Suplementi Pena Shqiptare/ Odise Kote: Puthemi mes rrënojave të Pompeut …

176
Sigal

Ti e lidhe kyçin te parmaku i urës
duke hedhur çelësin e mallkuar nê lumë.
Pastaj ecëm përdore krejt shpenguar,
mes rrënojave të Pompeut.
Çifte të tjerë rrinin shtrirë aty,
përqafuar prej shekujsh,
të pandarë kurrë.

A do të jesh në funeralin tim
që hiri të jetë i përbashkët?
Sepse ti duhet të jesh gjithnjë
aty ku duhet të jesh.
Mua gjithmonë diçka më kthen tek ty,
si lejlekun shtegëtar në pranverë.
Puthemi mes rrënojave të Pompeut,
çifte të tjerë rrinë ende shtrirë aty
përqafuar prej shekujsh,
të pandarë kurrë.

A do të hysh në funeralin tim e dashur,
që hiri të jetë i përbashkët?

Faqe e grisur …

Çdo të më thuash me: «në vija të trasha …»
Ndërsa sfilitem me hartën e versioneve,
dyshues, si për vazot e thyera,
hirnosur, shkërmoqur,
pa gjurmë të lexueshme,
bosh, përralla pa asgjë reale brenda,
nxjerrë nga thellësi të tokës?

T’i vëzhgosh tërê jetën
ato vazo antike a kohësh të tjera,
pa thënë dot fjalën e duhur,
duke prishur çdo gjë që mund të ishte e tyre,
deri afër pikës së moskthimit,
(Të rejat s’janë të vërteta,
por s’janë as dhe një hiç)
duhet të kërkosh kurajën për të rrezikuar gjithçka.

Ti nuk tradhëton dot qetësinë nëse je frikacak…
S’do ta pranosh kurrë një gabim me vullnet,
më pëshpëriti në vesh
kur e përqafova herën e fundit,
profesorin e lodhur, të plakur
që vdiq rrugës për në bibliotekë.

Era e tij ishte si ajo e një të panjohuri,
ndërsa vështrimi si një tharm i pakët,
por që mban gjatë …

Ecja me sytë e tij, fillikat,
dhe nuk isha vetëm karrocier,
por edhe kalë…