Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Agim Xheka

507
Sigal

E dua vërtetë?!

 

Po më harron mikja e vjetër
qëllimisht, rutinë a kushedi
as një “alo” sms apo një letër
a unë e lodha me përkujdesje e tepri
a rrugën i ka zënë një tjetër
Mund të ndodhi…nuk është çudi.

Çudia qëndron tek mua
sa më shumë heshtje,
aq më shumë e dua…
dhe…çudia e çudisë…
U thinja e u mpaka e s’e gjeta dot
këtë dreq sekret të dashurisë…
që më ligështon e më përlot…

Parajsa ime, ti

Mbrëmë nuk folëm bashkë…
dhe mu fanit vdekja që po vinte të më merrte.
Nuk u tremba aspak çuditërisht
se para saj e ndjeva veten shumë të brishtë.

U ngrita nga shtrati,mora karrigen
dhe qetë-qetë dola në ballkon.
Hodha sytë në qiellin plot yje
kërkova yllin tim parajsë në natën e vonë.

 

Ndiera vdekjen që erdhi
hyri në dhomë e nuk më gjeti në shtrat.
Kur doli turfulloi si gjëmë
dhe iku. Humbi rrugën nëpër natë.

 

U qetësova dhe thash e kalova radhën
ajo do kërkonte dikë tjetër nëpër terr
Dikë tjetër,por këtë herë mëkatar
të ishte i vdekshëm kandidat për në ferr.

 

Hyra në dhomë e u shtriva në shtrat
Yllin-parajsë nuk e gjeta. Ku ishte ai?!
Shtrati mu bë si lulnajë e rashë në “mëkat”.
Si ylli-parajsë m’u shfaqe,e dashur Ti.

 

Letër Dritëroit

Ç’dreqin desha që dola mbrëmë!?
Pashë ca kuaj. Shinin në lëmë.
Kapardisur dhe kollarisur
ca bastardë me gjak të prishur.

 

Ca mostra, Makronër shqiptarë,
ca minj halesh, derrkucë e gomarë
që s’u ngopën e s’u nginjën duke sharë
duke vjedhur, duke rrjepur, duke vrarë…

 

Shanë të shkuarën aq sa plasën,
me të sotmen aq sa ishin u gajasën.
Pastaj dolën si tellallë nëpër botë,
vollën vrer nëpër skuta e grop’ më gropë.

 

Ca palaço që e nxinë vendin tonë
duartrokitën,brohoritën për Macronë
i vunë thonjtë negociatave lehonë
dhe “miqtë”, armiqtë tanë bënë”ikonë”.

 

Veç t’i shihje, Dritëro, O miku im i nderuar!
Në këtë që them, nuk shtoj një presje.
U zhgërryen baltovinave si të tërbuar
dhe mbi surratin e tyre të shpërfytyruar
derdhën vrer…vollën veç ngërdheshje…