Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Sheshi: S’ka ç’më bën mua stuhia

94
Sigal

S’ka ç’më bën mua stuhia,

detit mbushur plot tallaz,

shije të ëmbël paska liria,

qesh me lot e qaj me gaz…

 

Krahë-hapur përmbi valë,

gjoksin vënë ball shërgate,

her me vrrik, her ngadalë,

mes rrebeshi fill pas nate…

 

Malli pritjesh kryet ngritur

prej marazesh nis gulçon,

syve heshtja krejt papritur,

dëshpërimit s’di ku shkon…

S’ka ç’më bën mua stuhia,

as tufani dallgësh tërbuar,

shije të ëmbël paska liria,

si zgalem furtunë-lëshuar…


SA HERË JAM ME TY

Sa herë jam me ty,

kujtimet ngurosen,

ikja më loton në sy,

pritjet më kanosen…

 

Heshtja zë-mekur,

qepet nën qerpikë,

truallit të paprekur,

malli më s’ka frikë…

 

Pengjet në delirë,

fiken dal-ngadalë,

koha e pamëshirë,

lidhet porsi ngjalë…

 

Sa herë jam me ty,

gjendem i vetmuar,

ikja më loton në sy,

lotët…bulë-lëshuar…

 

SHTIGJE TË MUNGUARA

Shtigje të munguara,

heshtje që s’mbaron,

vargje të pashkruara,

muzë që zë s’lëshon…

 

Brengat mërgimtare,

dhimbjesh koklavitur,

pengjet s’ndihen fare,

makthesh kryengritur…

 

Botët gjysmë-boshe,

sillen bosht-përtese,

valët gjuhë-gjatoshe,

shteren cak-harrese…

 

Shtigje të munguara,

muzgjesh pa rrëfyer,

vargje të pashkruara,

strofash shëmbëllyer…