Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Poezia udhëton nëpër brigjet e Mesdheut

67
Sigal

(Në festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Gjenova të Italisë)

Mesdheu, djepi i kulturës europiane ! Udhëtimet e poetëve dhe bardëve të lashtë njihen që në antikitetin e moçëm. Poezia udhëton si në udhëtimet e Uliksit të Homerit, udhëton duke i kënduar jetës, duke bërë thirrje për paqen dhe dashurinë njerëzore. Jo luftë, veç dashuri, punë, krijim, ndërtimi i një bote më të mirë. Në Mesdhe janë gërshetuar kulturat, artet, poezia dhe muzika, piktura dhe skulpturat e më vonë dhe artet e tjera. Herodoti udhëtonte nëpër Ballkan dhe vendet e largëta të Europës duke dëshmuar për lashtësinë e kësaj kulture. Euripidi këndonte. Sofokliu shkruante tragjeditë e mëdha të cilat shtegtuan gjer larg.
Organizimi i Festivalit të 29 të Poezisë në Gjenova, i titulluar këtë vit Parole Spalancate (8-18 qershor 2023), « zëra të gjallë », mblodhi shumë poetë, dhe jo vetëm ata, por dhe muzikantë e mjeshtra të spektakleve, të cilët shoqëruan poetët në recitimet e tyre, në këtë odeon të madh, siç u transformua ky koral poetik në Gjenova. Ishin poetë nga Franca, Italia, Greqia, Shqipëria dhe Kosova, nga Libani por dhe nga Zvicra, etj. Një mbrëmje kushtuar veç poezisë së poetes nobeliste Szymborska. Poezi dhe këngë në këtë festival mjaft të njohur ku dikur janë mbledhur për të dëgjuar nobelistë si Soyinka, Milosz, Evtushenko, Amos, Gatai, Sanguineti, Coetze, Adonis, por edhe Kadare. Madje të tjerë poetë shqiptarë kanë përfaqësuar Shqipërinë më parë si Visar Zhiti, Luljeta Leshanaku, Agim Vinca etj. Kësaj rradhe si përfaqësues të Shqipërisë dhe Kosovës isha bashkë me poetin tjetër Arbër Selmani nga Prishtina, i cili recitoi një poezi prekëse « Kur më vdiq baba ». Në datën 15 qershor, nën titullin Voix Vives, e drejtuar nga organizatorja e Festivalit Poetik Ndërkombetar të Setës, në jug të Francës, Maïthé-Valles Bled. Ne recituam poezi të ndryshme krahas poetëve mjaft të njohur si Claude Ber, Laurent Grison nga Franca, Michel Cassir nga Libani, Marianne Catzaras (Greqi-Francë), Francis Catalano nga Quebec, Jean Portante (Francë-Luxemburg), Mathilde Vischer nga Zvicra, Vivian Ciampi (Itali-Francë) etj. Në krah të konsullit të Nderit të Shqipërisë në Liguria të Italisë Giuseppe Durazzo, (mjaft i interesuar si gjithnjë për zhvillimin e këtij festivali dhe për shkëmbimet kulturore), drejtuesi Claudio Pozzani më kujtonte udhëtimet e tij plot mbresa në Shqipëri dhe më fliste për poetët shqiptarë, për poezitê e tij të botuara në Shqipëri. Po kështu një poet tjetër i fuqishëm francez Laurent Grison ështê botuar në dy përmbledhje në shqip nga « Buzuku ». Shqipëria është një vend mjaft i afërt për të dy këta poetë, i ngrohtë siç është vetë Mesdheu. Në të gjitha bisedat është poezia dhe arti. Poezia sociale dhe e dashurisë. Së pari ne lexuam poezitë tona në Aleancën franceze të Gjenovas, ku poezitë e lexuara në frëngjisht dhe italisht u shoqëruan nga një pianist i talentuar i Gjenovës. Kisha kënaqësi të lexoja dy poezi kushtuar poetëve si « Poetët thonë gjëra të çuditshme » dhe « Poetët vdesin si zogjtë ».


(Fragment i « Poetët vdesin si zogjtë »)
————
Poetët bien si zogjtë,
të parët,
goditur nga rrufetë,
sepse ata janë më afër stuhisë dhe diellit.
Poetët janë zemra zogjsh gjithë plagë,
prandaj bien të parët
krahëthyer e përgjumur
në një vdekje të pambarimtë
dhe në një jetë që nuk shuhet.
Poetët vdesin të parët,
pasi ata kanë rrëmbyer zjarret dhe zërat qiellorë…)
Më pas, në seksionin “Aperitiv poezia dhe muzika“ në oborrin e bukur të „Piazza Mateoti“ para Palazzo Ducale dhe ku brenda ishte një ekspozitë e fotografit të madh franko-amerikan Man Ray, lexova dy poezi « Ad aeternam Mozart » dhe « Arti i dashurisë ». (Fragment nga « Ad aeternam Mozart”)
“….Dëgjoj e zhytem në detin e atij requiem-i të pafund,
pi requiem!
Dehem e mbytem në requiem
dhe qindra zëra ngrihen lart në një korr gjigand
ku një flaut magjik zhvendos vetë botën.
Atëherë zhytem poshtë gjithnjë e më shumë
dhe bie si një Titanik,
si një gjemi e mbytur
pa e gjetur të shtrenjtin Mozart,
tretur në meloditë më të bukura të botës… »
Më vonë në sallën e madhe brenda Palazzo Ducale (Pallati i Dukëve) ku dikur kanë drejtuar Republikën gjenoveze 9 dozhë të familjes me origjinë shqiptare Durazzo, lexoj poezinë « Të kujtohet ? », botuar në vëllimin poetik në italisht në Milano nga Editore Montabone, meqë kjo mbremje ishte në konceptin e « Eros dhe Pasione ». (Fragment)


Të kujtohet?

Ishte një natë e ngrohtë vere,
kishte kaluar mesnata,
dhe në shtrat,
ajo grua plakë zgjati dorën mbi gjoksin e burrit të saj:
– Po fle?
– Po!
– U kujtova, si në ëndërr…
– Çfarë?
– M’u shfaq ajo natë kur të kërkoja ngado në qytet,
nëpër shi, nëpër erë,
të kërkoja si e çmendur
dhe lusja Zotin të ishe me një grua tjetër,
të ishe gjallë…
Thuamë, ku ishe?
Ai u kthye nga ajo dhe i preku buzët e rreshkur.
Ishte ftohtë.
– Fol!
Heshtja rëndonte plumb.
– Po… isha me një grua,
gjithë jetën kam dashur të ta them1
E ç’rëndësi ka tani?
ne së shpejti do shkojmë,
të lemë diellin dhe kapërcejmë pragun e natës së gjatë…”
Netët poetike vazhdojnë gjer në mbyllje të festivalit, në 18 qershor. I këndojmë jetës dhe sakrificave, që duhen bërë për paqen, ndërkohë që lufta e Putinit në Ukrahinë mbjell vdekjen. Jo më kot Claude Ber, duke folur për specien njerëzore, shkruan për diktatorët e të gjitha kohrave. Dhe në shpirtin tim më rivijnë vargjet e mia kundër luftês:
(fragment nga poezia “Ata dinê veç tê vrasin)
Jo, vrasësit nuk e njohin pulsimin e zemrës,
aromën e qumështit,
shijen dhe peshën e lotit.
Në teatrin e shkretuar të Mariupolit s’ka më spektatorë !
Karriget janë thyer të gjitha,
kambanat kanë heshtur,
afishet nuk lajmërojnë më për shfaqjen e nesërme.
Këpucët e shqyera janë gojë memece,
afreskët e rrënuar nuk mund të flasin…
njëmijë bomba mbi të i dhanë fund shfaqjes më mizore të botës :
“Rikardi i III” nuk do të luhet më !
Është Putini tashmë, që ngjitet në skenë
të luajë rolin e Neronit,
Putini në dekorin gjigand të varreve masive në Mariupol…”