Sigal

Data 20 dhjetor 1966 është ditëvdekja e vlonjatit të madh ,Ali Asllani, poetit që i këndoi Vlorës me himnin e famshëm: “Vlora, Vlora”. Kryesekretar i Ismail Bej Vlorës në Qeverinë e Vlorës, Kryetar i bashkisë së Vlorës në çlirimin e parë të saj, më 1920 dhe pushtimin e dytë, më 1939. I harruar si të gjithë atdhetarët e kontribuesit e Vlorës! Minimalisht do duhej të kishte një bust para godinës së bashkisë së parë ku shërbeu si kryetar i saj.

Vlora, Vlora!

Jam vlonjat e jam vlonjat,

e kam shkabën mëm’ e atë,

shkaba trime dykrenore

fron’ e saj e ka në Vlorë!

 

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

 

Vlora trime shqipëtare

si rob jetën s’e do fare,

a do mbetet Shqipëri,

a do bëhet tym e hi!

 

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

 

Jam vlonjat e jam burrë,

s’duron burri zgjedhë kurrë,

jam vlonjat e si vlonjat

di bëj luftë me të shtat’!

 

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

 

Jam vlonjat dhe trim me besë,

rreth flamurit di të vdesë,

a me hir a me pahirë

doemos do rroj i lirë!