Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Fytyra e Shqipërisë në fotografitë e humanistit të madh Eugène Pittard në vitin 1921

Një ekspozitë mjaftë e bukur do të hapet në COD në datën 21 tetor me fotografitë e antropologut, diplomatit dhe humanistit të madh Eugène Pittard, ku do të prezantohet dhe albumi i fotografik, një veprimtari kjo e organizuar nën drejtimin e ambasadores së Zvicrës në Tiranës, zonjë Huber, ekspozitë kjo që do të përvijojë më pas itinerarin e saj në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ishte po ambasadorja Huber që vjet organizoi në Akademinë e Shkencave në Tiranë si dhe në ambientet e Piramidës prezantimin e librit të Kudret Isaj “Udhëtimi i mbramë i Hélène dhe Eugène Pittard”, nën kujdesin e botuesit dhe shkrimtarit Luan Rama.

Në historinë shqiptare, krahas miqve të mëdhenj të Shqipërisë si senatori francez Justin Godart, nobelisti i Paqes Paul d’Estournelles de Constant, Edith Durham, Aubrey Herbert, Lady Carnarvon, Lord Robert Cecil, poeti Henry Spiess e shumë misonarë të tjerë europianë të cilët iu gjenden Shqipërisë në kohrat më të vështira të ekzistencës së saj në vitet 1910-1930 renditet dhe Eugène Pittard.

NOA

Gjatë kohës së krizës së madhe të bukës në vitin 1924, kohë kur anije me misër zbarkuan në brigjet shqiptare për të shuar urinë e fshatarëve të varfër, bashkë me gruan e tij publiçiste dhe romanciere mjaft e njohur në atë kohë, Pittard, i dërgruar dhe nga Shoqata e Kombeve, mori shkopin e pelerinit duke bredhur nëpër fshatrat e largëta shqiptare, veçanërisht në veriun shqiptar si në Kukës, Dibër, Dukagjin, Shkodër apo Lezhë, çka e lexojmë dhe në shkrimet e tij “Letra nga Shqipëria”. Ngado pritja e tyre nga shqiptarët ishte proverbiale çka mund ta gjejmë dhe në përshkrimet piktoreske të tyre si “Rrugëve të Shqipërisë”, “Tirana” etj. Artikujt, thirrjet, intervistat e tyre për çështjen shqiptare u botuan në gazeta të rëndësishme të Europës, duke sensibilizuar opinionin europian në mbrojtje të shqiptarëve dhe integrimin e tyre në koncertin e kombeve. Por kësaj rradhe Pittard na prezantohet dhe si një fotograf i mrekullueshme dhe si një kronist i Shqipërisë në vitin 1921, përmes një ekspozite të kuruar me mjeshtri nga Elton Kupitar si dhe një libër-album ku tregohen rreth 70 fotografi të zgjedhura nga fondi mjaft i pasur i Eugène Pittard që sot gjendet në Muzeun Etnografik të Gjenevës. Sigurisht fotografitë flasin vetë për botën shqiptare të atyre viteve, veçanërisht 1921-1924 por me shumë interes janë dhe shënimet e tyre të udhëtimit dhe përshtypjet që kanë nga shqiptarët. Duke vizituar Tiranën, Pittard shkruan në artikullin e tij “Përmes Shqipërisë”, botuar në “Gazetën e Gjenevës”: « … E gjendur në pjesën gege të vendit, në distancë të barabartë mes veriut dhe jugut të Shqipërisë, Tirana i ka grupuar shtëpitë e saj të vogla, të lyera me gëlqere të bardhë, të mbuluara me tjegulla të mëdha, në një pellg natyror të ngjashëm me pellgun e lulëzuar të Firences…Tirana nuk është qytet shumë i vjetër. Pak më shumë se 300 vjet më parë dikush i quajtur Sulejman, erdhi në këtë luginë me një frymëzim hyjnor. Ai themeloi një xhami dhe një teqe që ekzistojnë ende…Vendi i lutjeve dhe i mbledhjeve publike ndodhet më tutje në qytet, i rrethuar nga një mur madhështor me qiparisa të lashtë, disa grupe shtëpish të ndërtuara me këtë arkitekturë kaq të veçantë të Shqipërisë së lashtë, me majat e fasadave të tyre të pikturuara. Duhet të ruhen gjithashtu përgjithmonë sheshet magjepsëse të zbukuruara me pemë si dhe xhamitë e pikturuara, grupet me pemë siç i shohim rrallë në Europë, të tilla si rrapi i famshëm, mrekullia e bimësisë, që ndoshta ka strehuar në hijen e tij themeluesit e qytetit, teqet e vjetra, varrezat e hershme. Tirana duhet ta ketë të qartë se, po u shkatërruan, këto fletë të historisë së saj nuk mund të rindërtohen më. Më vonë, kur Shqipëria të jetë lehtësisht e hapur, të gjithë të huajt do të vijnë për të parë këto gjëra. Tirana ka ende një bukuri që qytetet perëndimore nuk e njohin. »

Përshtypje të mrekullueshme Pittard ka për Durrësin ku dhe fillon itinerari i tij, me imazhe të fotografuar që sot nuk ekzistojnë më dhe që përbëjnë një dëshmi historike. « … Pasi kalojmë përgjatë fushave pjellore të Shijakut, ku rrjedh Erzeni, pasi kapërcejmë kepin Pala, pasi takojmë zinxhirin e kodrave të malit të Durrësit, më i larti i të cilit nuk arrin 200 metra mbi nivelin e detit, hyjmë në gjirin e Durrësit, duke shmangur skeletet e anijeve të fundosura gjatë luftës. Vendkalim shumë i hershëm, vend historik mbi të cilin ende pluskojnë emrat kumbuese të Cezarit dhe Pompeit, ai ishte pika e nisjes së via Egnatias. Ishulli i lashtë shkëmbor që mbart qytetin bashkohet me tokën me një shigjetë bregdetare që përmbytet në dimër. Tek vendi i kampit të fortifikuar të Pompeit, të cilin Cezari nuk mundi ta mposhtte. Aleksi Komnene, njëmijë vite më vonë, u mund nga normanët…  Të gjitha kodrat që shkojnë në veri të qytetit, mbyllin mes tyre, nën ferrat që i mbulojnë, pjesë të mureve të lashta rrethuese. Bedena e fundit është ende pjesërisht në këmbë. Tani s’është veçse një kujtim piktoresk dhe një monument historik për t’u ruajtur. Ka të ngjarë që Durrësi nuk do ta marrë më kurrë titullin e kryeqytetit. Pozicioni i tij e përjashton këtë mundësi. Por ka mundësi që një ditë, ky qytet i vogël, që ndodhet në një vendndodhje shumë të mirë, të kthehet në një port të lulëzuar. Kjo do të vijë kur një hekurudhë do ta ketë si pikë fillimi. »

E padyshim, në këtë ekspozitë me një interes të veçantë antropologjik por dhe artistik janë portretet e tij në veri, imazhet në fshtrat e Lezhës dhe të Shkodrës, fshatarët e veriut të cilët i fotografon natyrshëm, pa “mizanskenë”, në jetën e tyre të thjeshtë, pa pozuar, çka përbën dhe një veçanti të këtij fotografi që nuk i pëlqen dekoret e sajuara. Ja çfarë shkruan Hélène Pittard (apo me emrin e vërtet Noëlle Roger, shkrimtare) në përkshrimin e saj “Udhëtim nëpër Shqipëri” botuar në revistën e famshme franceze “Revue des Deux Mondes”: ” Të heshtur dhe me dinjitet [si fshatari turk, ata nuk kanë asgjë të përbashkët me fatalizmin dhe moskokëçarjen e tij ëndërrimtare], këta malësorë të ashpër [që] kanë ngritur krye gjithmonë kundër fatit të tyre. Ata e kanë ruajtur të paprekur fizionominë e ilirëve të trupmëdhenj me kafka hiperbrakicefalike, një nga racat më të vjetra dhe më të bukura në Evropë. Me tiparet e theksuara, hundët e gjata me kurriz, sytë e tyre gri ose të zinj që shkëlqejnë papritur nën vetullat e ngrysura, ata kanë një fisnikëri të ashpër. Duken si aristokratë të një epoke të lashtë, që mbyllin në vetvete një pasion të fshehtë. Duken si njerëz shumë të lashtë, të harruar nga shekujt, të braktisur dhe të rizbuluar mrekullisht, me shpirtin e tyre të pacënuar, krenar dhe të vendosur, me zakonet e tyre arkaike, kultin e tyre të nderit, forcën e tyre, që ia nuk kanë prekur aspak avatarët e qytetërimit. »

Arti i fotografisë është një art më vete dhe këtë Eugène Pittard na e ka dëshmuar më së miri përmes fotografive të tij në suporte të ndryshme dhe dimensione 9cm x 12cm apo 10,5 cm x 6,5cm si dhe në film fotografik. Sigurisht udhëtimet e tij të mëparshme nëpër Ballkan i kanë shërbyer që të fiksojë imazhe në shërbim të shkencës, përvojë që e ka ndihmuar të arrijë të perfeksionohet si një fotograf i vërtetë duke u vënë pas objektivit të aparatit të tij për të fotografuar njerëz, tipat njerëzorë, veçanërisht të popujve ballkanikë, vendet, natyrën dhe vetë atmosferën e kohës në të cilën ata jetonin. Nga fondi i tij fotografik në Shqipëri ne e ndjejmë më së miri se ai di të fotografojë bukur, të kompozojë në mënyrë mjeshtërore, të zgjedhë se me çfarë suporti të fotografojë natyrën apo portretet dhe që brenda atij kuadri që i shfaqet të kapë detaje që i vlejnë për ti vënë ato në pah duke i shtuar imazhit diçka njerëzore, njeriun, siç e shohim dhe në një fotografi të një rrapi shumëshekullor në Tiranë, disi nga larg, ku në plan të parë është një figurë e vogël, një fëmijë, që shton ndjesinë që ka shikuesi ndaj këtij imazhi. Dhe neve na pëlqen kur rrugët dhe sheshet janë me njerëz. Janë ata që i japin jetë imazhit dhe për Pittard duket se kjo është themelore. Ja çfarë shkruan korrespondenti i gazetës “Posta e Korçës” më 13 shtator 1921 për udhëtimin e tij në Vlorë, ku nga fotografitë shihet pritja entusiazte që i bën populli i Vlorës, ku është ngritur dhe një “Hark Triumfi” plot lule:

« Vlorë, 4 shtator. Dje Vlora kremtoi lirimin e saj, të cilin e kremtoi me bujë të madhe, dyke marrë pjesë në festimin përveç një shumice deputetësh po dhe Profesori Helvetian, shqiptarofili z. Pittard…Më ora 9 para M.D. gjithë populli u mblodh para Katundarisë dhe s’andejmi që të gjithë të bashkuar Muhamedanë e të krishterë me hoxhallarët e priftërinjtë në krye, vajtnë në xhami për të dëgjuar lutjen q’u bë për herën e parë në xhaminë e Vlorës në gjuhën amtare. Populli i kënaqur pa masë dhe i enthusiasur ngriti zënë duke thirrur : Rroftë Bashkimi ! Rroftë kleri muhamedan ! Pasi duallnë nga xhamia u drejtuan në Kishën Orthodokse, e cila ishte zbukuruar brenda dhe jashtë me flamurë dhe kurora prej dafine. Në Te Deum-in q’u bë muar pjesë gjithë populli : e pasi muer fund lutjet duall nga kisha Orthodokse dhe shkuan për në kishën katolike ku u bë dhe këtu lutje në gjuhën amtare. Para se të fillonte lutja u këndua hymni mbretëror. Në këtë ceremoni u ndodh dhe shqiptarofili i ndershmi Profesori Pittard, i cili u kënaq pa masë nga përshtypja e mirë q’i bëri populli i Vlorës. Z.Pittard, para se të hynte populli i bashkuar në të tri faltoret, mori disa fotografira, të cilat do t’i përdorë si bomba kundra atyre që thonë se elementi muhamedan dhe i krishter s’afrohen. « Ky bashkim dhe kjo dashuri që shikoj në Shqipëri më bën përshtypjen më të mirë dhe më lehtëson studimet» tha z. Prof. Pittard… »

E më së fundi ajo që shkruan në shtator të vitit 1921 Hélène Pittard në një poezi, nënkupton atë dashuri që u lind në shpirtin e tyre për Shqipërinë, çka shihet në sytë e njerëzve që Pittard ka fotografuar me aq dashuri:

RRUGËVE TË SHQIPËRISË

“Fëmijë të vegjël më dhanë lule

Lule Shqipërie

Dua t’i kujtoj ngjyrat e tyre

Dhe duart e brishta që i mblodhën…

Nëpër rrugë ndjeva se si rrihte

Zemra krenare dhe e plagosur e Shqipërisë

E njoha e do ta marr me vete

Dashuria e saj do ta mbështjellë jetën time.

 

Shtator 1921.

Pittard-it nuk i mungon fryma poetike në fotografitë e tij. Një fotografi e mrekullueshme është ajo që mban titullin “Porte bonheur”, apo “Sjellësi i fatit” ku nga një mur ngrihet një degëz ku mbi të njerëzit kanë lidhur shirita rrobash apo shamish, për të shprehur një “ex-voto”, një dëshirë që ndoshta fati do ta realizojë, shprehje kjo e supersticioneve që ekzistonin në atë kohë, siç na e dëshmojnë dhe shumë udhëtarë të huaj apo antropologët dhe studjuesit e folklorit shqiptar. Më së shumti, kjo frymë poetike shihet në peizazhet e tij, në rrjedhjet e lumenjve dhe sfondet e natyrës përtej, në Berat apo lumin e Vjosës përgjatë fushave të Myzeqesë, malet dhe vargmalet e Nëmërçkës apo Dibrës, që për një shkencëtar si ai, specialist i antrologjisë njerëzore, janë të veçanta. Të tilla janë peizazhet e lumit Osum dhe përmbytjet në brigjet e Beratit, me shtëpitë që ngrejnë kokat mbi ujë çka mund ti krahasosh me imazhet e fotografëve më të shquar të fillimit të shekullit XX siç ishin ato të përmbytjeve të Senës në Paris nga Roger-Viollet, etj. Ai e ka drejtuar objektivin rrafsh me ujin, çka për kohën është një gjetje e rrallë fotografike, duke fiksuar në objektivin e tij tre-katër fotografi të mrekullueshme dhe unike në sojin e vet. Po kështu është dhe fotografia tjetër e përmbytjeve në fshatrat e Lezhës, çka sugjeron relievi dhe pozicioni gjeografik i cili ka një bukuri të jashtëzakonshme. Të ngjan me një tabllo në bardh e zi, mbi të cilën nderet një heshtje poetike ku bukuria e imazhit ia fsheh trishtin që mbart thellë në vetvete. Në një tjetër fotografi ku karvani i këtyre udhëtarëve ka ndalur, me sa duket në zonën e Mbishkodrës, për një çast ata janë ulur të shlodhen. Por Eugène Pittard e ka mendjen të fotografojë pasi i pëlqen ajo skenë. Ai e kompozon pushimin e udhëtarëve midis dy trungjesh ku nga njëra anë janë kuajt që shlodhen dhe nga ana tjetër Noëlle dhe shoqëruesit e tyre, malsorë dhe ushtarakë. Është syri i mprehtë dhe artistik i artistit! Në fotografinë “transportuesit e lëndës drusore”, kemi të bëjmë me një lloj skene që i ngjan afreskut. Edhe këtu transportuesit janë ndalur të shlodhen nga rruga e gjatë. Kuajt qëndrojnë të heshtur me ngarkesat e tyre, burrat me dërrasat në duar vështrojnë nga fotografi, ndërkohë që tre gra veshur në të zeza përfitojnë nga koha e lirë të bëjnë çorape leshi dhe ku një e katërt pas tyre i ka ende degëzat e lidhura mbi shpinë.

Me një mjeshtri më vete janë fotografuar valltarët e Gjirokastrës që për ardhjen e humanistit të madh hedhin vallen në pritjen e tij por dhe në një mjedis të brendshëm, ku drita diellore e ndihmon atë të fotografojë lëvizjen dhe hiret e valles, ku fustanella ka elegancën e vrullit dhe fytyrat e tyre burrërore një ndjesi krenarie.