Suplementi Pena Shqiptare/ Rudina Papajani: Të kam lexuar gjatë

44
Sigal

Lexova se fusha ku ëndërron çdo çast,

është e mbjellë e padalë në sipërfaqe!

Nuk humbet tek rritet brenda si e pafaj,

mes misterit dhe botës shumëkëmbëshe.

Ka dritë të kuqe në tunelet e brendshme,

që dridhen nga rritja e një krijese, me duar të padukshme.

Po të lexoj ty pareshtur, po lexoj luftën tënde të padukshme,

që loton mes tundimit dhe egos mashkullore.

Prandaj vonoj të të jap krahët,

çerdhen time që mbahet pezull, te fletët kuqalashe.

Të kam lexuar gjatë edhe kur heshtje,

edhe kur mendoje se pranvera po vonohej,

nga shirat e padukshëm, nga rrebeshet pa fjalë,

që vinin pa trokitur, në një natë të bukur e pa re….

(Thonë se dashuritë e bukura

vijnë nga puthja e diellit me tokën.

Thonë…)

 

Lutem

Lutem që gjërat të rrjedhin si ujëvara,

pranë një shelgu të ri.

Lutem që dashuria ime

të shkoj përtej të bukurës…

Aty ku malli dhe mungesa dashurojnë,

qajnë në tinguj drite,

në puthje jete,

që dhe botën shemb për të parë atë.

Lutemi për të gjithë të dashurit tanë,

që nuk janë më dhe nga larg na ndjekin,

nga qielli i paqes konvertuar në flutura,

apo degë dafine.

Lutem për të gjithë,

edhe për ata që s’na duan,

që zoti të gjej paqeje dhe mëshirë për ta!

Lutem…!

Ndjek vijat e ylberit që padashur shenjë la,

në trupin tim….