Sigal

«Gjatë gjumit hipnotik poetët thonë gjëra të çuditshme» – shkruante dikur Jean Cocteau, sigurisht ata e shohin ndryshe natën e botës dhe agun njerëzor fijen e barit dhe vesën e mëngjesit mbi një shpirt, drithërimën e një vajze të trishtë me hapin e saj të përhumbur, ata flasin për zjarre në qiell që ndizen e shuhen kushedi nga ç’dorë poetët thonë gjëra të çuditshme, herë të ngazëllyer
herë në jerm, apo fjalë të shkëputura që enden nëpër erë kumte për lirinë, poeteshat duken menjëherë kur dashurojnë dhe kur janë të plagosura për vdekje, poetët thonë gjëra të çuditshme për fatet njerëzore se në çdo themel ngrehine, ure, kështjelle së pari duhet blatuar dashuria, – thonë ata, se legjendat janë gjithnjë dashuri të pakryera, udhëtime bohemësh mbetur përgjysmë kushedi në ç’han, kushedi në ç’breg, ku qiejt përthyhen në det, poetët nuk dinë të gënjejnë, ata janë si fëmijët. Kur Lorkës i thanë se do ta pushkatonin ai nuk e besoi: “Si mund të qëllohet një zemër poeti në Grenadën e shenjtë, në bregoren ku bulëzon ulliri?” Po kështu dhe Neruda kur e çuan me forcë në spital në kllapinë e tij të fundme, ai nuk e besonte se diktatorët mund të vrasin poetët, kështu nuk besonin as adhuruesit e tyre, Blloshmi e të tjerë po, poetët thonë gjëra të çuditshme ata u murmurisin zogjve, sorkadheve, kuajve, dinë të paqtojnë shpirtra,
mërmërisin përralla mistike ku bajlozët, kuçedrat, perandorët, Neronët, më në fund gjunjëzohen e vdesin gjithashtu fjalët e tyre enden nëpër botë si flutura argjendi në kohë eklipsesh…

Nga: Luan Rama