Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Pullat dhe letrat nga bota

617
Sigal

Postieri i lagjes shfaqej zakonisht nga ora 11.00-12.00 e paradites. Shpesh unë luaja me top në oborrin e pallatit, aty rreth një peme manjole që mbushte me një aromë të mrekullueshme gjithë atmosferën përreth. Atëherë isha një arrakat i madh dhe jo rrallë ngjitesha në pemën e lartë të këpusja dy-tre nga gonxhet e mëdha të manjolës, të cilat pastaj i vija në një vazo me ujë, duke ndjekur çdo ditë hapjen e tyre të magjishme. Banoja në pallatin nr.64 të bulevardit “Stalin”, pasi ato vite jetoja me gjyshen. Emri Stalin atëherë nuk më shqetësonte pasi nuk e dija se ç’përfaqësonte, megjithëse më dukej se ky i huaj duhej të ishte një njeri i madh. Madje netëve në verë, bashkë me shokët, shkonim gjer tek sheshi kryesor i Tiranës, ngjitur me xhaminë e Ethem Beut dhe loznim në dy shkallare mermeri të kuq anash shtatores hijerëndë duke rrëshqitur mbi to. Jetoja në një pallat ku banonin njerëz të njohur si Petro Marko, Vangjush Gambeta, Pipi Mitrojorgji, Niko Nikolla, nëna e Pal Mëlyshit apo fqinja jonë shkrimtarja Eglantina Mandia. Një ditë mbaj mend që gjyshja ime ndodhej në oborr kur postieri e pa nga larg, nxori një zarf nga çanta që i varej gjer në brez dhe duke iu afruar i tha : «Zonjë, një letër për zotin Rama!»… Kjo ishte bërë e zakonshme, pasi pothuaj çdo javë më vinte një letër. Dhe ato ishin letra të çuditshme për një fëmijë si unë, se vinin nga të katër anët e botës. Ishte një postier i moshuar, i gjatë, me një çantë që i varej supeve, me kasketë dhe me ca syze miope të trasha saqë unë habitesha se si arrinte të shikonte me to. Më dukej si një personazh i Çarli Çaplin. Dhe atë ditë, duke qeshur, gjyshja i tha duke treguar me gisht nga unë që po luaja zbathur në oborr: « Ja ku e keni zotin Rama!
Postieri plak ktheu kokën dhe vështroi i habitur nga unë. Vallë ai djalosh 11-12 vjeçar merrte letra nga mbarë bota?… E pabesueshme. Ai mërmëriti diçka nëpër dhëmbë, përshëndeti si zakonisht me mirësjelljen e vet që i kishte mbetur nga e kaluara (e habitshme që thoshte « zoti » dhe jo «shoku», dhe u largua duke tërhequr këmbët disi zvarrë.
Zoti Rama ishte një fëmijë dhe për më tepër i tmerrshëm që s’linte dy gurë bashkë ! Letra vinin nga vende të çuditshme dhe të largëta si nga Gana, Trinidad Tabako, Kili, Venezuela por dhe nga Franca, Italia, Danimarka, Suedia, etj. Ishin letra me pulla që më dërgonin filatelistët e botës apo pasionuesit e pullave që ishin regjistruar në rrethet filateliste. Ja pse çdo lek që më jepnin për të blerë ndonjë akullore apo pastë unë i blija pulla, që tu dërgoja korrespondentëve të mi dhe ata të më dërgonin pulla nga vendet e tyre. Por sigurisht, duhej të fshihja se isha veçse një fëmijë. Mbaj mend që një doktori nga Gana, i kisha shkruar se dhe unë studioja për mjekësi. Ishte një komedi e bukur, dhe letrat m’i shkruante një kushëriri im në anglisht. Në letrat e tij ai më fliste për mjekësinë, po ku dija unë se ç’ishte mjekësia!
Posta jonë ishte 200 metra larg, ngjitur me murin e Kishës Ortodokse në qendër të Tiranës, në bulevard. Atje punonte një kushërira ime, Tushi dhe sa herë shfaqesha, ajo e dinte se do të blija pulla. Po në bulevard ishte dhe dyqani i Filatelisë përballë pallateve «sovjetike», me çati me tjegulla të kuqe, ku kisha lindur dhe ku banonte familja ime. Por aty ishte një vend serioz dhe nuk hynte çdokush. Qëndroja një kohë të gjatë para xhamave të saj duke parë koleksionet e vjetra të pullave shqiptare duke filluar me koleksionin e Republikës autonome të Korçës. Kur tentoja të hyja brenda, njeriu i dyqanit më nxirrte jashtë. Megjithatë dhe unë kisha disa seri që kishin dhe koleksionistë me emër, veçanërisht korçarë, shkodranë dhe tiranas. Kisha një seri të Zogut, të 10 vjetorit të mbretërisë, me ngjyra jeshile, të kuqe, kafe, ku ishte dhe Geraldina dhe atë e mbaja si gjënë më të vyer që kisha. Por kisha dhe nga ato të viteve 1946-1947… viti 1952, si dhe disa nga vitet ‘60. Në rrugën e “Broduei”-t, siç i thoshin më pas, apo Rruga e Dibrës, aty ku do të ndërtohej pallati i ri i projektuar nga Maks Velo, apo pallati ku do të strehoheshin Kadare, Agolli, etj, ishte një dyqan i vogël, apo më mirë një kthinë me një personazh të jashtëzakonshëm që ne e quanim Qorri. Nuk ia dinim emrin por ai shiste pulla, zare, komça dhe tek Qorri gjeja ndonjë pullë që nuk e kisha, por për këtë më duhej të çoja fshehurazi ndonjë roman të nënës time, një “Bel-Ami”, «Manastiri i Parmës», «E kuqja dhe e zeza», apo “Çifutja e Toledos”, të cilat pastaj i shiste…
Atëherë më pëlqenin shumë pullat e kolonive franceze siç ishin Sierra Leone, Dahomey (apo Benin sot), Burundi, Guiné, Zanzibar dhe veçanërisht pulla e ishullit Fixhi. Isha fëmijë dhe që atëherë, filatelia mbeti një pasion i vazhdueshëm për mua. Para se të vija në Paris kisha blerë ato vite me dhjetëra e dhjetëra seri të pullave shqiptare, apo siç quheshin atëherë «Zarfi i ditës së parë të botimit». Binin në sy mjeshtëria e stampimit të pullave, e cila tashmë, nga fundi i viteve ’80 bëhej me një teknologji të re kineze dhe ku pullat i pikturonin piktorë me emra dhe mjeshtër të kësaj fushe siç ishin Naxhi Bakalli, Zamir Mati, etj. Pra, unë i mora me vete në Paris, por një pjesë e madhe e tyre më humbën, duke më mbetur kështu veçse koleksione të viteve 1964, 1968, 1969, etj, një seri e Enver Hoxhës, apo ato të kreshnikëve e legjendave, etj. Të gjitha u zhdukën, s’di ku. Sidoqoftë pasioni i pullave vazhdonte, pasi ishin ato që më kishin dhënë një pasion të veçantë për udhëtimet, shijen e zbulimit të botëve, çka më kujtonte një hartë të vjetër në shtëpinë e gjyshes, ku shënoja me të kuqe vendet ku ishin korrespondentët e mi apo që kisha koleksionet e tyre. Pra isha një lloj qytetari i kësaj bote imagjinare, ku në imazhet e pullave pikë-takoheshin qytetërime të ndryshme, afrikanë, aziatikë, orientalë e të vendeve të Indokinës (ah, pullat e bukura të Laos-it apo Kamboxhias ruajale, të Bruneit, pulla të mëdha, shumëngjyrëshe)… Kështu, natën, në ëndrrat e mia unë udhëtoja nëpër botë, kapërceja kufij dhe pikë takoja personazhet e pullave të mia, indigjenë, mbretër, etj. Ishte një lumturi e jashtëzakonshme, çka më bëri të isha i pari në lëndën e gjeografisë. Në korrik të vitit 1999, në përvjetorin e madh të shpikjes së pullës së parë në botë, (Mondial du Timbre) ku merrnin pjesë delegacione të filatelistëve të botës, pata rastin të takoj një nga filatelistët e njohur shqiptar, Ballauri, bisedat me të cilin më risollën fëmijërinë time. Madje, ministri francez i Post-Telekomunikacioneve më dhuroi dhe koleksionin e atij viti jubilar. Më pas, i dërgova mikut tim Thimi Nika, që aq shumë ka bërë për filatelinë shqiptare disa imazhe të pullave të hershme që mbanin vulën «Albania» dhe që u dërgoheshin emigrantëve shqiptarë në Trieste, Romë, Stamboll, Venecie, në vitet 1860-1870…
Sot, në përvjetorin e famshëm të 100-vjetorit të vdekjes së skulptorit francez gjenial Rodin, ka dalë pulla përkujtimore e Rodin dhe më duhet të nxitoj për të blerë koleksionin e tij. Jam kureshtar të shoh se çfarë imazhi kanë vendosur kësaj radhe… Pasionet e hershme duket se kanë mbetur ende dhe për një kohë!…