Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: Gruaja fatale

34

(Ese rreth vëllimit poetik “Gruaja me këpucët e kuqe” i autores Lulëzime Malaj)

Sigal

Qytetin e saj imagjinar, të ndërtuar me lirika, na ka sjellë këtë radhë Lulëzime Malaj nëpërmjet librit interesant “Gruaja me këpucë të kuqe”. Një urbanistikë e veçantë fantazish, rrugë të pafund ndjenjash, godina mbushur me ngjarje dhe subjekte poetike, fasada që llamburisin nga figurat e bukura letrare, ka ndërtuar kjo poete. Sa herë që hap një fletë poezie duket sikur shtyn porta vendesh plot ngjarje dhe personazhe. Dikund letrat e verdha të padërguara prej vitesh rrijnë të heshtura në raftet e postës, pak më tutje një pallto brenda së cilës mungon i zoti i saj, atje tej një kitarist i vetmuar, që këndon poshtë ballkonit të Anës, pak më tutje një baba, që kthehet i dehur në shtëpi dhe nëna bërë sa një dorë, tek një kthesë xhaketa e njeriut i vishet një manekini, mbi kokë të qytetit hëna e sëmurë nga vetmia, në ballkonin e shtëpisë së vjetër u kthyen përsëri dallëndyshet, dikush që kupton se në regjistrat e zogjve ka veç vaje, atje larg në stacionin e vetmuar mbërrijnë parreshtur urbanet, por me asnjërin nuk mbërrin ti. Atje tek mëhallat e vjetra plot thashetheme, gratë me shtiza, një sarahosh, që tund rrugëve shishen e pijes si të qe një marinar i vjetër, tek një shtëpi digjet shamia e beqarit, një letër e dashur për vëllain ,që sillet mbi qiellin e memorjes së poetes, nëna që thur një xhaketë me kuadrate, një këmbë e drunjtë që kërcet mbi çatitë, pranvera që mbush një këpucë plot lule, dhe dikund në një sallë shfaqjesh ku asnjëherë nuk erdhi ai që kishte biletën në karrikën 20. Dhe kudo ndjehen tek kërcasin e vezullojnë këpucët e kuqe me taka të gruas fatale, mbi të cilën ra dora e ashpër e paragjykimeve dhe dhunës. Poezitë e Autores Lulëzime Malaj janë tepër delikate, fine, të hajthme, gati transparente, të bardha si fajancat, fragile, lirika ku dallohet pak dramë në periferi të tyre, ku në tërë atë botë të madhe ndjenjash diçka dhemb, në gjithë ato bukurina ka një lëngatë të lehtë të autores dhe përsonazhit poetik, ka ca trishtim dhe dhimbje, pak vuajtje dhe pritje dhe ikje të pafund. Ky libër i veçantë nuk ka lirika monokrone, me energji të njëtrajtshme, nuk ka peisazhe të romanticizmit bukolik, por ka vargje me energji, mbushur imazhe dhe përfytyrime, shkruar prej frymëzimesh dhe fantazish, me figura letrare me masë, aq sa duhet për të mos e sheqerosur poezinë në tejngopje. Poetja është e vetdijshme për misionin e saj poetik, ka një maturi racionale, shkruan saktë dhe me kujdes, duke i artikuluar qartë mendimet e saj, dhe vënë në këto poezi mjete të zhdërvjellta komunikimi me lexuesin. Lulëzime Malaj ka një intuitë leksikore të mprehtë në përdorimin e një fjalori funksional që u shkon përshtat lirikave. Ajo ka marrë në gardarobën e raftit të artit të fjalës, pikërisht bash ato fjalë që ia zbukurojnë lirikat e saj, u japin atyre energji, imazhe, akustikë, muzikalitet, rima dhe ritme. Tërë kjo na sjellë në lexim lirikat e një poeteje që e njeh mirë estetikën, raportet dhe harmoninë e saj, figurshmërinë dhe zhdërvjelltësinë apo finesën e krijimit. Ndryshe nga mjaft poetë që bien në grackën e idesë se rreshtimi i vargjeve të ngopur me figura është i mjaftueshëm për ta bërë poezi të bukur, poezitë e Lulëzime Malajt veç figurave kanë subjekt, secili bazohet në një fabul apo ngjarje të vogël, që e bën poezinë konkrete, të përfytyrueshme, filmike dhe me një narrativë me kuptim. Subjektet poetike janë vërtetë interesantë, mbahen mend. Ata janë shkruar me zhdërvjelltësi dhe finesë, me art dhe klas. Lulëzime Malaj ka aftësinë intuitive për të thirrur në arsenalin e saj poetik, dy regjistra leksikor atë të gegërishtes dhe gjuhën e kulturës dhe akademizmit. Ajo kalon përtej gardhit gjuhësor të saj, dhe për t’i dhënë përmasë e dimension mendimit poetik, tërheç në poezi gegnizma të till si Prajshme, Prore, Potere, apo dhe dije të saj kulturologjike si Etruske, Van Gog , Kafka, Davinçiane, Kanavacë, Ritushim, apo dhe kalke të figurshme Shporta e harresës, Vjeshtën cullake, Natë e ujshme, Gravurë, Krizantemë, Shëndrruar në arie, Akuarel pranveror etj. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndesim poeten Lulëzime Malaj për këtë libër interesant dhe të veçantë që na ka sjellë!