Suplementi Pena Shqiptare/ Robert Haxhi: Ti u ktheve dallëndyshe

2693
Sigal

Ti u ktheve dallëndyshe,
U ktheve nga larg ku ishe,
Të foleja që ti kishe,
Po ne na gjete ndryshe.

Ikën dhe kthehesh si sot
Dhe na i mbush zemrat plot.
Përsëri kështu nga mot.
Të presim me mall dhe lot.

Mallin nga larg dot s’e trete,
Kaptove male dhe dete,
Erdhe dhe na përshëndete,
Po siç na le nuk na gjete!

Ca i gjen në këng’ e valle,
Të shumtit me mijëra halle,
Ca sapo lindur motak,
Të vjetrit një vit më pak.

Disa vijnë e disa venë.
Disa janë ashtu siç qenë.
Ca i gjen dhe ca si gjen,
Po ti prapë e ke folenë.

Disa kanë ikur dhe shkuar,
Eh, sa larg kanë shtegtuar!
Mbaji mend kur je larguar,
Se s’ke më për t’i takuar.

Edhe ti moj dallëndyshe
Nuk je më ajo që ishe,
S’je me ajo që ke qenë
Ishe bijë u bëre nënë.

Dhe nga nënë u bëre gjyshe,
Tani gjërat janë shumë ndryshe,
Veç një gjë është si më parë,
Që ti mbete zog shtegtar.

Sa herë ke ikur e shkuar,
Dhe sa herë na ke munguar,
Malli kurrë nuk ka ndryshuar,
Po sa e sa shumë na është shtuar!!!