Romani “Brirët”, i autorit Marash Mirashi, sjell diçka krejt të veçantë te lexuesi. Me një hyrje intriguese ai të përfshin në një realitet të çuditshëm, surreal dhe befasues.
Në një republikë baritore ka ndodhur një fatkeqësi e pashoqe. Diçka misterioze ka bërë që bagëtive në të gjithë vendin t’u bien brirët. Të tronditur, duke mos ditur të japin asnjë lloj shpjegimi, njerëzit kthejnë sytë nga qielli. Gjëma është e madhe për republikën, e cila veç të tjerash, brirët i ka simbol kombëtar.
E gjendur përballë kësaj situate, Republika e Babzilandit bën gjithçka për ribrirëzimin e vendit. Ajo lidh një kontratë me një “republikë-fermë” mike që ka për president zotin Horatio. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, mbërrin në Babziland çifti i famshëm lopë-dem (Margitë-Xhon), i cili besohet se do t’i paraprijë rikthimit të brirëve. Por gjërat nuk marrin për mbarë. Nis një rrokullimë ngjarjesh dhe peripecish që do të gremisin thellë jo vetëm individë të veçantë, por dhe vetë Republikën e Babzilandit.
Margita dhe Xhoni (lopa dhe demi) falë propagandës së medieve, zëdhënëse të bindura të Kryebariut, shndërrohen në kryefjalën e ditës duke lënë në hije çdo shqetësim a telash tjetër të popullit të republikës baritore. Qëllimi i vërtetë i ardhjes së çiftit në Babziland manipulohet. Këshilli i Lartë i Barinjve përpiqet t’u veshë atyre cilësi humane, duke i përdorur si fasadë propagandistike, si një arritje tjetër madhore e regjimit baritor, i cili e ka sunduar republikën për rreth 30 vjet me radhë.
Ky regjim, që ka si synim kryesor arritjen e përsosmërisë së uniformitetit të turmës, mundohet vazhdimisht të fshehë të vërtetën e këtij teatri absurd, por gjërat dalin jashtë kontrollit duke sjellë një dinamikë interesante të ngjarjeve.
Kështu, korrupsioni dhe etja për fitime do të shfaqë para lexuesit personazhe të cilët mungesa e çdo skrupulli i çon drejt degradimit moral, madje edhe drejt transformimit fizik, ashtu siç ka njerëz që përpiqen të mbeten dinjitozë në një vend ku kjo fjalë humb përditë e më shumë kuptimin e saj.
Ndërthuren në këtë histori fate njerëzore përmes personazheve kryesore a dytësore, secili përfaqësues tipik i llojit të vet.
Cili do të jetë fati i Margitës dhe Xhonit, fati i Kryebariut, doktor Demetros, Riç Varfit, Piterit, Atë Faustit, Samantës, reporterit Tim David, gazetares Kristinë Pamshira, ambasadorit Albert Luigji, fotografit të republikës, treshes atipike të Kilmondit, barinjve e bareshave, fati i republikës baritore?
Këto mund të mësohen gjatë leximit të këtij romani i cili të çon nga njëra befasi në tjetrën duke mos qenë aspak i parashikueshëm, si rrjedhojë mban zgjuar kureshtjen deri në fund.
Gjetjet artistike, situatat ku vendosen personazhet, tipizimi mjaft i arrirë i secilit, humori dhe ironia që shkon deri në sarkazëm të shoqërojnë pa ndërprerë nga faqja e parë deri tek e fundit. Në mënyrë lakonike, ndihmuar edhe nga një stil i rafinuar gazetaresk, autori bën kalimin nga njëra situatë te tjetra duke përfshirë krejt natyrshëm edhe lexuesin brenda tyre. Si para një kamereje lëvizëse skenat kalojnë sa në kishën e Kilmondoit e sa në dhomën e Piterit, sa në Reçburg e sa në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Barinjve., sa në Tirrvul e sa në Kantonin e Arave të Begata.
Lexuesi do të gjejë aty të ndërthurur me zgjuarsi copëza të përditshmërisë të secilit prej nesh, personazhe që kanë vepruar dhe ndikuar në këto vite të gjata të letargjisë sonë kolektive, jo si dëshmi autentike të realitetit, por si art i të shkruarit, duke na rikujtuar kështu se një shoqëri që fle dhe lejon të manipulohet, nuk meriton fund më të mirë!