Nëse rri në ballkon në katin sipër
dhe sytë i hedh pingul gjoksit tim,
nga brenda do zbulosh si lumi Ibër,
gulçon dhe ecën shpirtit me nxitim.
Nuk ke nevojë ta hapësh kraharorin
e të shikosh ç’ka brenda dhoma e fshehtë.
As të më thuash bëj rolin e horrit,
as të mendosh se një bandit të pret.
Po të zhgënjehesh nga shikimi sipër,
zbrit poshtë në tokë ku janë këmbët e mia,
lexoma shpirtin me gërma sa një libër,
ku ka gëzim dhe brenga miqësia!
E mbushur plot e përplot me kujtime,
një histori që nuk u shkrua kurrë.
ka vargje loti plot me pikëllime,
ka trimëri e zemër si një burrë.
Ka dhe sekrete që janë arshivuar,
një urdhër presin veç nga goja jote.
Të lindi dita jonë e dashuruar
dhe flakë të ndizen rrugët e kësaj bote.
Nëse të vinë në mëndje prapësira,
përmbys ta kthesh dhe shpirtin e trazuar.
Jo s’është sekret do gjesh mijëra stolira
dhe si një foshnjë do ti ledhatosh me duar.
Do gjesh thesare rreshtuar në vitrinë,
do shikosh veten se si zbukurohesh.
S’do kesh nevojë të pyesësh për shtëpinë,
si gur i çmuar në zemër do strehoesh.




















