Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Andromeda”

20
Sigal

Do doja të depërtoja në hapësirë,
atje ku koha ritmin s’njeh…
Të pushtoja yjet me dëshirë…
Shkëlqimi gjithë ëndrrat i mpreh!

Vijën qiellore përgjatë do ndiqja,
pas hapave ndriçuese, në diskun qiellor…
Të keqen tej rrezeve të diellit do hidhja,
të digjej hi, mbi fanarin qumështor!

Dritën verbuese, pa pushim ta përshkoja,
me gravitetin e saj të shtroja botën…
Ngjyrë ari sipër qënieve do pikoja,
pak grimca drejtësie të mbulonin tokën…

Kështu do vazhdonte udhëtimi i artë,
drejt së panjohurës ku lindi vetë jeta…
Pas çdo udhëkryqi të dukej qartë;
i vetmi destinacion: Andromeda!

“Rastësisht”

Rastësisht ajri ka oksigjen;
si edhe ne marrim frymë…
Rastësisht molekulat u bashkuan;
si çdo qënie mbartur fytyrë.

Rastësisht qelqi u thye;
si çdo grimcë që shpërndahet.
Rastësisht loti rrjedh;
si një lumë që nuk ndalet!

Rastësisht përplasen retë;
po ashtu fillon dhe shiu.
Rastësisht mbesim të shkretë;
zhdukemi, humbim vetvetiu…