Suplementi Pena Shqiptare/ Lasgush Poradeci: Si lindi Himni Kombëtar

1282
Si lindi himni Kombëtar “Pranë flamurit të bashkuar”

Si doli kjo këngë e kombit kaq e përhapur dhe kaq e kënduar, më e përhapur e më e kënduar nga të gjitha? Doli ashtu, vetvetiu, papritur “pa dashur”, siç del një fjalë ose një dëshirë nga zemra, kur zemra është plot. Ka lindur në mënyrën më të thjeshtë, nga gjindja e shqiptarëve të robëruar dhe të mërguar në vend të huaj. Nga kjo arsye mban, pra, me vete dheshenjën e dyfishtë të burimit të saj; nga një anë hovin e brendshëm dhe, nga ana tjetër, shtytjen e jashtme që i pat dhënë trajtë. Dhe aq e vetvetishme, aq e pamenduar, është lindja e saj, sa i natyrshëm dhe krejt i vetëkuptuar ishte malli për atdhe, që bëri të duhet dhe të mundur krijimin e korit. Ky kor u themelua në Bukuresht, nga fundi i vitit 1907, aty ai nga nëntori-dhjetori, prej të rinjve dhe më të rinjve shqiptarë të kryeqytetit rumun. Ishte formuar me një qëllim të lartë kombëtar, për këngë të vendlindjes, për zbukurim të shërbesës fetare në kishën shqipe të Bukureshtit

Mbledhja e parë që profesori Kiriak bëri për formimin e korit shqiptar ishte në Sallën Transilvania më 1907. Aty ai i ndau pjestarët në soprano, tenor, bas etj. Në një pushim, plot gaz e kënaqësi, ai i thotë Asdrenit, i cili ndodhej midis këngëtarëve dhe ish i dëgjuar si vjershëtor kombëtar, pas shtypjes së vëllimit të tij “Rreze dielli” në Bukuresht më 1904. “Ti je poet, bëj një strofë shqip që ta harmonizoj për korin ta këndojmë”. Pa mbaruar fare këto fjalë mjeshtri i madh, gjithë anëtarët e korit buçitën me një zë në mes të entuziazmit “Roftë Asdreni! Roftë Asdreni! Asdreni! Asdreni! Marshin, Asdrenin! Marshin shqip! Marshin shqiptar!

Asdreni që ishte larguar aty pranë, rrinte i tulitur në qoshe të sallës së madhe. Rrinte i thjeshte dhe mendonte i thjeshtë dhe punonte i thjeshtë një këngë Shqipërie të thjeshtë, siç i ka hije, siç i ka pasur kurdoherë hije zemrës së tij prej njeriu dhe prej atdhetari dhe prej artisti të thjeshtë. Pa u turbulluar aspak prej zhurmës së shokëve të korit në ushtrim e sipër solfezhesh, Asdreni krijoi aty për aty, në Sallën Transilania, atë çast strofën patriotike që fillon me vargun:

“Ejani sot, o shqiptarë…”
Eshtë një strofë, të cilën poeti, s’e ka botuar gjer më sot në asnjë vend; ajo gjendet, midis letrave dhe shkresave në biblotekën e tij në Bukuresht. Ka qenë një poezi me rimë. Asdreni pati bërë katër strofa. Me kësi përbënjës të flaktë, përkundër punës së përditshme me të cilën ishin zënë të gjithë, kori vijonte rregullisht natë po edhe ditëve të diela, si edhe ndonjë të kremte rastore gjatë muajit. Po kori kishëtar shqiptar i Bukureshtit, nuk u pat bërë aq shumë për nevojat e kultit, se sa për qëllimin e lartë dhe të ndritur të çështjes kombëtare. Ishte një kor ku zemra regëtinte së Atdheut. Dhe një ditë, kur gjithë kori së bashku këndonte i rrëmbyer, siç ishte prej entuziazmit të çastit, iu lutën Asdrenit në mund të bëntë edhe ca fjalë për një himn shqiptar. Veterani Asdren nuk qiti zë atëherë sipas zakonit të natyrës së thjeshtë që ka, po pas disa ditëve, në mbledhjen e dytë ose të tretë, u paraqit me himnin e bërë shqip gati nën titullin “Rreth flamurit të përbashkuar”. Nuk përshkruhet dot hovi i zjarrshëm i zemrave, me të cilin u prit ku lajm i bukur i përgatitjes së Himnit. Pa e mbaruar së recituari Asdreni, një anëtar i rrëmbyer ia hoqi vjershën nga duart me padurim, e vuri shpejt mbi një trekëmbësh në mes të sallës dhe së bashku me koristët e tjerë, me të ndodhurit e mbledhjes dhe me profesorin Jonesku në orgë, e ekzekutuan himnin…Dhe himni arriti të bëhëj kësisoj Himmni kombëtar i Kolonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vend mërgimi, aq të djegur për atdhe, duke u bërë zakon të këndohet rregullisht përpara dhe pas çdo ushtrimi të korit.
Dremit liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ai ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë-u ndez e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll` i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashti po shuhet nënë mal
Qytet`i ngrysur në të zi,
Po ndizen yjte dal-nga-dal
Plot bukuri!Plot fshehtësi!
Në këtë ças perendimor,
Ndaj po më dehen sytë-.e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
Ma frymëzon një mall i ri.
GJENIU I ANIJES
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija me nge? –
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkreptiu një rrufe!…
Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj valës së nxirë
Gjeniu i anijes po flet:
Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mergimin e ri;
Hepohem…anohem…humbohem…
Po sulmin s`e ndal kurrsesi.
Dh`aspak nuk më tremb zhurmëria,
Ndaj turret me hov e vertik
Mi ballë-e mi korie të mia
Ndërsimi-i tallazit armik.
Përpara kur shoh gjeratore,
Dh`ato më gremisin në fund-
Mi kulmin e valës malore
Un` heq të shpëtoj sa më mund.
E morti fatkeq në më ciku,
N`u desh tmerrësisht të fundas-
Aspak nuk më thyen rreziku,
Po nis e përmbysem me gas:
Se prapa le vazhdën e ndritur-
Q`ë hapa me shpirtin fatos:
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q`u sos.
Valim-i anijes së letë
Qetohet,ndalohet,mbaron
Njeriu i anijes përjetë
Hepohet…anohet…valon…
LAMTUMIRË
Më del e zë pushon me të fshehtë
Një breng hije-rëndë mi sy;
Përbrenda në zemrën e shkretë
M`i shtije drejt-për-drejt që të dy
E loti prej syve të tua
Rrëqethet valomë përdhe:
M`j-a ndjen vështrim-bukur-pallua
Ti zemrës greminën e re…
Po këngët që sot më nuk janë,
Stolisen me mall në mërgim.
Përmbytur mjerimesh pa anë,
Ndrin Yll`i të rriturit t`im.

Pamja
Sot u pamë-e sot u ndamë
Dhe nuk thamë njëzet fjalë;
Kur u ndamë vamë-e qamë,
Qamë shpejt ca lot me valë.
Edhe shpejt kur me të dalë,
Vamë-u pamë-e shumë thamë,
Thamë fjalë, fjalë, fjalë,
Pastaj kurrë më s’u ndamë.
Nuk u ndamë-e vetë thamë:
Ç’këto fjalë? ç’këto lotë?
Ç’ky vajtim q’u vramë-e ramë
Shkrumb e pluhur nënë botë?
Ah kur ramë, kur u dhëmbmë,
Ndritej dhembja drite-e arte…
Kur u dhembme, kur u shembme,
Shkrepej yll ne qjell te larte…
Yll e drite bukuria,
Qiell i larte perendia,
Ç’vjen e shkon e vjen si hija,
Plas e s’plas kjo dashuria.
Sigal