NË SUPET E FABULAVE TË DR.HENRI MARSH-IT
Prof.Dr.BARDHOSH GAÇE
Izet S.Çulli një nga poetët dhe shkrimtarët e njohur bashkëkohorë,ka shkruar dhjetra libra artistikë për të rritur dhe fëmijë në gjini të ndryshme letrare.Po fusha ku ai spikat më shumë është ajo e humorit dhe e satirës, sidomos në fabula dhe epigrame.Vetëm në këtë lloj krijimtarie, ai sot paraqitet rishtas me librin e dytë me motive nga neurokirurgu i shquar anglez, Henry Marsh.I pari me titullin dygjuhësh “Every day is worth”(“Çdo ditë e vlen”) në dy botime(2018,2019) dhe ky i tanishmi është “Empathizing with the paceint’s pains”(“Më dhemb dhembja e pacientit”). Në këtë të fundit ,shtjellohen disa nga mendimet dhe përsiatjet që ka dhënë dr.Marsh-i në mediat shqiptare dhe sidomos në veprën e tij “Rrëfimet” (“Admissions”, Tiranë, 2017).
Ky botim përmban mbi 110 fabula dhe epigrame, ku shpalosen ide të protagonistit të mëlartëm anglez, në të cilat shprehet humanizmi dhe shqetësimet e shumta të kohës në punën e përkushtuar të mjekëve dhe gabimet e mundshme të tyre që hasen gjatë ushtrimit të misionit të kësaj armate fisnike.
Jam i mendimit se është e tepërt që në këtë paraqitje të shkurtër, të bëj ndonjë analizë të kësaj vepre të re të I.Çullit, por le të përmend këtu vetëm disa nga titujt e këtyre fabulave, të cilat nuk kanë nevojë për koment.Ato flasin vetë:”I sjellshëm, i përkushtuar”, “Kuleta”, “Privilegj dhe privime”,”Guximi dhe siguria”,”Modestia”,”Ah, këto mbledhjet!”, “E reja çan përpara”,”Piloti dhe kirurgu”,”Dështimet dhe sukseset”, “Humanizmi” etj.
Kjo botë e thellë poetike e këtij autori pikon nëpër frymëzimin e tij, ashtu e natyrshme, sepse ai di të gjejë detajet dhe përgjithësimet poetike, duke përcjellë edhe mesazhe për kohën dhe njerëzit. Fabulistika e Izet Çullit,ashtu si ajo e Çajupit,Spiro Çomorës,Nonda Bulkës, Dionis Bubanit, Ferit Lamajt,Gjikë Kurtiqit dhe shkrimtarëve të tjerë shqiptarë, përcjell tek lexuesit, njëherësh, edhe një humor fin,të shëndoshë e të mençur, që buron nga visari popullor i Labërisë.
I urojmë suksese të mëtejshme autorit në këtë gjedhe sa të bukur dhe të vështirë, e cila kamxhikon pa mëshirë veset dhe ligësitë që shfaqen në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore, edhe në kohët tona moderne.