Suplementi Pena Shqiptare/ Kujtime nga i madhi Dritëro Agolli

94
Sigal

“ Unë kam ndjekur mësimet në shkollën e mesme të Gjirokastrës. Në pushimet e verës , më 1951 , nga Gjirokastra u ktheva në Tiranë me një tufë me vjersha në xhep. Deri atëherë kisha botuar vjersha në gazetën “ Rinia” ( kështu quhej “ Zëri i rinisë” ), në “ Pioneri “ dhe në “ Letrari i ri”, që në atë kohë ishte si një tribunë artistike e të rinjve. Në Tiranë nuk njihja njeri drejtpërsëdrejti. Me emër, sipas shkrimeve të botuara , njihja disa letrarë të rinj të asaj kohe si Vangjel Gjecin, Robert Shvarcin, Mehmet Myftiun, Drago Siliqin, Vito Koçin e ndonjë tjetër. Rastësisht në një lulishte të Tiranës , u njoha në fytyrë me Vangjel Gjecin , që edhe ai shkruante vjersha. Ai menjëherë filloi të flasë shumë dhe gjatë për poezinë, për kuptimin dhe natyrën e saj , për rolin dhe mundësinë e poetit , duke thënë se “ Homeri nuk ishte gjë përpara poetëve të sotëm” e të tjera. Në atë kohë ai kishte botuar edhe një vjershë me titull “ Homer ma ki zili”. Unë përpara tij isha një provincial i zbritur në kryeqytet herën e parë. Shtrëngoja me dorë tufën e vjershave që kisha në xhep dhe nuk i flisja Vangjelit asnjë fjalë për to , se më vinte turp. Ai pastaj më shpuri në verandën e një kafeneje , ku kishte plot letrarë të rinj, vajza dhe djem. Ata ishin shumë të gëzuar dhe tepër llafazanë. Mua më njihnin nga vjershat e botuara. Më pyesnin se si i shkruaja dhe nëse i mendoja më parë se t’i hidhja në letër. Pasi kisha heshtur për një kohë të gjatë nga drojtja , fola: Të mos i harroj? Po , po, i këndoj – thashë.

Dhe ata u shkrinë në gaz.

– “ Këndona një vjershë!”- tha Vangjeli që rrinte krah një vajze. “ Mund ta këndoj “- thashë unë dhe më kujtohet që vjersha fillonte me këto dy vargje:

Në një gardh purteka nxjerrë

leh një qen me zë të çjerrë.

Pastaj ata më shpunë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Atje ishin Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Kolë Jakova, Luan Qafëzezi, Gjovalin Luka e Mark Ndoja. Të gjithë dukeshin si Homeri. I skuqur si fshatar, unë nuk i ngrija sytë, ndërsa Vangjeli ishte si në shtëpinë e tij, megjithëse pothuajse kishte moshën time. Vjershat nuk i nxora nga xhepi sadoqë Andrea Varfi, më kërkoi ndonjë vjershë për revistën “ Letërsia jonë”.

Vetëm më 1957 , kur u ktheva nga studimet e universitetit të Leningradit , sot Sankt Petersburg, hyra në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi kisha marrë zemër prej librave, që kisha lexuar dhe prej poetëve që kisha njohur. Atëherë kisha shkruar vjershën mjaft të njohur në atë kohë

“ Hyrje”:

Unë rri në prag me librin tim!

Dera hapet, mbyllet e troket…

por të hyj atje nuk kam guxim.

Jam fshatar i Jugut, jo poet!

Vargjet nëpër fusha i kam shkruar,

rrëzë hije rrapesh ose shelgjesh.

Shokëve të mi ua kam lexuar,

herë herë vargu im pëlqehesh.

Unë që kam pasur aq guxim,

unë që jam rrahur nëpër ara,

me armikun dhe rivalin tim,

pse tash ngurroj të dal përpara?”