Suplementi Pena Shqiptare/ Mendime mbi librin: Rrëfehem me dashuri, nga Ervina Toptani

144
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Është një libër i shkruar nga Ervina Toptani, botim i shtypshkronjës “Jozef “ paraqitur në panairin e librit nëntor 2022. Libri përfshin 13 tregime ku siç shprehet autorja në parathënien e saj“… Libri që keni në duar është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Ndodhi, çaste, situata, njohje, dështime, përplasje, dhimbje, e mbi të gjitha dashuri që më kanë shënjuar jetën e njeriun që jam …”! Nga fjalët e mësipërme, por edhe nga ajo që lexon më tej në libër, duket qartë se kemi të bëjmë me jetën e një gruaje, që lufton, përpiqet, rrëzohet, ngrihet e ringrihet, të zerë vendin e saj të denjë në shoqëri, si nënë, grua, prind, bijë, shoqe: e mbi të gjitha një grua që dhuron dashuri pa kërkuar gjë në këmbim. Libri është shkruar në vetën e parë dhe shpesh na jepet si rrëfim, si bashkëbisedim miqësor: “… Jam rrëfyer me dashuri ashtu si do të bëja një pasdite të gjatë vjeshte a pranvere nëse do të isha përballë teje me një kafe a çaj të ngrohtë përpara, duke biseduar për jetën, njeriun, lumturinë….”Kështu ndodh me të gjitha tregimet. Me gjuhën shqipe të pastër, shumë të kuptueshme, ku rrallë mund të haset ndonjë fjalë e huaj ( hyn në vlerat e librit kjo) pa shumë figura letrare e përshkrime të hollësishme, libri të tërheq faqe pas faqeje. Ervina zë e tregon pa u lodhur, shtruar, në mënyrë të besueshme, jetën e gruas, duke dhënë mesazhe të fuqishme dashurie dhe sakrifice. Nuk janë nga ato historitë e dashurive të stisura, që kthehen në drama, plot të papritura, që tërheqin lexuesin e rëndomtë si në romanet e Daniel Still, apo serialët e stërzgjatur turk, ku jeta reale vjen më tepër si fantazi e autorit apo skenaristit, duke i vendosur ngjarjet e personazhet tej asaj që ndeshet e jetohet në të vërtetë. Tregimet burojnë vërtetësi, pasqyrojnë përpjekjet e përditshme për të mbijetuar në një sistem diktatorial, për t‘u shkolluar në kushte jo të zakonshme, jetën plot përpjekje në një demokraci gjysmake, konkurimin për një vend pune jashtë shtetit, ku gara është e vërtet, tepër e vështirë. dhe ti duhet ta fitosh që të vazhdosh më tutje. Gjen në tregime luftën e përditshme ndonjëherë mbinjerëzore për t’i ardhur në ndihmë një fëmije në nevojë, nënës së dashur, duke lënë çdo punë tjetër, kujtdo që ka nevojë për ndihmë qoftë dhe me një fjalë të mirë. Nuk mund të veçosh ndonjë tregim ku të mos mbizotërojë ndjenja e dashurisë për njeriun dhe sakrificës për të arritur qëllimin. Thelbi i asaj që autorja e shpalos plot mirësi e sinqeritet është se me dashuri, mirësjellje, këmbëngulje, respekt, e virtute të larta njerëzore arrihet gjithçka, Madje edhe sëmundja fizike e njeriut shërohet, duke zëvendësuar jo rrallë kurat e mjekut qoftë dhe atij më të aftë me përkushtimin dhe dashurinë njerëzore. Tregimi “Dashuria që mposhti vdekjen,” është nga ato që të le pa frymë. Një sëmundje e papritur shumë e rëndë e nënës e vë autoren në pozita të pabarabarta, Nga njëra ana sëmundja që shfaqej si fatale dhe ana tjetër bija që lufton kundër të pamundurës për ta mposhtur vdekjen. “Mam mos më ler,  të lutem…” ishte e vetmja frazë që munda të pëshpërisja e ta përsërisja për mos t’iu dorëzuar frikës… Fillon odiseja e gjatë me transportin e ambulancës që vonon, diskutimi me mjekun për të qëndruar non stop pranë nënës, duke thyer rregullat e spitalit, nata e parë dhe të tjera ku nëna nuk jepte shenja jete, kujdesja për të duke e larë e ndërruar, në kapërximin e vështirësive në kushtet e një spitali që i mungon, mjetet elementare, ditë e javë të tëra kaluar mbi kryet e nënës. Por ajo që e bën të veçantë këtë rrëfim është se gjatë gjithë kohës që nëna ishte në koma, vajza bisedonte me të, i lexonte libra, jepte informacion mbi jetën që vazhdonte, duke mos besuar kurrë te e keqja dhe fitorja vjen.  Dashuria si një kocept i gjerë prek dhe përfshin gjithë sferat e jetës pa përjashtim. Këtë tezë të saj autorja e shpalos qysh në tregimin e parë me titull: Një pasdite e përflakur ngrohtësie. Bëhet fjalë për një studente që do të japë ndihmesën e saj vullnetarisht në një qendër rehabilitimi për fëmijët e vegjël. Sonja një fëmijë e vogël nuk qante dot, qysh nga një zënkë midis prindërve dhe sjelljes së pakontrolluar të nënës. Gjithë shërimi i Sonjës (që ajo të qante sërish) është një akt i madh dashurie dhe përkushtimi i studentes vullnetare ndaj vajzës së vogël pesëvjeçare. Ndodhur në situata të vështira dhe sjellje të pazakonta të fëmijës autorja shprehet: “U binda se durimi dhe karakteri i fortë nuk vijnë me moshën, ato lindin me njeriun.” Në fund vjen fitorja e njeriut mbi dhimbjen e fatkeqësinë. Sonja arrin të qajë dhe i shprehet shërueses së saj: “Doja të bëja një dhuratë që të mos e harroje kurrë: Po t’i dhuroj lotët e mi,,, Ti je mam për mua, unë të dua shumë, shumë”. Në fund të këtij tregimi të mrekullueshëm me nja dhjetë rreshta autorja bën një përmbledhje që duket si një moralizim. Mendoj që kjo nuk është e nevojshme dhe e ngarkon tregimin. Aty çdo gjë është në vendin e duhur dhe trajtuar me kujdes, dhe një shtesë e tillë është e panevojshme, sepse lexuesi tashmë e ka marrë mesazhin……..  “Demokracia në fytyrën e armikut” tregon se kur në një familje ekziston dashuria dhe mirëkuptimi rriten njerëz të forte, që ia dalin të mbijetojnë dhe në kushte çnjerëzore. Është një tregim ku i thurret himn dashurisë dhe mirësisë së gjyshes, por jo asaj klasikes që tregon përralla dhe mban ftonjë e mollë në sirtar apo thurr triko me shtiza. Ervina, shkruan në këtë tregim për njerëzit e saj, të persekutuar, vrarë e burgosur nga diktatura dhe qëndresën e tyre ndaj ndaj të keqes. Gjyshja e saj është një heroinë, që me vendosjen e diktaturës i merret gjithë pasuria e familjes, kalon shumë vuajtje por duke mos humbur fisnikërinë, qëndresën, dinjitetin, dashurinë për njerëzit, duke i transmetuar këto virtute te nipat e mbesat e saj. Ka disa kujtime me sigurimin e shtetit shumë të dhimbshme, për skëterrën ku kaluan familjet fisnike gjatë diktaturës. Gjithsesi shrimtarja e ka një peng që e ndjek gjatë gjithë jetës së saj për gjendjen në të cilën gjendet sot shoqëria shqiptare dhe del në përfundimin tragjik: Të etur për liri e demokraci çelësat e ëndërrave tona pa u kuptuar ua dhamë të njëjtëve xhelat., Shpresat e mijëra të pafajshmëve u përdorën si alibi për t’i çuar në satër e për të qenë ata vetë edhe një herë zotër të ëndërrave të një populli që e lejonte veten të shtypej…” Në tregimin Mirësia ka të njëjtin sy, të njëjtën buzëqeshje, ajo shpalos një pjesë të jetës për të zenë një vend të merituar në botën jashtë ku jeton, ku asgjë dhe asnjë nuk fal ose jep diçka të pamerituar. Jo vetëm ajo por edhe i biri dhjetë vjeç duhet të kalojë një provë të jashtëzakonshme për të hyrë në shkollën austriake me rregullat dhe kërkesat për nxënësit e zgjedhur. Vullneti, këmbëngulja, puna e palodhur, mirësia e dashuria ( sepse kudo në botë ka njerëz me zemër të madhe) do të bëjë që edhe djali dhjetëvjçar të mund të rregjistrohet në një nga shkollat më të mira të Austrisë. Nga tregimet më interesante që del nga kuadri i dymbëdhjetë (veç trajtimit me dashuri ) të tjerëve është ai me titullin “Zonja misterioze.” Si një lexues i vëmendshëm do të jap mendimet e mia duke guxuar mbi një temë nga më të diskutuarat në botë në në gjitha kohërat: tema e Dashurisë midis një burri e një gruaje. Flitet për një çift, që ka dhe një fëmijë, ku mbizotëron mirëkuptimi, respekti, dashuria e ndërsjelltë dhe kimia që plotëson gjithçka, në një çift i përsosur. Në këtë mardhënie gruas një ditë i shkon në mendje të eksperimentojë ose të matë dashurinë e besnikërinë e burrit të vet. Në rolin e një gruaje tjetër ajo i shkruan muaj me rradhë e-maile dashurie të shoqit, duke e habitur jo vetëm me këmbënguljen, por edhe me hollësitë, dëshirat, zakonet, me të metat e dhuntitë që ai kishte dhe që vetëm njerëz shumë të afërt mund t’i vinin re apo t’i dinin. Eksperimente të tilla mendoj (ndjesë që po guxoj ta them) se e shkatërrojnë një dashuri të vërtetë, ngjallin dyshimin dhe vështirë të kalojnë marrëdhënien në parametrat e mëparshëm dhe sidomos ta forcojnë atë. Thuhet se rutina e vret një dashuri dhe për këtë të dashuruarit duhet ta mbajnë atë gjallë, duke e ushqyer vazhdimisht, duke mos e lënë të venitet e të humbase magjinë e kiminë, që lidh dy të dashuruar në këtë rast prindër. Sapo një prind model, burrë i suksesshëm dhe i dashuruar hyn në një lojë të tillë, ku një grua tjetër ka rënë marrëzisht në dashuri më të dhe i dërgon mesazhe të pafundme, tregon se ai është i thyeshëm dhe diçka i mungon në lumturinë që ka. Këtu hyn kurreshtja e burrit, pasiguria e përkohshme, ajo gruaja tjetër e dashuruar me të, si është, ku i di kaq shumë hollësi, që ndoshta vetëm gruaja e vet mund t’i di, a është e bukur, a e dashuron vërtet kaq shumë, pse, si, kur, ku….Mendoj se një burrë i dashuruar me gruan e vet mund të flirtojë në një çast të caktuar me një femër misterioze, por vetëm kaq. Zgjatja e kësaj loje vetëm se e fik dashurinë dhe rrit mosbesimin. Fundi i tregimit duket jo fort  i besueshëm, Kjo grua që e çmendi këtë burrë për muaj me rradhë me letra të panumërta dashurie, në çastin e takimit (sepse burri e pranon një takim me të) del se ishte vet gruaja e tij. Lojëra të tilla edhe në një marrëdhënie të shëndoshë te një burrë nuk mendoj se kalojnë aq lehtë. Gjithsesi gjithçka është e mundur dhe trillet e një gruaje të dashuruar janë të pafundme. Kjo temë është trajtuar dhe në filmat e Hollivudit e sado bukur realizuar në fund të lenë shijen e një kumbulle të papjekur dhe pyetjen dyshuese, gati vrastare: Përse duhet të bësh një lojë të tillë, kur s’të kanë dhënë asnjë shkak, kur kjo lojë mund të vrasë dashurinë? Për të thyer rutinën? Për të treguar se vetëm ajo mund të bëjë lojëra të tilla dhe askush tjetër, se vetëm ajo mund të jetë edhe në përfytyrimin më të guximshëm të tij? E pas kësaj t’i vemë vulën dashurisë së përjetshme? Jam i pasigurt në një përgjigje përfundimtare dhe mendoj që çdo arsyetim është relativ. Sigurisht që në dashuri rregullat i vendos zemra, jo matematika, fizika madje as kimia. Çdo dashuri nuk ngjan me tjetrën, por lojërat e gjata e joshjet plot mister, me deklarata të forta dashurie, ku vihet në dyshim besnikëria, kur nuk është e nevojshme, të asaj natyre që përmendet në rrëfenjë nuk mendoj se e forcojnë dashurinë. Gjithsesi rrëfenja e mbështjellë nga tisi i misterit të tradhëtisë, dyshimit dhe fundit të lumtur e bëjnë të kapërxehet situata e krijuar si një ëmbëlsirë gatuar plot dashuri, nga zonja e shtëpisë duke fashitur përfundimisht ankthin dhe pasigurinë në gjithë sa është shkruar. Rrëfenjat e Ervina Toptanit janë një himn për dashurinë njerëzore si e vetmja mënyrë për të shëruar plagët e për të ecur përpara. Njeriu duhet ta shprehë atë pa u lodhur, me fjalë e me vepra. Kur zemra mbetet e mbyllur, atëherë atje bën fole dyshimi dhe urrejtja, që vendosin mbretërinë e përhershme të shkatërrimit. Tashmë libri është në treg dhe ashtu si njeriu ka fatin e vet pavarësisht nga mendimet e dhëna qofshin lëvdata apo kritika.