Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Lëreni mësuesin të punojë!

83
Sigal

Në të gjithë kohërat e në të gjithë vendet e qytetëruara profesioni i mësuesit është parë dhe shikohet ende si një profesion që i përket grupit të idealistëve. Në një fjalë të urtë japoneze thuhet: “Nëse kërkon që të shohësh një komb pas 1000 vjetëve, atëherë duhet të shohësh punën e mësuesit.” Në çdo kthesë historike, si mund ta quajmë edhe kohën që po jetojmë, mësuesi është një lloj flugeri mes jetës të të gjithëve. Një lloj frenimi të energjive intelektuale të mësuesit jo vetëm si profesion teknik, po edhe më gjërë është një nga dëmet më të mëdha të një shoqërie. MËSUESI mbetet ende i lodhuri, idealisti dhe i shumëkërkuari i të gjithëve. Kombi ynë e ka parë vonë, shumë vonë misionin e tij, që i përket një profesioni, që është i vjetër sa edhe mbarë bota. Nuk është vështirë që në analet e historisë të jetës ekonomike, shoqërore dhe sociale të kombit tonë të gjesh e të citosh portrete mësuesish, që kanë sakrifikuar aq shumë, jo vetëm atë të përditshme shpesh të varfër në të gjithë dukuritë e saj, që e përjetojnë me pasione edhe shumë profesione të tjerë, por edhe mbarë jetën. Përballë fjalës dhe punës plot vetmohim, ne mund të përmendim Petro Nini Luarasin, Babë Dudë Karbunarën, Papa Kristo Negovanin, Motrat Qiriazi pa folur edhe për rilindasit e tjerë që sakrifikuan atë që kishin më të shtrenjtë për shkollën për fëmijët për të ardhmen. Në këtë këndvështrim mund të shihet edhe sakrifica që bënte njeriu i thjeshtë për arsimimin e vetes dhe të fëmijëve të tij. Kjo u pa në luftën që u bë kundër analfabetizmit ku u konsumua shumë energji të mëdha nga të gjithë shtresat që ishin në këtë punë si mësuesit dhe prindërit. Vazhdon dhe sot. Idealizimi i mësuesit ka kohë që ka humbur. Ai ka një rol relativisht të rëndësishëm të tij në jetën e vendit. E parë nga ky këndvështrim, në të gjithë kohërat njeriu dhe administrata e secilit shtet që krijohet, pavarësisht ngjyrës politike të gjithë e kanë pranuar në heshtje, por edhe me zë të lartë misionin e mësuesit në ardhmërinë e jetës së vendit tonë, duke përfshirë këtu edhe fisnikërimin e vetë kombit tonë përballë një Evrope që ka rrënjë më të hershme, më të forta më gjithëpërfshirëse të diturisë, të shkollave që ajo ka hapur dhe të vjetërsisë së mësuesit si profesion, si mision edhe si misionar. Le të bëjmë një çast atë pyetje të thjeshtë: ”Si ka evoluar raporti i profesionit të Mësuesit në të gjithë piramidën sociale të shoqërisë shqiptare, të paktën në gjysmën e dyë të shekullit të kaluar kur në Shqipëri ka qenë shteti komunist dhe si është sot në ditët tona kur administrimi i vendit që i besohet politikës së pluralizmit shumëpartiak dhe ekonomisë së tregut?” Në periudhën e parë vendi i mësuesit ishte pak më i dallueshëm nga të tjerët. Vetë shteti ishte i detyruar që ta rriste sa më shumë autoritetin e mësuesit, sepse nëpërmjet dyerve të shkollës ai realizonte edhe më mirë objektivin e tij të sundimit, jo vetëm të arsimimit të brezave të rinj, por edhe të mbjelljes së një politizimi të tejskajshëm që kishte shoqëria e kohës. Përballë një parrulle të madhe të stërmadhe që vihej kudo “Politika në plan të parë” nuk mund të ishte larg këtij politizimi edhe mësuesi, për të mos thënë se ai ishte në radhën e parë të “Komisarëve të Dritës“ si thuhej për mësuesin.

Mungesa e dritareve të tjera të informacionit, që kishte shoqëria në kushet e një izolimi politik, ekonomik, kulturor që kishte vendi ynë me botën (e cila, për hir të së vërtetës, kishte edhe disa norma që nuk përputheshin me idenditetin tonë kombëtar) bënte që mësuesi dhe shkolla ku ai shkonte çdo ditë, të bëhej në një nga vatrat më të rëndësishme të mësimit, por edhe të edukimit të shoqërisë. Nuk mund të flasim për trajtimin ekonomik të tij, që nuk dallohej dhe aq shumë nga profesionet e tjera të administratës shtetërore. Ishte një shoqëri populiste, një shoqëri e centralizuar në secilën qelizë të saj, edhe pse MËSUESI nuk kishte zyrtarisht një STATUS konkret të tij. Kjo propogandë që bëhej e vinte mësuesin në një vend më të denjë në shoqëri, edhe pse brenda tij kishte dhe shumë falsitet. Kishte një lloj argatllëku për një shtet që e paguante dhe e përpunonte edhe idelogjikisht për fjalën që do të thoshte. Kjo strategji qeverisjeje, nëse do ta quanim kështu, mund të kuptohet më mirë nëse do të shikonim konkretisht edhe reagimin e kundërt që mund të bënte një mësues fjalëlirë, i cili në emër të shprehjes së lirisë së tij të munguar, të mund të kundërshtonte në parim atë që shkolla nuk e kishte dhe nuk duhet ta kishte. Më konkretisht atë politizim të tejskajshëm të shkollës shqipe, të atij huazimi të jashtëzakonshëm të pedagogjive të vendeve të tjera, kryesisht ato të Lindjes, mohonte tiparet e një shkolle kombëtare në të gjithë qelizat e saj që nga arsimi fillor deri te ai i larti. Le ta nisim nga një analizë të shkurtër që mund t’i bëjmë idealizmit të mësuesit, larg të cilës nuk mund të qëndrojë asnjëherë profesioni i mësuesit dhe i mjekut. Në emër të këtij idealizmi a nuk do të ishte mirë që në shkollat tona të punonin në të gjithë nivelet e saj si mësues, nxënësit më të mirë të kombit duke nisur që nga fëmijët e politikanëve, që flasin me aq pasion në tribunat parlamentare dhe jo ata që e marrin këtë profesion se nuk mund të kalojnë profesionin e juristit, të ekonomistit, të arkitektit etj? Të kthejë sytë nga arsimi duket nisur nga kjo Kontratë e shkruar apo e pashkruar që mund dhe duhet të bëjnë të gjithë faktorët socialë dhe ato të qeverisjes së re. Autoriteti i mësuesit është ulur shumë. Madje në disa raste ai po bëhet edhe objekt i humorit më vulgar të televizioneve, skenave dhe ekraneve tona. Vetë shoqëria jonë nuk e sheh më mësuesin si një Këshilltar të mirë të së ardhmes. Aq më tepër edhe të fëmijëve të tij. Vetë mësuesi e ka të vështirë që të orientohet nga udhëkryqet ku e shpie shpesh ekonomia e tregut që jo gjithmonë e motivon atë. Ai ende nuk mund të plotësojë më së miri nevojat e tij të përditshme për të shkolluar fëmijët e tij, pa folur për të shlodhur trurin në pushime të rregullta verore në një nga vilat e pushimit në Shqipëri, pa le në botë. Statusi i mësuesit ende është i venitur në tërësinë e vet. Aq më tepër dhe i pashkruar në një letër të bardhë. Ndoshta duhet menduar që institucionet arsimore duke nisur që nga ato qendrore të mendojnë që të vjelin edhe më shumë përvojën e mësuesve më të mirë bashkëkohorë në vite jo vetëm si kujtesë personale e punës së tyre, por edhe si PORTË ku duhet të futen mësuesët e rinj.

Nuk bëhet fjalë vetëm për përshëndetjet nostalgjike që ai i dëgjon përherë e më rrallë në një rrugë nga ish nxënësit e dikurshëm, kur shkon në shtëpi apo në dyqan ku ble bukën e tij të përditshme. Mungojnë takimet periodike me mësues veteranë. Mungon një trajtim i mirë financiar, për të mos thënë edhe stimulimi i mësuesve më të mirë. Ndoshta duhet parë edhe një herë koha e daljes së tyre në pension, qoftë edhe shkalla e ngarkesës së tyre. Nuk mund të kuptohet një mësues në moshën 65-vjeçare me të njëjtën normë mësimore me ata të 25 vjeçarëve që vijnë nga bankat e fakulteteve. Ky mësues që ka edhe klasë në kujdestari (shpesh edhe në masën e 45 nxënësve) ka një ritmikë që e kërkon medoemos edhe koha e ka të vështirë që pasioni i tij ta ushqejë që ai në të gjithë orët e ngarkesës së tij mësimore të jetë i tillë. Ndoshta shteti dhe organet e ndryshme të qeverisjes duhet të mendojnë edhe më shumë për këtë ngërç që ekziston në këtë vend. Është i njohur përdorimi elektoral që i është bërë mësuesit në këto vite, jo vetëm me pjesëmarrjen e tyre si mintigashë, po edhe me atë prapavijë që ka ai në institucionin më të rëndësishëm të shoqërisë që ndërtojmë e që duam të ndërtojmë. Shkolla po i kërkon mjaft energji mësusesit për shkresa dhe jo për punën e gjallë të mësuesit në klasë. Ooo, sa probleme ka në jetësimin e idealizmit të munguar të mësuesit! Ende mungojnë në këtë vend mekanizmat për vlerësimin dhe rivlerësimin e figurës së mësuesit. Edhe politizimi i dikurshëm sot është zëvendësuar në një mënyrë të ndryshme me vetë qënien e tij si subjekt politik ku atij i kërkohet shpesh që të bëhet mbështetës i një partie të caktuar që është në pushtet. Këtë gjë e kritikon me të drejtë opozita kushdo qoftë ajo, por kur ajo hyn në pushtet, bëhet viktimë e kësaj “sëmundjeje” të madhe sociale që nuk dëmton vetëm personalitetin e mësuesit, por edhe infrastrukturën shoqërore të vendit. Nëse shohim dhimbshëm se arsimit i ka humbur ndjeshëm cilësia në kuptimin më të gjërë të fjalës, padyshim duhet të nisemi nga motori që e ka emrin MËSUES.

Kam patur mundësi që të bisedoj me mësues shqiptarë që punojnë në shkollat amerikane ose edhe të shoh nga afër mësimdhënien. Si student i gjuhës angleze kam patur rastin që të shoh dhe metodologjinë e shkollës amerikane. Gjëja e parë që bëhet në shkollat e mesme apo dhe në universitete është pyetja në emër të një pavarësie që i jepet mësuesit për nxënësit e tij: “Çfarë të bëjmë ne për ju? Cilat janë kërkesat që keni, të dashur nxënës… Është një lloj shkrirje mes të drejtave dhe detyrave dhe jo të disa anketave që shpesh bëjnë drejtorët me nxënësit që t’i “vënë në pozitë pune mësuesit“ se kanë “ankesa; nga nxënësit. Përballë këtij transformimi politik, social, kulturor dhe i një mentaliteti të ri që ka shoqëria për mësuesin, mendoj se duhen gjetur edhe më shpejt mekanizmat që atë, mësuesin e lodhur e të përkushtuar ndaj detyrës së tij, sa idealist për sot e për shekujt, ta vëmë në vendin e duhur që jep ai misionar i informimit, të fisnikërimit dhe e kulturimit të kombit. Në planin emocional ia vlen të sugjerosh, të flasësh, pse jo dhe të klithësh apo të thuash me zë të plotë:\“Lëreni mësuesin të punojë! Lëreni….!”