Suplementi Pena Shqiptare/ Lela Dardha Kokona: Në telat e kitarës melankolike.

615
Sigal

Romani i katërt “Në telat e kitarës melankolike”, i cili vjen pas tre romaneve të tjerë, si; “Kujtime të trishta”, ”Fate të trashëguara”, “Dashuri rrëqethëse”, i shtrin skenat dhe ngjarjet e personazheve në dy breza njerëzore, në dy hapësira kohore, në dy shtete: Shqipëri dhe Greqi. Në kapitujt e tij pleksen marrëdhënie të mprehta, karakteresh dhe interesash të ndryshme e me botëkuptime të larmishme. Konflikte të krijuara nga rrethana të ndryshme. Linjat e dashurisë, zënë një sipërfaqe të gjerë në shtrirjen e përgjithshme të romanit. Por nuk mungojnë linjat e tjera të vuajtjeve dhe përpjekjeve, për të siguruar të ardhura në kushte të disfavorshme të sistemeve, që kanë shkaktuar emigrimin për njerëzit. Në faqet e këtij romani ndjehen ëmbël tingujt e kitarave të serenatave, psherëtimat e vajzave të dashuruara dhe rënkimet e dhimbjeve për vdekjet e parakohshme të njerëzve të dashur. Përshkrim i detajuar i mjediseve ku zhvillohen ngjarjet për të krijuar përfytyrime reale. Ndjesi të çasteve intime, delikatesa, besnikëria, shpirtmadhësia femërore… Ky roman himnizon jetën e vërtetë.

Kostës i flakëruan sytë nën ato vetulla të zeza të harkuara mbi një vështrim mahnitjeje. Irini u përqendrua në fytyrën e tij të zbehtë, sy të venitur, ballin të njomur me bulëza djerse. Ajo e përqafoi, e puthi në buzët dhe faqet e tij të akullta. Kishte pushtuar heshtja e plotë vrastare. Kosta për një çast mbajti frymën. Ajo vazhdonte me përqafime të zjarrta, ndërsa ai sikur po humbte ndjenjat, po zalisej. I ikën fjalët, mendimet, ëndërrimet e zjarrta, malli. I mbështolli belin me dorën e tij. Ashtu mbetën të gozhduar shumë kohë pranë njëri – tjetrit. Ai shtrëngonte dhëmbët nga dhimbjet. Një dridhje e fortë po i trondiste gjithë trupin. Teksa ajo i ndjente lëvizjen gulçuese dhe drithërimat, vuri re një dritë të kuqërremtë, të përgjakshme në sytë e tij dhe fytyrën e skuqur tërësisht. Balli i shkëlqente nga nxehtësia e brendshme emocionale, zjarr që i dilte nga zemra. Po tkurrej i tëri nga dhimbjet. U ndje të rënkonte me një zë të dobët, që i dilte nga buzët e ftohta e të zbardhura. U mundua të shfrynte gulçimë pa e nuhatur njeri. Irini u përkul në gjoksin e tij. Kosta ktheu vështrimin nga dritarja dhe thirri me një zë të shuar:

– Largoni perdet nga muri! Hapeni dritaren! S’ka ajër! – më shumë pëshpëriti sesa foli.

– Kosta, u qetësove tani?- lotët i rrëshqisnin si pikat e vesës në gjethet e trëndafilit që kuqëlon. Vuri kokën në qafën e tij, kalonte dorën ëmbël mbi faqet, ku përhapej një shkëlqim e një dritë e zbehtë dashamirësie e mirënjohjeje. E fërkonte lehtë – lehtë pa dashur ta lëndonte.

– Të kujtohet ajo ditë…? – por Irini nuk arriti të mbaronte mendimin deri në fund.

– Mos më flit për atë kohë, të lutem! – E ndërpreu duke nxjerrë një pikë loti që i rrodhi mbi faqe deri poshtë në gushë.

– Tani s’ka më nevojë të merresh me të shkuarën, kur e tashmja nuk ekziston. Më ke fajësuar Irini që nuk të lajmërova se ku kisha përfunduar? Tani më thuaj një fjalë therëse ,qortuese. Ma lehtëso këtë barrë shpirti që më rëndon ndjenjat!

– Jo, kurrë!

-Më vjen keq që nuk do të ndjekësh e shijosh ato ëndrra që thurëm bashkë!

– Jo! Ti do bëhesh mirë. Unë jetën time do ta ndaj me ty, Kosta!

-Pse, pamja ime tani, nuk është e urryer për ty?

– Unë dashurova zemrën tënde në radhë të parë e sa për pamjen, s’ke ndryshuar fare zemër!

– Unë e kam nisur tashmë udhëtimin tim të fundit, me supet ngarkuar me brengë, mes këtij dimri të acartë. Fluturimin tim, ti nuk e ndalon dot Irini. S’kam më fuqi të ndal dhimbjet. E sheh se zëri im është shuar bashkë me shpresën? Vetëm ky takim më ka mbajtur ndoshta. Besoj se u binde që nuk të kam tradhtuar.

-Dashuria jonë, nuk ishte pasion çasti, por një lidhje zemrash e përjetshme. – u përgjigj Irini mes ngashërimesh.

Unë po shuhem Irini! Mos e thello më vragën tënde të shpirtit, prandaj ik, ik sa nuk është vonë! Largohu nga unë! Do të kisha dashur të vije të më shaje me kërcënime. Ik të lutem! A e sheh se kam kokën e trullosur, vështrimin e turbullt dhe pa gjymtyrë pothuaj? Mua tani më rrethon një vorbull errësire dhe mendimet më vijnë të trazuara. Dëshira ime e vetme tani është vetëm vdekja.- Asaj i rrëshqisnin shi lotësh të nxehtë e që derdheshin në gjoksin e tij të ndjeshëm. Zemra e saj qante me lot gjaku.

– Më thuaj çfarë kërkon nga unë Kosta? – i lutej Irini.

– Eh, çfarë dua unë!? – Atë që nuk e bën dot. Të më jepje gjak që të mos më infektohet më. Forcë e fuqi që të vrapoj si dikur pa u ndalur.

– Pse, ç’u bë gjithë ai gjaku yt i zjarrtë, që të ka dhuruar nëna qysh sa linde?

– Ma ka pirë ajo bisha e ëndrrës, ajo që të kam treguar.

– Irini nxori nga çanta një kuti të vogël, të lidhur me një fjongo të kuqe.

– Kosta! Dashuria ime e vetme! – ndërkohë hapi kutinë, ku ndriti një unazë e praruar, e florinjtë. – Kjo është shenja e bashkimit tonë, e cila na lidh pazgjidhshmërisht dhe na bekon të dy.- i tha Irini e ulur në gjunjë teksa fliste me një zë të ndërprerë nga emocionet.

– Kosta, më jep dorën e majtë të lutem. Të simbolizoj një premtim dashurie! – I vuri unazën e personalizuar ” Kosta “, në dorën e zemrës dhe të ndjenjave, në gishtin e parafundit. U puthën në buzë si dikur plot pasion, ndonëse Kosta dukej i sforcuar .- E bleva cilësore, me gurë diamanti, si simbol i këmbënguljes sonë, si kujtim që zgjat në kohë. – Mori dorën e tij të majtë në prehrin e saj. Bashkoi duart në formë lutjeje dhe sytë drejtuar nga qielli duke lëvizur buzët .U derdh mbi të me shpresa të shuara tashmë. Kosta vështroi habitshëm unazën me ato sy të akullt.

– Babi! – Thirri Kosta me zë gati të ripërtërirë.

– Të lutem , shko blej një varëse të mirë floriri me zemër dhe të gdhendur me emrin ” Irini “, por nxito,- e luti me zërin e tij të brendshëm, për të shmangur vuajtjet e mëtejshme shpirtërore të Irinit. Vazhdonte e fliste me sy të venitur gati të verbër e me një dashuri të pandryshuar. Lëshoi një psherëtimë ngjethëse.

– Hë Kosta, më thuaj një fjalë! – e nxiste Irini.

– Po! Të uroj të nisësh një jetë të re! – zëri iu drodh. Flegrat e hundës i lëviznin si fletët e fizarmonikës dhe zgjeroheshin nga frymëmarrja e vështirë, e sforcuar që bënte tashmë me gjoks.

– Mami, të kujtohet ëndrra ime ? Tigri, tigri po më thith gjakun deri në pikën e fundit. Më fal që të lëndova, por e di që edhe ti ke vënë një paralele me atë makth.E parashikova të ardhmen time duke u mbështetur në ëndrrën që pash.

– Mos, biri im! Nuk i thuhet nënës kjo fjalë! – ia ktheu nëna zemërplagosur dhe me frymëmarrje të vështirë. – Më mirë më jepje një plumb biri im, të më shponte tej për tej, sesa më the këtë fjalë! Ndjente vërtetë shtrëngime në zemër.– Mos e humb fuqinë e jetës, qëndro i fortë si ke qenë gjithmonë! – i dha shpresë Frosina dhe filloi të ofshonte thellë. Ai filloi të ndjente pendesë.

– Irini! Mos të bëhet vonë për punë.- i tha Kosta me një zë shqetësues.

– O, nuk të thash të rejat e fundit! Ajo pronarja është proceduar penalisht, për mashtrim. Kushedi sa do ta dënojnë! Tani jam në një restorant që ka një afendiko e personel shumë të mirë, – ngau bisedën me Kostën, i cili më shumë po qëndronte në heshtje.

– Ja Kosta, shpirti i babit, e bleva varësen si më the, të pëlqen?- i tha babai me një frymëmarrje të vështirë, me dashamirësi i përkulur duke i folur në vesh e fshehur dorën prej Irinit.

– Mirë babi – mirë,- foli pa u munduar ta shihte duke mos kuptuar askush se shikimi i tij nuk mund të përqendrohej më.

– Më ngrini pak ulur!- ishte i pamundur qëndrimi për të, në atë pozicion. Frosina i kaloi duart nga pas shpatullave, e kapi nën sqetull. Irini u përkul duke mbështetur kokën në gjoksin e tij. Kosta e rrethoi qafën e saj me varësen dhe Milva e mbërtheu.

– Ta gëzosh! – i tha Kosta me zemrën që i rrihte e harbuar. Damari i qafës e godiste si çekan, duke e lënduar keqas me rrahjet e shpeshta sa mendoje se do t’i shpërthente nga ajo lëkurë e hollë transparente që verdhonte më shumë se unaza e florinjtë në gisht.

– Ik tani! Të lutem ik! -U shkëput nga duart e Frosinës duke rrëshqitur komplet.

– Largohuni, largohuni! U dëgjua zëri i tmerruar ulëritës i Fluturës që priste t’i bënte gjilpërën.

– Kosta- Kosta! – zëri i saj sa vinte e rritej deri në ulërimë, i cili u shoqërua më pas me klithmat me të përvajshëm të Frosinës, Anit, Marjetës , Milvës. S’ kishin dëgjuar kurrë ndonjë llahtari të atillë në atë spital onkologjik…!

Telat e kitarës së jetës së tyre, në të cilat kishin akorduar dashurinë, tashmë ishin këputur të gjitha, duke jetuar së fundi me shumë dhimbje, këtë melodi melankolike, kaq drithëruese…