Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ti gjithnjë më falje

128
Sigal

 

Ti gjithnjë më prisje nëna ime,
përgjoje trokitjet e orës së vonë
mbaje vesh erën, shiun dhe hapat e mia.
Mërmërisje këngë të vjetra
dhe ndiqje hënën, që shkonte në pritjen e gjatë:
mesnatën, që vinte dhe të ulte qepallat
me një dorë shenjti.
Ti dremisje kushedi në ç’ëndërr,
buzëqeshje në gjumë, si fëmijë.
Muret e tua ishin plot mirazhe
e të nesërmen të thoja se do vij më herët.
E përsëri ikja me kuajt e mi,
harrohesha në bujtinat e largëta
rrugëve të bohemisë,
në kopshte dashurie e përgjërimesh.
E ti prisje, prisje nën tymin e duhanit
ku mjegullat e kohës të rëndonin aq shumë!
Im bir është si lumi, thoje ti,
lumenjtë shkojnë dhe nuk dinë të kthehen.
Im bir është si deti që pret diellin të shuhet në të,
është erë që do të përqafojë skajet e botës.
Dhe bryma binte…
Ti shkoje nëpër brymë në kërkimin tim,
shkelje në udhë të panjohura,
kishe frikë nga nata e gjatë
e zeza ku shuheshin yjet e gjithësisë.
Pastaj lozje e qeshje me fëmijërinë time,
me pjellën e ngjizur nga dashuria e gjaku.
Por të nesërmen ti më falje përsëri,
më puthje në gushë si të merrje frymë,
më merrje erë dhe përqafoje lumturinë,
e unë lozja me ty.
krehja flokët e t’u të thinjur, që shndrisnin si argjendi,
të bëja të bukur dashuri e dhimbur.
Ati im nuk ishte më.
Merrja gishtërinjtë e t’u t’i puthja
dhe ti qeshje, qeshje…
Ati yt nuk m’i ka puthur kështu, thoje ti
dhe zemra tënde hapej,
gjaku të vërshonte si në ditët e rinisë,
një det hapej brenda teje,
puthja plagët brenda teje.
një fushë e pamatë lulëkuqesh,
por shpejt unë ikja përsëri.
Përsëri mirazhe në muret e tua
shihje veten lehonë në ditë janari
tek nxitoje të festoje, ti nëna ime!
Dhe për natën e vonët përsëri më falje,
gjersa hëna ra dhe humbi në sytë e tu.
Tani ti s’je më e bukura ime!
Tani gjithë psalmet e botës i këndoj për ty:
për mallin e madh që kockat ti djeg,
qumështin e bardhë që kam ende në buzë.