Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Xhevahir Spahiu

517
Sigal

Klithma pa  brigje

Asgjëkund s’ju presin.

Vetëm zogjtë ju bëjnë shoqëri,
dy-tri re të dëbuara prej erës;
një varg lotësh pas jush lebetitet
lebetitja përlotet pas derës.

Ku po shkoni?

As të gjallë
as të vdekur s’ju presin.
Ëndrra juaj e parë drithëron
Si një yll i pafat nëpër mjegull.

Klithin brigjet,
Shpirtrat tuaj si shpend të plagosur vërtiten.

Nga dhembja drejt dhembjes si dhembje shtegtoni.
Ku po shkoni?

Kalorës pa fat

Poetit Ali Podrimja

Shiu dhe vapa 

a e njohin shijen e natës në terr

Hidhi këmbët, kalorës,

u err.

Je i lodhur, e di,

me një lodhje mitike.

Do të mundesh këta gurë t’i çosh.

tej kufirit të humnertë të dhimbjes?

Për njeriun

në moshën e një shekulli të thyer në mes

është e rëndë të merret me punë Sizifi.

(Dhe thonë,pastaj

i lehtë, si fluturat, shpirti!)

Kalorës pa fat!

ngarkuar me gurët e varrit

të pikepesës sonë,

a thua do ta korrim një verë

bukën e hidhur të ëndrrave tona?

Apo sërish kokë më kokë të kokojmë

rreth sofrës së shtruar

në gojën e djallit:

“S’u bë që s’u bë Dheu i Arbërit?”

Patkonjtë shkrepin xixa,

pluhur lënë pas

dhe për gjurmë një zgavër guroreje hata.

Etja s’gjen fjalë

t’i thotë etjes ç’etje ka.

Po t’i bëj udhë, kalorës pa fat

nga rraca kokëshkretë e Don Kishotëve.

Drurët i dëgjon ?

Hingëllijnë horizonteve.

28 gusht 1992