymën, këngët e Karuzos tonë, Qemal Kërtusha, në Festivalin e Parë të Këngës në Radio, “Fëmija i parë”, “Mos më qorto”, “Vashëzo”, t`i përsërisnim ato në kor, kudo që të ndodheshim; në rresht, në sheshe, në klasa a në fjetore. Ishin melodi të hareshme, të interpretuara nga një zë që dukej se zbriste nga qielli, ishin tinguj plot jetë e dritë që përhapnin gëzim, ishte me një fjalë, një muzikë e denjë për fjalët që Listi tha për veprën e Shopenit …”avull dashurie, trëndafil dimri, magji e bërë realitet, ëndërr që hyn në jetë, nga një derë e mrekullueshme.”  Po ku mund ta dija unë atëherë, se fati do të na bënte miq të mirë me këtë njeri që poeti Muharrem Gazioni e quan “Pranverë e pavdekshme”, që si për një koinçidencë të këndëshme, edhe emri i tij që rrjedh nga arabishtja do të thotë Përsosmëri. Dhe pa qënë nevoja të qëmtojmë eufemizma, duhet thënë se aq e madhe ishte kjo përsosmëri te ky artist dhe aq sugjestionues ishte (dhe vazhdon të jetë) zëri i tij, sa kur ndodhesha një herë në Prishtinë dhe u njoha me disa miq të rinj, njëri prej tyre, kur mësoi se vija nga Durrësi, me një farë naiviteti të sinqertë, më pyeti: – A e ke parë ndonjëherë Qemal Kërtushën?  Identifikimin e qytetit tonë me këtë këngëtar me personalitet të rrallë, unë e kam ndeshur edhe herë të tjera. Kështu, duke lexuar një shkrim tek gazeta “Dita” kushtuar të ndjerit oficer Haki Shaba, të rënë në krye të detyrës, artikullshkruesi, tregon se të ulur në një lartësi të Karaburunit, prej nga dukeshin si nëpër mjegull kodrat e qytetit tonë, Hakiu që detyra e kishte penguar të vinte në shtëpi prej një kohe të gjatë, i përmalluar u shpreh me fjalë zemre: – “Shikoje, shikoje Durrësin tim. Sa afër duket, por sa larg që është. Ku je o Qemal Kërtusha, bilbil i këngës durrsake.

Kur do të vijë ajo ditë që të të dëgjoj sërishmi nga afër…” I lindur më 27 tetor të vitit 1931, kur ende ishte fëmijë, Qemali, me bukurinë e zërit të tij, tërheq vëmendjen e kompozitorit të njohur dhe aq të apasionuar, Pjetër Dungut dhe shumë shpejt inkuadrohet në lëvizjen amatore të qytetit, gjersa në vitin 1948 bëhet pjestar i filarmonisë shqiptare në Tiranë. Duke vlerësuar mundësitë dhe perspektivat e tij, tre vjet më pas, e merr në gjirin e tij Ansambli i Ushtrisë. Për dy vjet me radhë, Qemali i bindur në nevojën e shkollimit, studion kanto nën drejtimin e Artistes së Popullit, Mjeshtre e Madhe e Punës, Marie Kraja, këngëtare dhe pedagoge e shquar, bijë e Kosovës që i kishte kryer studimet në Konservatorin e Gracit në Austri. Kjo periudhë i ka shërbyer Qemalit edhe për të njohur dhe për t`u miqësuar me shumicën e personaliteteve të kulturës tonë, nga përvoja e të cilëve ai ka përfituar mjaft, duke ruajtur njëkohësisht individualitetin e tij artistik.

Në vitin 1953, tashmë shumë më i kompletuar, ai kthehet në Durrsin e tij, atje ku e thërriste zëri i bilbilit që këndonte i vetmuar natën në vetmi, sipas romancës së paharruar që ai e kishte kënduar, para se të largohej në kryeqytet. Këtu, për nevoja e teatrit, ai aktivizohet si aktor. Me kohë, buçima e zërit të tij, si e dalë nga ndonjë përrua i Parajsës, i mbuloi me vellon e harresës rolet që ai luajti, deri në vitin 1960, por është vendi të sjellim ndër mend Anuçkinin te komedia “Martesa” e Gogolit, Leandrin te “Dredhitë e Skapenit” , Taqin te drama “Mbrapa mureve” të Kolë Jakovës etj. Por kur u formua estrada profesioniste, luhatja mes këngës dhe aktrimit kishte marrë fund dhe Qemali emërohet këngëtar profesionist. Tani ai kishte parë dhe e kishin parë shumë I papërtuar dhe i kudo gjendur, pra gjithmonë i gatshëm për të komunikuar me spektatorët, ai merr pjesë në shumë koncerte, anë e mbanë Shqipërisë. Duke pasur një diapazon të gjerë dhe aftësi të spikatura vokale, Qemal Kërtusha, gjithmonë duke zotëruar skenën dhe sallën e mbushur plot e përplot, prezantohet në shumë gjini muzikore. Repertori i tij tani përfshin muzikën popullore, atë të lehtë, këngët partizane, kantata, marrshe e deri arie operash, duke shtuar fjalët e tij tek “Intervista” se “Këngën italiane e sidomos atë napolitane, i kam dashur shumë, dhe i kam kënduar. Edhe sot ndjehem mirë në interpretimin e tyre brënda vetes”. “Granada”, “Lazzarela”, “E la barca torna sola”, “Firenze stanotte sei bella” dhe “Binaria”, e rreshtojnë atë pa frikë, në krah të emërmëdhenjve Claudio Vila, Luciano Taioli, Domenico Modugno etj . Këngëtar me profil të pa diskutueshëm, Qemali është pjesëmarrës dhe fitues çmimesh në 17 Festivale të Këngës në RTV, çka çvleftëson dhe bën të duket i tepërt ç`do koment. Çmime të para, Qemali meriton edhe në të gjitha festivalet që organizon Pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”.  Duke qënë i ndërgjegjshëm për nivelin e lartë ku kishte mbërritur, ai në vitin 1963 realizon një koncert recital, i pari në ato vite, me këngët e festivaleve, duke korrur sukses të jashtëzakonshëm dhe simpatinë e spektatorëve në të gjitha qytetet e vendit tonë. Gjatë kësaj periudhe Qemali është fitues i medaljeve të arta në takimet e rëndësishme të këngëtarëve të estradave më të mira, në Shkodër, Tiranë e Peshkopi, respektivisht në vitet 1960, 1966 dhe 1970. Qemali ka marrë pjesë edhe në operën “Bijt e Skënderbeut” që u vu në skenë nga pallati ynë i Kulturës në vitin 1968, vit i shënuar për të pasi, ju akordua titulli “Artist i Merituar”, përveç medaljes dhe urdhërit të punës që i ka akorduar Presidiumi i Kuvendit Popullor. Suksese të njëpasnjëshme e kanë shoqëruar Qemal Kërtushën edhe në skenat e shumë vendeve të tjera në tre kontinente. Mbresëlënës ka qënë turneu gjashtë mujor në Kinë, Kore, Mongoli, Vjetnam dhe Bashkimin e atëhershëm Sovjetik. Vitalitetin e larminë e muzikës shqiptare, ai së bashku me artistë të tjerë virtuozë të Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve, e kanë paraqitur më se denjësisht edhe në Rumani, Bullgari,        Turqi, Algjeri, Marok e Egjipt.  Në vitin 1974, në përbërje të Ansamblit “Durrësi”, ai jep shfaqje që ngritën peshë spektatorët, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Duke folur për këtë eveniment, gazetari, poeti, muzikanti dhe atdhetari Jusuf Gërvalla, i vrarë pabesisht në vitin 1982 nga UDB – ja shkruante se kur në podium shfaqeshe Artisti i Merituar Qemal Kërtusha, i njohur prej tyre, më tepër se dhjetë minuta e gjithë salla brohoriste pa u ndalur. Në karrierën artistike të Qemalit, vlen të përmëndet se ai ka interpretuar role të një vështirësie jo të vogël, në disa opereta, si “Miqësia” e P. Dungut dhe E. Marës, “Agimi” i E. Marës, “Era e lirë” e Dunajevskit dhe “Princesha e Çardashit” e Kalmanit. Kur erdhën në vendin tonë, pas ngjarjeve të vitit 1956, disa specialistë hungarezë dhe panë Qemalin në rolin e Edvinit, aq shumë u befasuan nga ai, sa të entuziazmuar, i kërkuan që ai të luajë me trupën e tyre në Hungari. Sukseset e bujshme të Qemal Kërtushës, gazetat e asaj kohe i kanë ndjekur hap pas hapi. I kulturuari Javer Malo, pas një koncerti recital që ai dha në Tiranë, shkruante:  “Duke blerë biletën, spektatori u nis për në sallën e teatrit të estradës  më tepër për të dëgjuar këngëtarin e njohur Qemal Kërtusha dhe s`u gabua; ky artist me zgjedhjen që kishte bërë repertorit të këngëve, me një interpretim të shkëlqyer, me një mimikë dhe plastik të rrallë dhe me një komunikim të përkryer me publikun, bëri që salla të ushtinte nga publiku.” Qemal Kërtusha, siç pohon edhe në intervistën që i ka dhënë gazetares së mirënjohur Kozeta Mamaqi, ka dalë në pension i rrethuar nga heshtja, në vitin 1982. Por asgjë nuk ndryshoi te ky artist nga zëri prej bilbili dhe zelli për të kënduar. Sa për ilustrim, po ndalem te vlerësimi që i bën atij gazeta “Republika” në Fest Folkun e vitit 2000: “ Gurët dhe sokakët, tashmë të zgjuar, duket se sot kanë qënë dëshmitarët dhe spektatorët më fatlumë, në zbritjen dhe takimin mes Bukuroshes Durrsake dhe Argjirosë legjendare, në sofrën e madhe të këngës. Dhe legjenda vazhdon më tej. Ky është Artisti i Merituar Qemal Kërtusha. Pjesëmarrës i disa festivaleve, si i ftuar i nderit dhe si një specialist i njohur i muzikës e këngës qytetare durrsake, ku i është dashur të vlerësojë të tjerët, sot ka qënë ai që ka marrë vlerësimet nga juria dhe spektatorët.”  Dhe ku nuk e gjen Mjeshrin e madh Qemal Kërtusha; që nga rrugicat që i zgjojnë aq kujtime e për të cilat thotë: “Kur kaloj nëpër këto rrugica…më duket sikur dëgjoj zërin tim të fëmijërisë, ndjehem me ndonjë pikë loti në sy, këndoj nën zë me rrugicat e mia të dashura” e deri mes fëmijëve, shoqatave, veteranëve të luftës e të punës dhe mjedise intime shoqërore. Ai nuk njeh mplakje, siç nuk  njeh dhe ndonjë interes. Një ditë kur njëri nga shokët tanë e pyeti pa të keq, në fitonte gjë nga këto aktivitete, ai me të qeshur u përgjigj me fjalët e Listit, kur i kishin bërë të njëjtën pyetje: “Bankjerët dhe afaristët bëjnë para, kurse unë bëj muzikë”.

Me këtë shpirt të madh, me një repertor prej qindra e qindra këngësh, njëra më e bukur se tjetra dhe me një pjesëmarrje si pak kush, në qindra e qindra koncerte, njëri më mbresë lënës se tjetri, Qemal Kërtusha, me atë thjeshtësinë tipike dhe me respektin e vëmëndjen që tregon për këdo, ka fituar zemrat e njerëzve anë e mbanë Shqipërisë, dhe veçanërisht në qytetin tonë. Ne i detyrohemi shumë këtij artisti që jo vetëm u ka dhënë jetë dhe kuptimin e vërtetë fjalëve, “Të falem o i bukuri Durrës”, fjalë që i ka pasur gjithmonë si laitmotiv, por edhe na ka bërë të ndihemi akoma më krenar për qytetin tonë.  Koha do ndjekë rrjedhën e saj, pa dashur që t`ja dijë për dëshirat tona. Vitet do të zëvëndësojnë natyrshëm njeri – tjetrin. Por Qemali do të mbesë në kujtesën e brezave, si shembulli më tipik i arritjes së suksesit, duke i qëndruar besnik traditës së shkëlqyer të këngës monumentale të popullit tonë, pa e shëmtuar e bastarduar atë me shtrëmbërime e përçudnime absurde e krejt të panevojshme. Ai do të ketë privilegjin e lakmuar nga kushdo, që dikur të përsërisë fjalët që gjeniu Paganin i tha armikut të tij, kardinalit Kafarel: “Unë po vdes i qetë, sepse tingujt e violinës time do të dëgjohen edhe kur unë nuk do të jetoj më”. Me artistët e vërtetë ndodhin çudira: magjia bëhet realitet, ëndrra hyn në jetë nga një derë e mrekullueshme. Dhe ashtu siç ngjau me Orfeun mitologjik që Pindari e quante babain e këngës edhe zëri i Qemal Kërtushës do të jehojë “Për midis pazarit të Durrësit”, do përplaset në muret e lashta të kalasë, do dredhojë nëpër rrugicat e qytetit për të cilat ai një herë e një kohë lotonte, do marrë rrugën për Shijak e kudo nëpër Shqipëri dhe pastaj do të tretet diku larg me valët e detit, duke u ngjallur shpresë marinarëve dhe duke e detyruar kapidanin djalë të ri, të marrë dylbitë e të shikojë. Por ai, përveç një imazhi gati qiellor, nuk ka për të parë gjë tjetër, pasi me kohë Pjetër Dungu e kishte parathënë: “Natën bilbili këndon në vetmi”.