Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo : Qiell me re do bëhem nëse s’më merr grua…

QIELL ME RE DO BËHEM NËSE S’MË MERR GRUA…

 

Sigal

Qiell me re do bëhem nëse s’më merr grua,

me kërcëllimën e lotit do thyej retinat e tua,

përmbi iris do kacavirrem hënë e kuqëluar,

pemë hëne do të mbij aty, për të të turbulluar.

Dhe limfën e zjarrtë do rrjedh çurg nëpër vena,

të ngjallet shpirti yt ,murosur nën bedena,

kur të rilindësh mes limfës së zjarrtë nga dehja,

Ç’bëra,do thuash,që të dëbova nga foleja!

E në çast do vesh parzmore me flokë stuhie,

shkallët e qiellit do zbres me hap vetëtime,

urën e shembur do ngre me palcë jetësore,

me guximin dhe dashurinë e gruas tokësore.

Qiell me diell do bëhem nëse më merr grua,

me prushin femëror do ndez ndjenjat e tua,

në llavën e pasionit të zhytemi drejt dehjes,

pa pyetur për dallgët e padukshme të vdekjes.