Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Enkelejda Kondi

1031
Sigal

1-Gjyshit tim, Gazi Kondi.

Me zemër të trishtuar,

U nisëm të kërkonim folenë tënde,

Me mijëra pyetje në mendje:

Ku je?!

Të kërkoja ty, gjyshi im, që kurrë nuk të pashë,

Dëgjuar kam vetëm historitë e dhimbshme.

Që fëmijë, foton tënde shihja pa mbarim,

Ndërsa babai kërkonte të atin, fëmijërinë…

Të dyve na trazohej gjaku nga vapa

Dhe gjaku yt na thërriste.

Një zë i brendshëm më flet në hapat që hedh:

Ku je, gjysh?!

Kemi ardhur të të kërkojmë

Këtu te bari i thatë, ku shkel,

Ve këmbën me kujdes, mos të ta lëndoj shpirtin.

Ke kaq kohë që prehesh larg nesh,

Dorën nuk ta vë dot mbi krye e të të them dy fjalë:

Ti re për Atdhe!

Babai dhe unë ecim mbi barin e thatë,

Buza na thahet kur arrijmë tek ato pak varre,

Po jo, as aty nuk je.

Ku je, gjyshi im?

Ku prehesh?

Ti ke gjetur amshimin

Aty ku deti dhe toka bëhen bashkë,

Aty ku udhëtimi s’ka fund.

Sigurisht, ti ke dëshiruar të të gjenim,

Po pse ta lanë varrin pa emër e ne pa ty?

Qielli i gushtit m’u duk i veshur në zi atë ditë,

Me psherëtimën e babait, zbresim kodrën e vogël,

Në gojë na ka mbetur shija e hidhur e luftës dhe humbjes.

Tani të kam gjetur e të kam njohur,

Të adhuroj në heshtje, heroi im.

2-Nata

Rrugët bosh,

Vetëm semaforët regëtijnë e sikur japin shpresë.

Një dritë në fund të rrugës

Më tërheq dhe aty e fiksoj vështrimin.

Natës, dritat brenda ndërtesave

I japin ngjyrë gri.

Vetëm qielli është i paanë dhe i pastër,

I gjithëpushtetshmi i kësaj nate.

Në heshtje i falem atij, si në një kube kishe,

Dhe heshtja me flet me një gjuhë që vetëm unë e kuptoj.

Nata është e lumtur mes kësaj harmonie ngjyrash,

Vallëzon valsin e saj të përnatshëm,

Ritualin e hershem të kësaj bote

Ulem të të shkruaj ty,

Ulem t’i shkruaj natës.

Do të kalojnë ndoshta orë duke shkruar

Fjalë shpirti që ikin drejt qiellit .