Vrapojnë zemrat e dashuruara
drejt njëra-tjetrës si në garë
Me fjalë mjalti të ngarkuara.
Në Ditën Shenjt s’rrinë pa u parë!
Sytë vështrimet xixëllues,
nën qerpikë si tehe shpate,
si rreze dielli flakërues
i kryqëzojnë të gjejnë paqe.
Ndezur prush buzët takohen.
Të nxehta puthje dhurojnë e marrin.
Faqe e gushë butë ledhatohen,
shuajnë të ndezur brenda zjarrin.
Dallgët e shpirtit trazuar, det
bëhen valë të shtruara, vaj.
Thuren ëndërra me krahë, me flet,
që rrugët e jetës pushtojnë pastaj.
Dashuria jote “Shën Valentin” !
Dashurinë, Shën Valentin
e dhurove të pastër, pa baltë!
E ndezur, e kuqe, rubin…
e jotja Dashuri e Kristaltë!
E bekove, ledhatove, vadite
pemën që fryte nxjerr!
Ndër shekuj, dekada e vite.
Urrejtjen dërgove në Ferr!
E ngjize prej zemre e shpirti,
ligësisë nuk i le vend.
Ajo, qiellor të ngriti,
dashuria të bëri Shenjt!






















