Elegji
Drithërimë pse më dha trupi?
Ç’është kjo dhimbje që po ndjej?
Ky kafshim gjoksin më nduki,
Zot po ti ç’bën lart në qiej?
Dhe një kuje më nxjerr xhani
ku çan gjoksin mes për mes.
S’po ja shoh më syrin djalit
mbetur filli vetëm në jetë.
Kuje ndjej a mos unë qaj,
bubullin gjoksi nga brënda,
deti syve mos është tharë?
Më dysh si s’më çahet zëmra.
Edhe zoti pranë më erdhi
a mos është shpirti tim biri,
Apo është një rreze dielli
ledhatim i dalë prej shpirti?
Nuk e di kush qan me mua!
A mos retë po shtrydhen vetë?
Vetëtimë ç’më ke helmuar
zemrën seç ma bëre eshkë.
Si shtëllungë janë pleksur retë,
të trazuar e kanë shpirtin.
Shpirti qan apo unë vetë
loti dhimbjes më mbyt syrin.
Vetëtima se ç’mu shkarkua
mbi lastar të zemrës t’ime.
Përcëllimë ç’më dogji mua
shpirtin mbyt me ngashërime.
Ngre sytë lart të flas o Zot
me dorë si s’preve fitilin!
Mbi të pse s’hodhe një lot
të mos ndjente dhimbje shpirti!
Vetëtima çau shkëmbin
kush e pa si qe thërmuar?
Edhe lisit plagët i dhëmbin,
dhe burimet ç’u shteruan.
Pik- pik- pik dhe krojet rrjedhin,
sytë e mi lotët i shtuan,
porsi det që lumenjtë mbledhin
shpirtin jo nuk ma qetuan.
Si nuk çahet kjo pllakë varri
të dalë drita që mban brënda,
të shikoj syrin e djalit
çohu bir se s’duron nëna.