Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Flutura Açka, nëna – shkrimtare me lotin e dhimbjes sa bota Fq 30

426
Sigal

 

(Shënime rreth librit “Biri”)

 

Në të gjithë morinë e krijimtarisë time me kritika letrare, më ka ndodhur që pas leximit të ndonjë libri, të kem pohuar se jam tronditur. Por nga libri i nënës – shkrimtare Flutura Açka, kushtuar ikjes në moshën më të bukur të Birit të saj, nuk e kam aspak për turp të deklaroj se kam vajtuar. E kam larë me lot çdo faqe të tij. Më është copëtuar shpirti dhe gati kam ulëritur: “Përsa jeta është kaq e padrejtë?!” Në një roman timin, kam përshkruar dhimbjen e pashuar të sime motre për vdekjen aksidentale të djalit të saj që kishte dhe ai moshën e Birit. Kanë kaluar gati njëzet vjet dhe motra ka mbetur po ajo; një grua e trishtuar, gëzimvrarë, e veshura me të zeza, që do ta shohësh çdo ditë me një tufë me lule ndër duar, mes rreshtave të varrezave. Atë nuk e ndal, as shiu, as i ftohti e as vapa. Dhe si për të thënë se ka edhe më keq, kam treguar atë që kam parë vetë, për një nënë këtu në Durrës, që pasi e kishte kthyer varrin e të birit në një farë dhome, kishte vënë krevatin atje dhe flinte çdo natë, për vite të tëra, pranë tij. Është e çuditshme zemra e nënës. Jo se ne burrat e kemi të lehtë, jo se nuk jemi po aq të ndjeshën ndaj fatkeqësive të tilla. Mjaft t`u kujtoj Adrastin e Argosit, atë që udhëhoqi fushatën e të shtatëve kundër Tebës, të cilit në sulmin e dytë, pas dhjetë vjetësh, i vranë djalin e vet, Elagjeun dhe nga hidhërimi vrau dhe veten në Megara. Autorja, duke ju referuar Claude Monet që në 1914 kishte humbur djalin dhe pas kësaj, kanavacat e tij pasqyronin ujin, shprehet se ai jetonte në një lot të madh sa bota. Por prap, hidhërimi i nënës, dua të besoj se është tjetër gjë, pasi ashtu sikurse thotë e mençura fatkeqe Flutura Açka, ajo e ka në një lëndinë bujare të mendjes, gurvarrin e tij – aty e takon dhe flet me të, me gjakun e gjakut dhe mishin e mishit të saj.

Por ajo është e ndërgjegjëshme se vërtetë është një nënë e pikëlluar, “por jam edhe një nënë që kam shumë ç`të them përtej pikëllimit, kam një histori për të rrëfyer, jo për të shpikur… Nëna nuk do të mund ta çonte deri në fund këtë rrëfim, ndaj i falem shkrimtares, kudo që ta ketë gjetur ajo forcën përtej nënës.” Për çdo nënë, fëmija është një engjëll, por Flutura thekson se që rrëfimi i saj të jetë sa më afër Birit, ajo do t`u “shkoj afër gjërave të tij, ku dhe përzhitem nga malli”. Poete dhe prozatore e shkëlqyer, ajo duke shkruar me gjithë fuqinë e dashurisë, ndjenjave të saj, dhe mallit kozmik, ka arritur të na japë nëpërmjet një proze poetike magjike, një monument të vërtetë dhimbjeje. E gjitha kjo, duke qenë e veshur edhe me mëndafshin e një stili të përkryer, një gjuhe fenomenalisht të bukur, madje edhe përmes sajesave pafund fjalësh të reja, një kujtese të admirueshme deri edhe për vogëlsira në dukje pa rëndësi, njohjes së zhvillimeve letrare nëpër botë, një hapjeje gjeografike pa mbarim, krenarisë për atdheun e vet, shtrirjes deri në Kosovë e Çamëri dhe ndjekjes nga afër dhe qartësisë së ecurisë demokratike me të mirat dhe të metat e saj, formimit të saj prej demokrateje konseguente, por edhe planeve njerëzore të skalitura përmes karakteresh mbresëlënëse, gjithkush që e lexon këtë libër, ka bindjen se ndodhet para një romani të mirëfilltë. Një roman, ku kudo del fytyra prej artisti, shpirti i madh dhe mendja e kthjellët e Atij, Birit me pamje Hyu. Ai nuk ka emër, por brenda qenies së tij, i ka të gjithë emrat e djemve të mirë. Ai edhe pse nuk është më mes nesh, është përherë i pranishëm, pasi askush nuk e beson se mungon. Qeshja e tij e sinqertë nuk mund të shuhet kurrë. Fjalët që thotë e shakatë që bën, nuk mund të humbasin. Duke u ndierë qytetar i botës, ai jeton midis dy dashurive; Holandës, atdheut të babait të tij dhe Shqipërisë së nënës. Por Ai, krahas ëndrrave, do kujtohet edhe për stoicizmin e tij, për qëndresën ndaj vuajtjeve fizike, për mostrembjen nga fati i keq, ku Moirat ja kishin përcaktuar pa mëshirë fillin e shkurtër, tamam si të qe një ndjekës i Lukianit.

Si gjithë të rinjtë, e donte sportin, muzikën, filmat, argëtimin, shëtitjet, vajzat, librat. Provoi dhe vetë me sukses, dhe teksa rrekej t`i përgjigjej pyetësorit të Prustit, shkruante: “Ne jemi qenie shumë të brishta dhe të pambrojtura para ashpërsisë së kësaj bote që shpesh ngre kurthe dhe na vë në prova të mëdha”. Ndofta, po të rronte, do t`i ngjante së ëmës, dhe u shua kështu një shkrimtar, dhe mbeti një yll që me ndriçimin e tij, na sheh nga lart. Por të gjitha këto janë metafora, se edhe vetë natyra njerëzore ka nevojë për to, për ngushëllimin që ato na japin. E vërteta është se nëna nuk e ka më Birin, “duart i janë të zbrazëta pa përqafimin e përhershëm të Birit, pa butësinë e syve të tij”. Se është ashtu siç ka zgjedhur ajo të na sjellë fjalët e A. Camys: “nuk ka paqe edhe pas armëpushimit për nënën e mbetur pa djalë”. Se edhe Ai do donte pas asaj kimioje, ta mbante kokën në supin e saj, duke thënë: “Kjo është prehja më e madhe në botë, njëqind vjet do të rrija kështu”. Por nuk ishte e thënë; ndërsa jashtë dëgjohej muzika e disa të rinjve gazmorë, ai po fikej. Fjalët e tij të fundit ishin ato të lamtumirës divine: “Të dua shumë!” dhe “Bye!” Pastaj qeshi, e ngriu atë buzëqeshje dhe nuk mori më frymë. Jashtë, vetëm korbat ndjellakeq, vazhdonin krrokamën e tyre të shëmtuar. E gjora nënë; ajo e di sesi ruajti mendjen. Tani nuk ishte më nënë, por ish nënë. E kishte përgjuar gjatë, mes atyre tubave e telave të shumtë, duke pritur me gjak të ngrirë përgjigjet e biopsive dhe analizave të pafund, me një shpresë gënjeshtare edhe pse e dinte përfundimin. Por mund të rrinte gjithë jetën pa gjumë mbi kokën e tij, vetëm që ai të jetonte. Si mbetej, veçse të shkrihej në lot. Si nuk mbaruan ata lot qysh nga dita kur mësoi lajmin kobzi. Për Birin nuk mbeti njeri pa qarë. Duhet të jesh prej hekuri që të mos bashkohesh edhe ti me atë dhëmbje. Ose më drejtë, me atë përjetim të nënës – shkrimtare. Nënës – shkrimtare që kishte një amanet nga Biri: “Libri është terapia jote. Mam, shkruaj libra, udhëto. Ne do të jemi prapë bashkë”. Dhe pastaj pason shpërndarja e hirit të tij. Ajo bredh maleve, lumenjve, pyjeve e kudo ku kishin qenë së bashku, me një kuti në dorë, për ta shpërndarë atë hi. Dhe më pas, shkon sërish atje, me besimin se kudo që ka shkelur këmba e tij, kudo ku është dëgjuar zëri i ëmbël i tij, do t`i shfaqet vetë ai. Ishin vende të bukura, që ai u gëzohej aq shumë, por ai s`ka për t`i parë kurrë më. Kishte miq të mirë, por nuk do të shkëmbejë kurrë dy fjalë me ta. E kishte idhull të atin, por tani s`do ta ndiente më praninë e tij. Kishte dhe një të dashur, Bonitën, por jo, nuk do lumturohej më nga fytyra dhe mirësia e saj. Dhe më vonë, shkrimtarja, si për t`u dhënë shfrim ndjenjave të turbullta e të paduruara prej nëne, nis e shkruan këtë libër. Është një heroizëm më vete kjo punë. E dinte se edhe bija e Zetit, Aedona, pasi vrau veten nga dëshpërimi i vrasjes së djalit të saj, ishte kthyer nga Perënditë në bilbil për ta vajtuar gjithë jetën atë. Por tek e fundit, mes tyre ndryshimi qe shumë i madh: ajo nga zilia deshi të vriste njërin nga fëmijët e të kunatës, Niobës, e cila mburrej me bukurinë e fëmijëve të saj, kurse nëna – shkrimtare, e mira dhe e buta si Flutur i donte të gjithë fëmijët e botës, pavarësisht të kujt janë. Ajo e tregon dashurinë e saj në çdo poezi, në çdo roman, sikurse bën edhe te ky libër tragjik. Ajo gjithmonë ka rezatuar dëshirë për jetën e vlerësim për këdo edhe me atë shikimin e saj disi të trishtuar që paskej qenë paralajmërim për kobin që do t`i ndodhte, për zinë ku do zhytej pa e merituar. Ishte e lumtur dikur kjo grua, kjo nënë, kjo shkrimtare që tani e sheh botën që i ndehet para syve si pa trajta, ngjyra, thellësi e përmbajtje të perceptueshme, pasi asaj i duket se “Ti nuk ke joshje më për rroben e zhubravitur me emrin jetë”. Njerëzit, thotë ajo, shkojnë nëpër terapira që të mos jenë kështu –  por unë dua që të jem kështu. Jo! Është një gabim po të mendosh se “për dhimbje si të miat, nuk është shpikur ende ndonjë lloj narkoze, veç Vdekjes”. Jo motër jo. Ti je e rrethuar nga miq, nga shokë e lexues të pa fund. Ata të duan për virtytet e vlerat e tua të mëdha intelektuale e njerëzore. Ca më shumë tani, që të ka mposhtur dhimbja. Shih sa mirë ua shpërblen ti, me këtë libër, ku thua se u mbetesh mirënjohës për jetë atyre. Biri yt u kurua atje ku ti edhe vetë e pranon se njeriu i shërben njeriut. Po rilexoj librin e A. Solzhenicinit të përkthyer mjeshtërisht nga miku im Nikolla Sudar “Pavioni i kancerozëve” dhe veç marrive e vulgariteteve të tjera, gjej aty një pasazh revoltues. I sëmuri Proshka, me raportin ku thuhej Tumor Cordis, i mashtruar nga mjekët, del nga spitali dhe i gëzuar niset drejt kasolles, te gruaja, dhe pasi ua shtrëngon dorën qyqarëve të tjerë, kthen kokën dhe i përshëndet. Autori nobelist e mbyll kapitullin kështu: “Dhe me besim i zbriti shkallët. Drejt vdekjes”. Kurse Birit tonë i shërbyen me gjithë mundësitë që shkenca ka. Atij ja bënë të gjitha, ashtu siç i përshkruan ti vetë me aq kompetencë, orë pas ore e minutë pas minuti, deri në fund. Por i shërbyen edhe me dashuri, me përkushtim edhe me lot, mjekët, infermieret e deri sanitaret e spitalit. Ndaj, për hir të njerëzve të mirë, vazhdo ta jetosh jetën, dhe shkruaj, se ashtu donte Biri yt. Se vetëm ashtu, ti nuk do ta lesh Atë të vdesë. Është e tepërt të të kujtoj ty, thënien e Isabel Allendes se “Vdekja nuk ekziston bija ime. Njerëzit vdesin vetëm atëherë kur ne i harrojmë. Në se do dish të më kujtosh, do të jem gjithmonë me ty”. Dhe ti di të kujtosh si askush tjetër.