Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Ago Nezha: Poema “Rugjina Balsha” dhe “Bregu kundrejt Jonit” të poetit Dr. Neki Dredha

726
Sigal

Jemi grumbulluar së bashku në këtë institucion prestigjioz të dijes dhe kulturës, Universitetin emërmadh “Ismail Qemali”, se na bashkon ky promovim, si bletët rreth një luleje që ka mjaltë, e kjo lule mjaltëndjellëse është Dr. Neki Dredha. Miku im i rinisë, ka pasur një jetë kreshendo në jetën personale, profesionale, politike dhe artistike. Falë karakterit të tij stoik ka ruajtur trekëndëshin identitar ndershmëri, dinjitet dhe integritet të palëkundshëm. Ai, s’ka bërë kurrë pazare dhe oportunitete interesash në dëm të karakterit dhe fisnikërisë së tij. Këtë e them pse kam një njohje racionale dhe dinamike me Dr. Nekiun, qysh nga adoleshenca e deri më sot. Distanca gjeografike, apo profesionale, nuk na ka penguar për të qenë miq, larg dhe afër njëri tjetrit, ku takoheshim disa herë në vit kur vija unë në Vlorë, apo Dr. Nekiu në Tiranë. Takoheshim rrallë, por me mall. Atë që do ta quaja embrionin e jetës, fëmijërinë, Dr. Nekiu, për 10 vjet e ka kaluar në vendlindjen time në Dukat, dhe si rrallëkush, krahasuar dhe me vendasit, ai njeh zakonet, traditat, karakteret dhe veçoritë e dukatasve, duke ti shpalosur ato si një enciklopedi, duke filluar nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Ai, të flet për historinë, për heronjtë, për figura të shquara të Dukatit, madje të reciton dhe shumë poezi nga rapsodë të talentuar të kësaj treve. Është sfidues në bisedat e tij. Siç e përshkruan dhe Profesor Bardhosh Gaçe, në parathënien e tij ekselente, që është një sintezë dhe sinonim i veprës, duke i bërë autopsinë dhe skanerin e plotë të saj, del se Dr. Nekiu, është usta i fjalës së gdhendur e të latuar me daltën e një profesionisti dhe mjeshtër i mendimit të mençur. Ja njihja mirë inteligjencën, peshën e fjalës, autoritetin profesional, burrërinë, ndershmërinë, mirësinë, altruizmin, humanizmin njerëzor, dhe tharmin e talentit poetik, por jo deri në atë nivel fluturues siç e shpalosur në dy poemat e fundit, “Rugjina Balsha” dhe “Bregu Kundrejt Jonit”, ngjanë si dy pulëbardha që fluturojnë bashkë në qiell të pastër. Falë kujtesës së tij sfiduese për moshën, me doktor Nekiun mund të rrish për orë të tëra pa u mërzitur, se ai të citon vargje pafund përmendsh nga Homeri, te Sadiu, nga Esenini te Lermontovi, nga Çajupi, Naimi, Ali Asllani te Dritëro Agolli, e kështu me radhë. I kam lexuar të gjitha vëllimet paraardhëse të Dr. Nekiut, por kur lexova dy poemat e fundit ndjehesha si një udhëtar në vapën e gushtit që gjen një burim dhe për të shuar etjen rraskapitëse nuk ndahet dot nga burimi. Poezia e tij ka një operim mjeshtëror, me gjuhë të zhdërvjelltë, që vjen si katarakt i rrëmbyeshëm, duke shpalosur mallin e dashurinë për vendlindjen, njerëzit e gjakut, krenarinë për heroinën e poemës, Rugjinën, dhimbjen për peripecitë e jetës së saj, që e ngre si dallgët e detit të tërbuar dhe e përplas në fatet e historisë. Poema rrok një diapazon tepër të gjerë, duke dalë nga kuadri i Kaninës, Vlorës dhe Labërisë, duke u shtrirë në shumë rajone të Shqipërisë, me figura emblematike kombëtare. Këto dy poema, që bashkëjetojnë në një libër, janë një trakt historik, poetik dhe shpirtëror, që autori e ndjen veten të varur në pemën e moralit të krahinës së ti,j me nuanca të theksuara labe. Vepra përshkohet nga një fjalor i pasur dhe i kultivuar, plot elegancë dhe figuracion shpotitës, siç është një nga strofat: “ Tek kjo vogëlushe, Lastonjë në ulli, Dado dhe zonjushe, Endën dituri. Vargu i rimuar, i shkurtër, pesë rrokësh, që rrjedh si ujëvarë në tërë faqet e librit, që ngjan si një lëndinë e gjelbër,dukshëm dallon se ka një kombinim të vargut modern me atë popullor, si rrallëkush mund t’i harmonizojë kaq bukur në një strehës poetike. Në këtë kryqëzim poeti, Neki Dredha sjell hibride fonetike të admirueshme e të lakmueshme, për t’i pasur si pasuri çdo krijues. Kur e lexon poezinë e tij, sheh se si ai vallëzon me vargun në një dans artistik. Ngjan si një zhongler, që e vërtit vargun nëpër duar, sikur do ta fundos në humnerë dhe papritmas e ngre atë në apogjeun e lartësisë poetike. Në këto dy poema Dr. Nekiu, tregon se është një mjek i aftë të verë diagnozë të saktë dhe në poezi, për figura me peshë të rëndë historike për kombin, siç është dhe Rugjina e Balshave.

Po të hysh “vjedhurazi” në pyllin e poezisë të Neki Dredhës, vëren qartazi se krijimtaria e tij poetike buron nga sfera e ndërgjegjes, intelektualizmi, instinkti poetik, ëndrra rinore, përçartjet e natyrës, veçanërisht ato bregdetare dhe labe.

Dr. Nekiu, ka një gjuhë të mjaltësuar dhe strofat i vendos si hojet e bletës, e mesa duket këto preferenca i ka të trashëguara e imituara nga babai i tij Jaupi, që ka qenë një specialist i njohur i bletarisë.

Libri i çiftëzuar me dy poema, flet për një cilësi shpotitëse të Dr. Nekiut, që ka ekzigjenca të larta për të arritur majat e suksesit në lëmin e poezisë, me një vullnet “rinor” për ta pasur zili. Ai, ka një optikë të qartë të shikimit të fenomeneve dhe është i aftë të zbulojë të shndritshmen përtej reve dhe mjegullës, duke ndjekur rrezen e dritës, që çan errësirën në humbëtirën e kohës.

Kur e mbarova së lexuari librin pa dashur ta komplimentoj, jam ndier i mrekulluar dhe i befasuar për një botim kaq dinjitoz duke dalë në konkluzion, që letërsia nuk është profesion, por është talent, dhunti, dashuri shpirtërore, e pse jo dhe gjenetike. E sapo lexoja poemat, mendoja, që si është e mundur që një mjek të shkruaj me një figuracion kaq të bukur letrar-për më tepër poetik dhe menjëherë më shkoi mëndja te tregimtari i madh rus, Çehovi, që ishte mjek në profesion. Mes të tjerash ai shkruante se: bukurinë e njeriut nuk e tregon pasqyra. Se ka shumë njerëz që shkojnë te pasqyra dhe thonë plot goja “O sa i bukur që jam”. Njeriu që të quhet i bukur, që do të thotë i mirë, duhet të ketë të bukur të katër këta element: së pari mendimin, shpirtin, fytyrën dhe rrobet. Kur harmonizohen në unitet të plotë të katër këta element, atëhere njeriu mund të quhet i bukur,që do të thotë i mirë. E, Dr. Nekiu, i ka të katër këta tregues në perfeksion,ndaj kemi një njeri të mirë, të dashur e të respektuar për të gjithë.

Duke e mbyllur fjalën time, i uroj mikut tim të dashur, Dr. Nekiut, shëndet e jetë të gjatë, lumturi e harmoni në familje e shoqëri, me bashkëshorten Valin, me djemtë, me nipër e mbesa, mos pastë ndalesa e pengesa, si gjithmonë në këtë udhësi, pastë prodhimtari në krijimtari.