Një takim me aktorin e mirënjohur Timo Flloko në Paris është gjithnjë interesant. Së pari sepse kujtimet e tij për kryeqytetin francez janë të shumta, që me filmin “Larg Barbarëve” të regjisores franko-shqiptare Liri Begeja. Ishte pikërisht Parisi, me “Gjeniun” e sheshit të Bastijës që e frymëzoi atë para 30 vjetësh për një nga poezitë e para dhe që e çoi më së fundi drejt poezisë. Më 16 nëntor, në Maison de l’Albanie bashkë me të do të flasim për rolet e tij të shumta në kinematografinë shqiptare, për eksperiencën kinematografike amerikane si dhe për dy librat e tij poetikë të botuar tashmë “Trup e shpirt” dhe “Kërcim bosh”. Padyshim që do të jetë një takim intim, mbresëlënës, duke kujtuar jetën e tij parisiane dhe rolet e këtij aktori shumë dimensional, por dhe duke lexuar në frëngjisht dhe shqip disa nga poezitë e tij.
« ….À Paris, quand on donne
L’âme à l’amour,
On devient
Facilement foufou.
Un flirt virtuel
Avec une sirène
Sur un bateau mouche
Sur la Seine…. »
Apo siç shkruan ai në poezinë « Mister Dashuria » :
« Dashuri, je erë… stuhi!
Nuk ka zot që ta mbyll portën.
Drithërimë, pasion, furi…
ti e lind dhe e vërtit botën.
Frymë, instinkt, shpirt i lirë,
që na deh… ditë e natë,
dashuri, që s’njeh ndëshkim,
as kur biem në mëkat… »