Vjeshtëz ç’më hyre në zemër,
veshur e tëra me gjethe.
Më the:Mblidh flladet e jetës,
sa s’ka rënë ngrica netëve.
Kërko gjurmë nëpër rrëza,
ku fle rrënja e trëndelinës,
ku mbështet kryet thëllëza,
kur pi djersën e fushëtirës.
Merri ca pupla cërrit të ferrës,
nën plisin e arës së vjetër,
mblidh fllade në krahët e erës,
ku kolovitet mëllagë e egër.
Te bari në sqepin e trishtilit,
që rend nëpër pyllin Mbret,
gjej gjurmën e zogut të prillit,
që e la folenë e tij shkretë.
Sodit bletët e pyllit,në zgjua,
te zgavra e vjetër në ahishte,
petale viole ngjyej në huall,
veseliti nëpër bohçe pishe.
Aromën dehëse të Apolonisë,
që zbret nga visaret e gushës,
ku gurgullon vesa e Trinisë,
mblidhe me përparësen e fushës.
Mblidh flladin e valës në muzg,
nga jelet e kalit të egër,
mblidh guaska deti me shkumë
dhe zambakë me vesë të njelmët.
Qëkur më ke hyrë në zemër,
ti s’më lë të dremit netëve,
më thua:Mblidh flladet e jetës,
ku gjallojnë gjurmët e etërve…






















