Përherë të bukura gratë!
Por,
sa të bukura janë,
edhe kur shkojnë për zi në mort.
Të hijshme në qetësinë e tyre,
enden si në ëndërr, pa bërë zë!
Me sytë e zmadhuar pak më tepër se herët e tjera,
prej habisë së vdekjes.
Të gjitha njëlloj, mbështetur lehtë në supet e njëra-tjetrës.
Pa fjalë.
Me petka të zeza,
me lotët më të rëndë se përherë,
me përvuajtjen e tyre, që i bën aq reale sa s’ka,
të përkora në shenjtërinë e tyre,
(Si filli i perit që digjet ngadalë brenda qiriut, dhe bën dritë).
Të menduara më thellë.
Hutuar paksa prej kujtimesh, dashurie dhe malli,
plot dhembshuri delicate.
Me shamitë e lotëve mbledhur në grusht,
dhe, më afër se kurdo
me tokën dhe qiellin.
Fërgëllojnë trupat e tyre delikatë prej ngashërimit;
dënesa e vajit nën zë,
lulëzon hije të bukura.
Fytyrat e tyre me pak gjumë, gjithë nur!
Bukuria e grave shtrihet si një brymë e bardhë,
që zbut sadopak zinë përreth.
Të bukura,
(si përherë gratë),
Edhe këtë herë.




















