Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Flamurit tonë kombëtar

139
Sigal

Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit.

Me ty dora u forcua e dritëloti i gaztë syve na rrodhi.

Në ugarin e lirisë së pambjellë buisi kah shekuj filizi.

Në fjalën e gjyshërve mentarë ëndrra shtat na hodhi…

Kuqëlimi i ditënetëve tona të bëri kaq hijerëndë.

Na prive kur plumbonim a radhisnim të menduar shkronjat.

Në valëvitjen tënde na mbeti një fjalë e pathënë,

që ia lamë nipërve e mbesave si testamente të ngrohta.

Deshëm që në brazda ditësh gjunjët te ti t’i ulim.

Deshëm t’i merrnim pranë teje dëshirën e pragvdekjen.

Kur mjegulla na fshihte diellin e shtegun e një rruge

kërkonim fitimtarë që të sfidonim Natën, të keqen.

Të gdhendëm te djepet, gurët, te pllaka mermeri ndër varre.

Të vumë në ballë të krushqve ardhur nga bjeshka…

Hej, çdo të ishim pa ty, o bajrak i zemrave shqiptare?

Ç’do të bënin pa ty fëmijët që do të nisin festat?

Të vumë në bedena kënge, poezie a nëpër filizë urimi!

Të vumë në emra djemsh që lindnin mes gjëmimeve të luftës1

Në arkëmortin e supeve u bëre savan për kujtimin e një trimi

e një Kryemik i një ode kur shtronim kafshatën e bukës.

Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit.

Me ty dora u forcua e dritëloti i gaztë syve na rrodhi:

në ugarin e lirisë së pambjellë buisi kah shekuj filizi,

në fjalën e gjyshërve mentarë ëndrra shtat na hodhi..