Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Habazaj: “Kapedanët e Tërbaçit”

897
Nga MSc. Albert HABAZAJ

Kapedanët e Tërbaçit, Vranishtit dhe Leskodukajt e Bolenës
– Në kuadrin e 170-vjetorit të Kryengritjeve Antiosmane të shek. XIX në Shqipërinë e Jugut-
Letërsia historike për kryengritjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut kundër reformave të Tanzimatit, për trimat e kryengritjeve popullore e bijtë e shpatës shqiptare është ende e varfër, pa profilin e saj të plotë studimor. Përveç librave orientuese të studiuesit Mexhit Kokalari (1978, 1983), aq të vlefshëm për studiuesit e fushës, nuk ka më botime të tilla vijuese. Është një ogur i bardhë, që në kuadrin e 170-vjetorit të Kryengritjeve Antiosmane të shek. XIX, botimi i monografisë “Cane Miftar Smokthina”, (Fier, Graf Ymeraj, 2017), kushtuar njërit prej prijësve popullorë më të njohur të Lumit të Vlorës dhe Labërisë, shkruar nga pena e rëndë e prof. Bardhosh Gaçes dhe shkrimtarit të spikatur Eqerem Canaj (pinjoll i kapedanit të Bashit, Smokthinës e Lumit të Vlorës). Qoftë ky libër serioz dallëndyshja e parë, që parapriftë pranverën edhe pse të vonuar të botimeve studimore të kësaj periudhe të lavdishme, por ende të pa eksploruar, sidomos për krahinën tonë të Mesaplikut, Kurveleshit të Poshtëm e Himarës! Vlen të kemi dijeni, se Sulltan Abdyl Mexhidi, më 3 nëntor 1839, shpalli Hatisherif Gjylhanen (Dekreti i shenjtë i Pallatit të Trëndafilave), që u quajt Reforma e Tanzimatit (rregullore e reformave të reja), që kërkonte rimëkëmbjen e autoritetit të shtetit administrativ e lokal, të zhdukte pushtetin vendor shqiptar, të rivendoste rekrutimin e detyrueshëm ushtarak pa shpërblim të shqiptarëve, vendosjen e taksave të rënda fiskale, etj. Si pasojë e këtyre reformave fshatarët shkuan drejt varfërisë së thellë…, saqë zemërimi i tyre shpërtheu si uragan urrejtjeje ndaj të huajve që kishin zaptuar tokat, pronat dhe territorin e këtyre banorëve në troje të tyre, “që kur bota është zënë”. Kështu filloi organizimi i kryengritjes në katundet e Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës, Vlorës e Mallakastrës. Koha kërkoi në skenën e historisë emrat e udhëheqësve popullorë si Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, firmat e kapedanëve Hodo Nivica, Dervish Ali Dukati, Lulo Abaz Tërbaçi, Cane Miftari, Veis Vasjari, Hadër Sulo, Sadik Guxho, Matan Haxhiu, Lilo Qendro, Osman Kuçi, Fejzo Çika, Dule Zoto, Mete Çobo, Sinan Malo, Kamber Delo Tragjasi, Hito Daut Mavrova, Selim Agai nga Vlora, Sheh Aliu i Tepelenës, Spiro Labova e shumë trima të tjerë, mbi bazën e vullnetarizmit ushtarak, se të paktën duhej një mashkull i aftë për luftë për shtëpi e oxhak, sipas traditës së të parëve jo vetëm në Labëri, ku “çdo shtëpi nxjerr dyfek, por kur kërkohej organizim ushtarak vullnetar. Në këto ngjarje të stuhishme e me bubullima historike, u ngrit Çamëria, Përmeti, Skrapari e Berati. Labëria shndërrohet në front të kryengritjes kundër reformave të Tanzimatit. Ja ç’na sjell epika historike:

“Dërgon Gjoleka njerinë
Lumi e Bregu të vinë,
Ç’u shkulë që në Kaninë,
Labër e çamër furtunë
Ca me bruca, ca me gunë
E hodh’ dushmanin në lumë…” 

Është një shërbim i duhur, i mirë e i dobishëm për historinë e popullit shqiptar, kur flasim e ravijëzojmë ngjarje, data, personazhe të historisë lokale e, në rastin konkret, për figurat historike të krahinës së Mesaplikut, (me Shullërin e Rrëzën), Kurveleshit të Poshtëm, Lumit të Vlorës e Himarës, si pjesë në plotësim të së tërës. Në botimin më të ri të nivelit akademik, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, kur trajtohen kryengritjet kundërosmane gjatë periudhës së reformave centralizuese (Tanzimatit) (vitet ’30 – ’70 të shek. XIX), që kishin për qëllim forcimin e Perandorisë osmane, shkruhet: “Banorët e Tërbaçit kanë marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shquan luftëtarët Lulo Abazi dhe Miro Tërbaçi” (shih: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 3”, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, f. 2695). Ky informacion gjendet edhe në botimin e parë “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, Akademia e Shkencave e RPSSh, 1985, f.1091). Drëri Lulo Abazi, Kapedani i Tërbaçit (1805 – 1852). Në mars 1833 shpërtheu kryengritja në krahinat e Mallakastrës, Kurveleshit dhe të Mesaplikut, edhe tërbaçiotët, si pjesë e së tërës shqiptare heroike të organizuar në çetë me në ballë Lulo Abazin, vranë jeniçerët osmanë, vijuan luftimet pa u përkulur dhe u përgatitën për të sulmuan Janinën. Aktiviteti luftarak i Lulo Abazit spikati në Konisbaltë të Beratit, në Horë, Gjomiha, Bogdan në vitin 1847. Kishte marrë pjesë në Kuvendin Ndërkrahinor të Picarit të vitit 1846, si dhe, një vit më vonë, në kuvendin e madh të Mesaplikut. Ai luajti rol të rëndësishëm në organizimin dhe në udhëheqjen e luftës kundër pushtuesit osman në mbarë krahinën e Vlorës. Emri i këtij prijësi të talentuar ushtarak dhe biri të denjë të Tërbaçit, del i dokumentuar në krahë të udhëheqësve të tjerë, si Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Çelo Picari etj. Qartë e saktë i pasqyron këto ngjarje edhe folklori: 

“Shqipëtarë anembanë,
U mblodhën e fjalën dhanë,
Mbretit s’i japim nizamë,
Do t’i zë t’i them me radhë;
Lulo Abaz tërbaçioti,
Kamber Delo tragjasioti,
Dule Zoto smokthinjoti,
Mete Çobo vranishioti…”. 

Forcat kryengritëse, të drejtuara nga Lulo Abazi, si në krahun e Mallakastrës ashtu dhe në atë të Vlorës, të bashkuara me ato të Dukatit, drejtuar nga Dervish Aliu, korrën fitore. Deri në buzë të varrit, Lulo Abazi me trima i qëndroi me këllëç në hundë pushtuesit osmanli. Populli e ka gdhendur bukur në këngë portretin e këtij kapedani në mbi 400 këngë. Si krenari qëndrese e furtunë lirie jehojnë maleve të Vetëtimave dhe luginës së Lumit të Bardhë vargjet lapidare: 

“O Lulo Abaz Mehmeti
O mali në mes të detit,
I ktheve gjoksin dovletit,
Që në Tanzimat e tutje,
Të mbeti palla mbi supe”. 

Edhe sot i këndohen këngët kapedanit të Tërbaçit: Krijuesi Dero Murataj nga Velça shkruan e këndon:

“O Lulo Abaz Mehmeti,
Kapedan, lindur në shkëmb,
Ta dija ku e ke varrë
Do ta quaja vend të shenjtë”… 

Miro Tërbaçja me histori dhe këngë është shembulli tipik, ku shfaqet vajza labe si përfaqësuese e shpirtit liridashës të gruas shqiptare, që krahas djemve, burrave e vëllezërve, di të shkruajë bukur histori dinjiteti. Kjo cilësi vërehet fatmirësisht edhe në jetën aktive që ruhet nga epika historike 

“Tërbeçtë haraçe s’dhanë
e shporrën Pashanë”! e më tej 
“Mirua ormisi Pashanë
dy dogra në ballë!… 

Vajza e thjeshtë e guximtare labe, (lindur në Tërbaç; si vitlindje mendohet viti 1803 dhe si vitvdekje 1869-a, në moshën 66 vjeçe, te dajallarët e saj, në Dhemblan, Tepelenë), nga person u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak për vëllanë, dushmani ia vrau padrejtësisht, në punë të tij e pabesisht, do të merrte hak për babanë, për tërbeçtë që s’u bindën e s’paguan haraçe, atë taksën e zezë që jepte në të holla ose në natyrë popullsia jomyslimane gjatë kohës së pushtimit feudal ushtarak osman. Preu flokët si djalë, hodhi pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s’e gjeti. U hodh në Mallakastër, kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballë për ballë me pallatin e Pashait, ky qe strukur sanxaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojave të sigurisë një takim me sundimtarin e Vlorës, mbasi do t’i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha nuk priste. Ata e hëngrën… (E besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë i nisi Mirua dhe ai ra në vend i mbaruar, si dybek. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat e kobures me fjalët: “Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi vonuar!”. Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Shako Xhaka. Shako Beqir Xhaka lindi në vitin 1826 dhe thonë se ka qenë shumë i pashëm, me trup vigan, i zgjuar, me sy skifteri dhe shënjues i dalluar në mbarë krahinën; e duronte shumë të ftohtët saqë dhe në dimër të ashpër kur gjithçka ngrinte dhe Shakos i kërcisnin në kallkan shollët me proka, ai flinte jashtë, ngrihej me natë dhe mbushte lugjet e drunjta me borë për të pirë ujë bagëtitë. Për figurën e tij epike ka shkruar Mexhit Kokalari, Tofik Deda etj. Shkruhet se kur repartet ndëshkimore osmane vërshuan me urë zjarri në dorë (gjatë vitit 1847) për të mposhtur kryengritjen e madhe fshatare që kishte plasur në këto anë, trimi i ri Shako Tërbaçi (nip i kapedanëve të Xhakajve të Kudhësit), u dallua në këto beteja si shënjues i rrallë, veçanërisht në luftimet që u zhvilluan në Gjomiha, në Bogdan e në Horë. Famën e mori kur u nisën për luftë forcat e Lumit të Vlorës, kur ai në krye të tyre, në krah të Selam Hasan Velçës dhe Mahmud bej Vlorës (babait të Ismail Qemal Vlorës, Plakut të Bardhë të Pavarësisë) shkroi nëpër shkrepat e thepisur të Mecovës jo faqe historie, por epope legjendare. 

“O Shako Xhakë Tërbaçi,
I Shqipërisë ilaçi..”- 

e shohim portretin e tij të gdhendur me bujari nga epika historike Mete Çobo. Mete Çobo vranishnjoti është personazh i njohur historik i kësaj periudhe dhe bëmave të tij i janë kënduar këngë. Lindi rreth vitit 1802 dhe vdiq në vitin 1879, në moshën 77 vjeç. Jeta e tij është e mbushur me ngjarje heroike, histori lufte e bëma trimërie, qysh në oborrin e Ali Pashës. Në rrethimin e kështjellës së Janinës luftoi thikë më thikë me osmanët e Mehmet Reshid Pasha. Nuk e joshi dot pashai me premtimet marramendëse, sepse Kapedani i Vranishtit qe bashkuar me Tafil Buzin, Cane Miftarin, Çelo Picarin, Veliko Jaçen dhe me Asllan Kucën. Po përmendim një fakt, që kur u vra Ismail Vlora, vëllai i tij, Beqir Vlora, i shoqëruar me forca të shumta, të udhëhequra nga Mete Çobua, Cane Miftari etj, të vëllazëruar dhe me luftëtarët e Bregdetit, i çliruan krejt këto vise bregdetare të Shqipërisë. Emri i tij del në kryengritjen e Shqipërisë së Jugut në vitet 1830-’31 në krahë të Zylyftar Podës me Sinan Labin e trima të tjerë. Po kështu më tej, më vitet 1835, 1841, ku Mete Çobo hodhi pallën mbi supe, mori pjesë në mbledhjen e Picarit. Më 15 gusht 1847 emri i tij shënohet krahas kapedanëve të tjerë që iu drejtuan mbretit Oton të Greqisë për ndihmë, por, që mbreti edhe pse qe kundërshtar i Portës së Lartë, i bishtnoi siç dinë mjeshtërit e dinakërisë. Ndërkohë, Porta e Lartë synoi që në pranverën e vitit 1847, Labërisë t’i vishte rrobat e zisë me ngjyrat e egra osmane. Luftëtarët e Vranishtit së bashku me ata të Tërbaçit të udhëhequr nga Mete Çobo e Lulo Abazi, të vëllazëruar dhe me trimat e Kuçit, Kallaratit e Bolenës e organizuan më së miri mbrojtjen ndaj vërsuljes barbare osmane. Në fakt, armiqtë nuk kaluan nga grykat ku i pritnin kryengritësit, por u drejtuan nga ana e Mesaplikut, pasi ishin informuar më parë nga një pjesë e parësisë otomane të Vlorës. Lufta plasi në Horë, ku turqit kishin ngritur çadrat e tyre. Toka e Horës u përgjak krejt nga gjaku i ushtarëve osmanë dhe i luftëtarëve shqiptarë që nuk lejonin të përjetësohej sundimi i huaj në vatrat e tyre. Leskodukajt e Bolenës. Në periudhën e Tanzimatit fitojnë nam Leskodukajt me çetën e tyre legjendare. Nga disfata e Horës e humbje të tjera të pa llogaritura me hanxhinë nga pashallarët e Sulltanit, filluan të hakmerreshin nëpërmjet djegieve të shtëpive, rrëmbenin e bagëtive, duke djegur të mbjellat bujqësore. Po edhe heroizmi i kurveleshasve ishte masiv, përmenden si të tillë bijtë ë fshatit Bolenë: Sadik Birçe, Lesko Birbili, Sinan Malua etj. Të ashpra ishin luftimet në Gjomiha, Bogdan e Horë dhe në Lumin e Shushicës. Lufta i bashkoi kurveleshasit në një front të vetëm gra e burra. Në këto përleshje gjakderdhëse, vetëm në fshatin Bolenë ranë në fushën e nderit rreth 80 vetë. Gojëdhënat flasin për heroizmat e të shtatë bijve të Leskoduke në Shushicë, që me pallë të zhveshur luftonin në këmbë, futeshin nëpër kampin e armikut si gjarpërinj dhe i grinë ata me thika e jataganë; sokëllimat e tyre i tmerronin osmanët. Leskodukajt shkëlqyen sidomos në kryengritjen e madhe fshatare të vitit 1847. Edhe sipas Mexhit Kokalari, edhe sipas kujtesës folklorike, lufta u zhvillua e ashpër. Shqiptarët, megjithëse u ndodhën para forcave të panumërta osmane, bënë kërdinë mbi armikun. Në këto beteja shkëlqyen shpatat e Leskodukajve, të cilëve populli u ka ngritur përmendore kënge: 

“-Ç’ësht’ ajo që na shkon tutje?
-Pall’ e lar’ e Leskoduke,
E mban Birçeja mbi supe.
o Sadik e o Lesko,
Pall’ e lar’ e Birçes-o!
Pall’ e lar’ e Leskoduke,
Me rripa supe më supe,
Moj e shkreta, s’u këpute…”. 

Luftimet e tyre janë vërtet legjendare, saqë vetë veziri (kryeministri i më të madhes perandori të kohës, lëshoi anembanë urdhra të rrepta për të kapur gjallë a vdekur djemtë e Bolenës, bijtë e tmerrshëm të Leskoduke. Jehona e këngës vjen: 

“Dërgon një kartë veziri:
-Leskodukajt të m’i ziri,
rrathët në kokë t’u viri,
pranga në këmbë t’u hidhi,
cita në thonj t’u ngjitni,
në Janinë të m’i silli,
brenda në bodrum t’i vini…”. 

Po a kapen yjtë me duar? Leskodukajt e Bolenës i mbronte gjithë populli ynë, sepse e donin e luftonin për të drejtat e tyre dhe për liri.


Sigal