Edi Rama dhe Ardi Veliu nuk do të mbretërojnë mbi gjakun e Vegjëlisë!

298
Sigal

Revolta e të rinjve në të gjithë Shqipërinë, shprehje e zemërimit të madh mbarëpopullor. Me parrullat “Poshtë Diktatura” dhe “Rama ik”, protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit.

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, kupola e komisariateve të policisë së Tiranës, Forcave Speciale dhe militantëve të “Rilindjes” të punësuar në polici, duhet të hetohen për vrasjen, rrahjen dhe gjakosjen e të rinjve në protestë. Ja reagimet e ekspertëve, intelektualëve dhe politikës

 

Fatos Lubonja: Jemi në fashizëm 

Protestën e pashë si një ngjarje me rëndësi në kuptimin jo thjesht protestë për këtë vrasje, por që shqiptarëve iu ka mbetur ende ai shpirti protestues kundër një qeverie që kërkon t’i tulasë. Ka shpresë. Lidhur me vetë protestën, parullat  e protestës kam dhe vërejtjet e mia. Nuk e kam fjalën për dhunën. Dhuna nuk më shqetësoi, ishte dhunë simbolike, rrëzuan pemë, dogjën pemë. Është fare mirë për të treguar që nuk është çështje pemësh për të na bërë zbukurime, por çështje jete. Ajo që më bëri të mendoj më thellë për protestën, ishte një parullë, ‘poshtë komunizmi’. Është açik manipulative si parullë. Nuk e shikoj këtë regjim që ushtron dhunë, jo në formën e komunizmit. Se në komunizëm nuk të linin, po të bëje protesta të tilla mbaroje. Në emër të kujt ushtrohet dhuna është çështja. Manipuluese e disa ndjenjave të disa njerëzve. Nuk është ky realiteti i dhunës. Ky nuk është komunizëm, është fashizëm ekonomik. Një pakicë oligarkësh, një pjesë që kanë qenë edhe me PD, po grabisin Shqipërinë në bashkëpunim me politikën dhe këta kontrollojnë shtetin dhe shteti shtyp çdo lloj lëvizje. Është fashizëm ekonomik që e prodhon këtë lloj dhune që përsëri nuk krahasohet me dhunën komuniste. Dhuna strukturore që ushtron ky regjim është dhuna ekonomike. Ka tiparet e një regjimi, por nuk është komunist. Është ekstremi tjetër i komunizmit, por thonë që ekstremet puqen. Rama nuk mund të japë versionin e tij të ngjarjes. Ai do mbajë qëndrimin politik ndaj ngjarjes. E ka bërë dhe këtë, ka dhënë versione të tij të ngjarjes, aeroplanët me drogë i quante mushkonja. Me shumë gjasa nga këto të dhëna, më shumë mund të mendojmë që do bëhet kokë turku Sandër Lleshaj, ka shumë gjasa. Do dënohet ky akt, do tregohet që ne nuk jemi si Saliu që vret por mund të na qëllojë që të vrasim ndonjë, por gjithsesi këtu vlen përsëri të diskutohet, që vrasjet këtu, kanë qenë pika ekstreme që janë politizuar shumë. Rama është ruajtur shumë nga vrasjet për të thënë që nuk jemi si Saliu, ne nuk vrasim. Sandri sajoi gazin lotsjellës, i mbyti me gaz. Besoj se kësaj linje do i qëndrojë. A do fajësojë policing, apo do e çojë deri tek Sandër Lleshaj një përgjegjësi politike, këtë ta shikojmë. Duke parë në tërësinë e vetë, dhuna fizike e shtetit policor mbetet potencialisht shumë e rrezikshme, sikur këta njerëz të fillojnë vërtetë të protestojnë për dhunën strukturore. As që mund të pritet që Rama të ketë ndonjë ndjenjë përgjegjësie për këtë punë. Mund të bëjë këtë operacionin e gjetjes së kokës së turkut. Mendoj që dhuna verbale që ka ushtruar Rama në mënyrë të vazhdueshme kundër çdo kujt që nuk është pjesë e pushtetit dhe partisë së tij, nuk është pa lidhje dhe me këtë guxim që ka marrë policia. Politizimi i policisë i vënë në shërbim edhe për vjedhje vote, protesta tek teatri, është pjesë e sigurisë që ka policia, që nuk preket. Rama dhe policia dhe dhuna verbale e Ramës dhe dhuna policore, nuk mund të ndahen. Është dhuna strukturore që ka ngritur, pamundësia për të bërë drejtësi, pamundësia për të shkuar në gjykatë. Boll ai manipulim që kanë bërë me gjithë paraqitjen e ngjarjes,  është kriminale dhe këtu nuk vepron prokuroria. Këtu e jep verdiktin se çfarë ka bërë polici, SHÇBA, nuk e jep prokuroria. Policia është problem në thelbin e vet se është e politizuar. Sandër Lleshaj ka rol në këtë politizim. Policia duhet depolitizuar urgjentisht. Drejtësia duhet të jetë më e pavarur. Këto të dyja duhet të bëhen për të normalizuar situatën. Rama nuk ka ndërmend ta bëjë.

 

Mal Berisha: Vrasja e të riut dhe futja e armës në shtëpinë e tij është zakon serb

Mal Berisha, ish-ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar ditën e djeshme për Klodian Rashën nga shoqëria civile. Berisha shkruan se vrasja e të riut 25-vjeçar nga ana e policisë së Ramës dhe Lleshajt dhe më pas futja e armës në shtëpinë e viktimës,  është një zakon serb, anti-Shqiptar, i përdorur nga Millosheviçi dhe Aleksandër Vuçiç. Diplomati Berisha thotë se historia u përsërit  pas 30-vjetorit të Ditës së Rinisë, ku u rrëzua diktatura komuniste, dhe shton se duhet force, pasi puna ende nuk ka përfunduar. Reagimi i Mal Berishës:  “Çdo durim ka një fund! Vrasja natën, si kjo që policia e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt i bëri Klodian Rashës dhe më pas futja e armëve në shtëpinë e të vrarit, është një zakon serb anti – shqiptar i Nikolla Pashiqit – Çebruloviçit – Rankoviçit – Milosheviçit dhe Aleksandër Vuçiçit. Sa mirë ua kanë mësuar dhe zbatuar zakonet anti – shqiptare pasardhësit e  Enverit, Vukmanoviç Tempos, Miladin Popoviçit dhe mikut të ngushtë , Aleksandër Vuçiç! Historia përsërtitet sot në 30-vjetorin e Rinisë Demokratike që rrëzoi diktaturën! Forca djema! Puna ende nuk ka përfunduar!

Ardi Veliu duhet të shkarkohet dhe ndaj tij të fillojnë hetimet për vrasjen dhe rrahjen shtazarake të të rinjëve në protest╒

Vrasja barbare e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga Policia e Shtetit, tregoi se ajo ka dalë nga misioni i saj kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe garantimit të sigurisë publike.Një pjesë e mirë e shefave të Komisariateve të Tiranës, Drejtorit të Përgjithshëm dhe atyre të Forcave Speciale, në vend të zbatimit të Ligjit për Policinë e Shtetit, po zbatojnë udhëzimet e “Statutit të Rilindjes”. Dje Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorheqje për shkak të vrasjes nga Policia e Shtetit të një të riu 25- vjeçar. Por në të vërtetë Sandër Lleshaj mund dhe duhej të kishte dhënë dorëheqje për shumë skandale të tjera të mëparshme, por jo vetëm për vrasjen e 25-vjeçarit. Për ekzekutimin e Klodian Rashës nga kaçakët e Policisë së Shtetit, duhej të jepte dorëheqjen Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Drejtuesit e Komisariateve dhe ata të Forcave Speciale. Këto dorëheqje duhet të shoqërohen me fillimin e hetimeve dhe arrestimin e përgjegjësve të vrasjes, atyre që tentuan të fshehin dhe manipulojnë këtë vrasje, si dhe të gjithë policëve të ardhur nga radhët e ‘Rilindjes’ në komisariatet e Tiranës. Pamjet filmike janë të arshivuara dhe të gjithë policët dhe forcat speciale shumë shpejt do të shkojnë në qeli për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve, rrahjen barbare të tyre, gjakosjen e vegjëlisë shqiptare. Protestat kanë shpërthyer jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e vendit dhe kjo kërkon që mbarë opinioni, prindërit e të rinjve, të afërmit dhe shqiptarët, t’u bashkohen protestave qytetare për largimin e kësaj qeverisje, që jo vetëm ushtron dhunë, helmon me gaz lotësjellës, por edhe vret me armë. Dje shoqëria civile, ka kërkuar arrestimin e menjëhershëm të drejtuesve të policisë, duke filluar nga Ardi Veliu, deri tek grupet civile të cilët goditën dhe rrahën barbarbarisht të rinjtë dhe fëmijët. Nuk dihet nëse këta civilë ishin punonjës të policisë kriminale, pasi nuk kishin mjet identifikimi. U takon organeve të hetimit të bëjnë publike identitetin e këtyre personave, pasi flitej që një pjesë e mirë e tyre ishin militantë të “Rilindjes” dhe kohë më parë, janë pikasur në mitingjet e Partisë Socialiste. Në mbështetje të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe akteve të tjera nënligjore, personi përgjegjës dhe i drejtpërdrejtë që duhet të mbajë përgjegjësi dhe të largohet, është Drejtori i Policisë së Shtetit. Nëse kryeministri Edi Rama nuk e largon Ardi Veliun dhe disa ‘miltantë partie’ të komisariateve të Tiranës, protestat popullore do të zgjerohen dhe Edi Rama do të marrë përsipër përgjegjsinë e drejtpërdrejtë për vrasjen, gjakosjen dhe masakrimin e të rinjve që u ngritën në protesta pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rashës nga Policia e Shtetit. Barbarizmi ndaj gazetarëve, arrestimi dhe rrahja e tij dje në Komisariatin e Policisë së Shtetit kërkon ndëshkim maksimal dhe të ashpër, pasi qëllimisht është goditur fjala e lirë dhe demokracia, njëlloj sikurse SHIK, rrahu Edi Ramën në vitin 1997. Në lidhje me rrahjen e Ramës, ish- kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi, deklaroi se Edi Rama është rrahur nga SHIK-u i Gazidedes dhe i Berishës, pasi kryeministri aktual, në atë kohë, guxoi të shkruante dhe të fliste kundër atij pushteti dhe vetë Berishës. Nëse kjo është e vërtetë atëherë edhe rrahja e djeshme, edhe arrestimi i gazetarit është produkt i drejtpërdrejtë i Edi Ramës. Nëse Kryeministri Rama nuk e pranon se është urdhëruesi i rrahjes së gazetarëve, atëherë të shkarkojë menjëherë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.