Suplementi Pena Shqiptare/ Mustafa Greblleshi: Qyteti im dhe Hëna brenda hekurave të burgut

591
Sigal

Letërsi e shkruar në burgjet enveriste

Parafytyroni Mustafa Greblleshin i mbyllur

mes hekurave shkruan vargje që shpërthejnë nga

shpirti i tij poetik:

“A nuk shikon,-flet Hëna prapë,- sa shufra hekuri që ke?

Ato më ndanë e më çanë! A mos harrove se ku je”?

 

Mustafa Greblleshi (Tiranë15 dhjetor 1922 – 22 maj 1986) ishte publicist, gazetar, shkrimtar dhe përkthyes.

Mustafa Greblleshi shkollimin fillor e mori në Vlorë, gjimnazin në Tiranë, ku ishte drejtor profesor Eqrem Çabej. Pushtimi italian e gjeti 17 vjeç kur ishte ende në gjimnaz. Boton skica e tregime, herë humoristike dhe herë me një qëndrim të qartë nën pushtimin italian. Njëra prej të cilëve është proza poetike “Nji trandafile”. Trëndafili, me kuptim alegorik i Shqipërisë së pushtuar – provokoi autoritetet italiane dhe e çuan para prefektit Qazim Mulleti, i cili meqë e njihte e këshilloi duke i vënë kushtin që të ikte në Itali prej drojës se mos i riu do të anonte nga idetë komuniste. Këshillë që e ndoqi nga vjeshta e 1942 deri në pranverën e 1943. Kthehet në Tiranë për të punuar në redaksinë “Bashkimi i Kombit” me kryeredaktor Gjergj Bubani.

Pas Çlirimit është redaktor i gazetës “Bashkimi”. Në vitin 1947 si “armik i popullit” u burgos për 19 muaj, bashkë me kolegët Andrea Varfi dhe Petro Marko. Pas lirimit nga burgu punon disa vjet si mësues gjuhe. Nuk zgjati shumë dhe e pushuan,  pasi u konsiderua i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë. Punon punëtor krahu deri në vitin 1974 duke ngritur thasë me çimento në kombinatin “Josif Pashko”.

 

Veprat letrare :

Përkthimet e tij nga italishtja e frëngjishtja do të botoheshin në faqen e tretë të gazetës “Tomorri”. Përkthen novelat e Pirandelos botuar me titullin “Jeta lakuriq”, dramat e De Filipos botuar me titullin “Filumena Marturano” dhe “Njëmijë e një netët”.  Skicat letrare e tregimet i botonte me pseudonimet Mustafa Mustafai, Memli, Mano dhe me emrin e tij të vërtetë, ndërsa shkrimet satirike me pseudonimin Liu i Cakut. Punon tri monografi, për Haki StërmillinFan Nolin dhe Omar Khajamin – që u transmetuan në emisionet letrare të Radio Tiranës. Më 1943 i botohet romani “Gremina e dashunís” nga miku i tij Fiqri Llagami. Boton vëllimin me tregime “Albumi i një bojaxhiu” me ndihmën e Nasho Jorgaqit dhe Drago Siliqit etj. Në burg ka shkruar mjaft poezi si: “Hëna dhe i çmenduri “ , “Harku i ndritur”, “Qyteti im” etj.

 

 

            Qyteti im

Gjithnjë të vërej nga hekurat ku jam ndry, o Tirana ime!

Sa herë mbushet plot vrer shpirti,

ndiej nostalgji për ty.

Natën, kur digjesh në mijëra xixëllime,

dhe feks magjepëse në errësirë plot nur.

i vetmuar të sodis:

Humbas përmallshëm ndër mijëra përfytyrime.

Vij, endem rrugëve, siç endesha dikur

e gjithkund të shëtis…

Po kur vegimi ndal vrapin tek një shtëpi,

ku ndodhet nëna ime e kam njerëzit e mi,

sa ndihem i mjerë!

Vrik hekurat më sjellin në vete, si përherë:

Kujtohem se jam në burg tash sa mot,

e qaj prapë me lot!

 

 

Harku i ndritur

Shkruar në burg.

 

Sa herë kazma ime vringëllon gur më gur,

unë i ngre sytë e lodhur lart në qiell,

në atë botë pa cak, pa gardh edhe pa mur,

ku vizaton ti harkun tënd o diell.

 

Ti ngjitesh me përtim e zbret në hapësirë,

dhe unë mbytur djersë, të lus: “Ik sa më shpejt, po munde,

të mbytet sa më shpejt kjo botë në errësirë,

dhe të ikë përgjithmonë kjo ditë e nëmur pune”.

 

 Rropatja kaq e madhe në një punë të detyrueshme është realitet i përjetuar nga M Greblleshi. Rregjimi  i fuste intelektualët në burgjet më të egra për t’ia mbyllur gojën. Ata harronin se dhimbja, tortura, shpërfillja kthehej në vargje që do të përjetonin në shekuj këtë rregjim të urryer komunist, këtë fanar ndriçues në botë!

 

  Hëna dhe i çmenduri

Mustafa Greblleshi

 

Ish dehur Hëna asaj nate si një njeri që pi raki,

e duke ecur vranga-vranga erdh dhe u shemb drejt e n’avlli!

 

U ngrita vrik në majë të këmbëve dhe vura kokën në katror,

dhe zonjës Hënë fort iu luta  të hyjë brenda në oborr.

 

“Pusho,-më tha,-mos je çmendur?…Nuk di se roja na përgjon?

Afrohet ora e kontrollit: zoti tetar ja tek kalon…!”

 

U dëshpërova fort, pa masë, edhe u shemba prapë në shtrat:

“Bobo tani s’më do as Hëna! Jam kaq i mjerë dhe i ngratë”!

 

Por duke ndenjur kot symbyllur, e ndiej të futet në oborr,

jo drejtpërdrejt ku ishte rruga, por duke ecur kryqtërthor…

 

Vështroi e trembur rreth e rrotull dhe, pasi roja nuk e pa,

u hoq ngadalë zvarrë-zvarrë e brenda hekurave më ra!

 

Dhe që aty, si mackë e vogël, erdh e qëndroi në shtratin tim:

“Ja erdha ,-tha,-njeri i marrë, njeri i keq që s’ke durim”!

 

“Oh, ç’je kështu moj zonja Hënë, kush të ka rrahur ty me shkop”?

“Si jam ,-më tha.- Nuk e sheh veten?-je katandisur copë-copë…

 

“A nuk shikon,-flet Hëna prapë,- sa shufra hekuri që ke?

Ato më ndanë e më çanë! A mos harrove se ku je”?

 

Por, sapo nisëm bisedimin, e shoh në këmbë që u ngrit!

“Ku shkon zonja Hënë?- i thashë,- Të lutem prit, dhe pakëz prit!

 

Kam kaq fjalë për të thënë! Ah zonja Hënë rri dhe pak!”

Kam frikë,- tha,-se më kap roja: tetari po na vren që lart!

 

Dhe iku Hëna, më la vetëm, më la në tmerr, më la në terr…

Dhe ja tani ofron mëngjesi, po mua gjumi nuk më merr…

 

 

 

  1. Mustafa Greblleshi, në mes të territ dhe të tmerrit ku jeton, e përshkruan edhe Hënën si pjesë të gjëndjes së tij të rrënuar shpirtërore. Hëna është e vetmja me të cilën mund të komunikojë. Vetëm Hëna mund të depërtojë tinës rojeve ndërmjet hekurave. Përshkruhet shpërfytyrimi që i ka bërë rregjimi komunist të burgosurve, që bukurinë e natyrës ta shijojë të katandisur copë-copë si veten e tij!
  2. Vehbi Skënderi në poezinë “Thuaja Hënës” e përshkruan Hënën, me nota mirëdashëse ndaj ndjenjave njerëzore, që mund t’i shprehen veç hënës ëngjëllore. I internuar në Vaun e Dejës nuk i është shuar shpresa për jetën dhe e kundron Hënën si lajmëtaren e parë të lirisë!

 

Thuaja Hënës

Vehbi Skënderi

Kur ke diçka,-për të më thënë,-diçka që s’e mban

dot për vete,

që nuk ja thua kujt e s’e shkul prej zemrës,

dhe nuk të shqitet hiç kudo që vete:

Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

 

Dhe në t’u sjelltë Hëna pak e ftohtë,

kudo të jem në çast vjen e m’a thotë: trokit në Hënë!

 

Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,

mos u besosh as engjëjve, as djajve,

as gurëve e sendeve më reale:

 

Mos u beso as hijeve, as ëndrrës,

e ta ndiesh zbrazëtirën gjer te dhembja:

prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës!

Sado e largët të të shtiret, sado e kotë,

ka zemër delikate Hëna! Vjen në sekondë më thotë:

 

Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!

Brengosje e plagosje. Makth ! Brengë poshtëruese,

e je shteruar krejt duke besuar.

Diçka që s’ia beson as shoqes sate, as nënës:

Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

 

Ajo, dhe yll të jem në Univers-mbirë prej nebulozës a prej

ëndrrës.

Vjen m’i  kumton në vesh të gjitha! Vjen m’i  kumton në vesh.

Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!