Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma GJINI: “Sëpata në Tomorr, Bujashkat në oborr …”

147
Sigal

Kurorat e gjelbëruara të pishave të pyllit të Gjinerukës krehin lastarët e rinj me drithërima halash të brymuara. Të mbjellat, barin e njomë, kavaletat e jonxhës, kashtën e kasolleve…, gjithçka në fshat i ka mbuluar një tis i hollë mjegulle. Thëllim i acartë dimëror në prag perëndimi. Një fllad i lehtë i fut në valle gjethet e ferrës nën cicërimën melodioze të gushëkuqit, që kërcen nga shelgu në kumbull dhe prap në degëzën e shelgut lotues. Nga kodrat e Manastirit duken çatitë e shtëpive, që ndriçojnë si copëza parcelash të pambukta. Njerëz që i mbledh nata në shtëpi. Në pjerrinën e rrugicës së dhive, zbresin të heshtura pas çapit të njëra-tjetrës disa gra me kanistra në kokë, shoqëruar nga tingujt e zisë, që përhapin kambanet e Shën Triadhës: “Diiing-dooong!”, “Diiing-dooong!”. Nata e hodhi pelerinën e zezë përmbi fshat. Qetësinë e përzishme të shtëpisë së Nënëmadhes, në skaj të fshatit, si një folezë e varur në degën e rrapit, e prishi e qara e një bebeje. Nënëmadhja është shtrirë të ndejë kockat në dyshekun me kashtë gruri në kthinën e pastrehës me vështrimin te flaka e qiririt mbi oxhak. Nuset e djemve, që të dyja lehonë për së pari, secila në dhomën e vet. Vjehrra, sapo dëgjon të qarat e nipit kërthi, i bie tre herë me pëllëmbë murit që të dëgjojë nusja e djalit të madh.“E, nëne, e! Po, ku ta gjej unë qumështin, seee!”-mërmërit me vete nusja e madhe dhe e afron djepin te gjoksi, e merr gjirin në dorë dhe ia fut me zor bebit në gojë. Ai hap gojën e vogël, përpëlit buzët e njoma dhe përpiqet të thithë duke zgjatur trup e këmbë ndër pelena, por s’ka ç’të pijë dhe, ngaqë s’gjen asnjë pikë qumësht, nis të qajë: Uaaau! Uaaau!  Me sy të përlotur mbërthyer në fytyrën e të birit, e ëma i vë kapëzën në gojë dhe vazhdon ta përkund djepin me forcë. Djepi lëviz me trak-traket e veta sa majtas-djathtas, derisa koka e bebit lodhet në marramendje trullosëse dhe e zë një sqotë përgjumie. E reja ka një javë që nuk ka vënë ushqim në gojë nga mërzitnia. E, ç’qumësht mund të prodhojë trupi i nuses së pangrënë!? E qara e bebes i ngulet në zemër si shpimi i qiellzës nga një halë peshku. Nusja tjetër, ajo e djalit të vogël, sapo i ka dhënë gji çupës së vet dhe sytë e lotuar i mbërthen te fotografia në mur, ku ka dalë me burrin ditën e martesës. Sikur të mos mjaftonte varfëria e familjes, ku u ra për pjesë, duhej të vuanin edhe të tjera halle… “Po, dihet ajo, njeriu ka lindur për të vuajtur”, ngushëllohet ajo duke bërë kryqin në gjoks përpara ikonës së Krishtit varur në gozhdën e murit. Nënëmadhes i ka ikur gjumi. Shtrëngon gjalmat e podhiqes rreth mesit për të ngushtuar stomakun dhe rënkon së brendshmi: “E zeza, ç’më gjeti mua! Pse, o zot, m’i dhe  të këqijat tani në pleqëri!”Në shtëpi kishte ditë që kishte plasur sherri… Dy kunatat nuk i lëshonin pe njëra-tjetrës. Vjehrrës i rroku veshi një kërcitje dere: “krriiiq”. Mbajti frymën e i bëri veshët kapëz në përgjim: “Nuk dua lëmoshë prej teje!” Po, është i papirë. Është i vogël, gjynah nga zoti”“Gjynah nga zoti ishte dhe për atë…! Hajt, ik në dhomën tënde!”“Ngadalë, ngadalë, mos bërtit, se dëgjon nënëmadhja!” “Zhduku me gjithë nënëmadhen!” Nusja e madhe e kishte ngarkuar veten me nerva… “Uaaau! Uaaau! dëgjon nëna sërish të qarën e fëmijës, vë duart te gjunjët për t’i dhënë forcë trupit dhe ngrihet e përballet në korridor me nusen e vogël sypërlotur:-I dhe të pijë të voglit të saj, moj nuse? -Për atë vajta, por më shtyu, e më nxori jashtë. -Zot, na ruaj! Ku di i mituri, se çfarë keni ju me njëra-tjetrën? -Hajde mbushi mendjen asaj, paaa! Nënëmadhja e kapi nusen e vogël prej krahu dhe të dyja hyjnë në dhomën e nuses së madhe. Ajo ka mbështetur ballin në rrethin e djepes dhe, sapo hapet dera, e ngre kokën.  -Të keqen nëna, moj nusja e madhe. Zgjidhe të voglin, e merre me të urtë e me të butë nënëmadhja duke ia fërkuar supin me dorë. -Zgjidhe t’i japë pakëz gji nusja e vogël!Nuses së madhe i mblidhet një gulç në fyt, zgjat dorën të kap mashën dhe i shtyn urët e zjarrit në vatër duke i goditur me forcë, sa dhe druri duket se lëshon xixa inatçore. I vjen keq për fëmijën që mbeti duke qarë, por e bën zemrën gur dhe vazhdon ta tund djepin më me forcë duke i bërë bebes: “aaa…, aaa…!”.   -Vëre një çikë mendjen në punë, moj bijë!…-dhe nënëmadhja i ledhaton flokët me gishtat e dorës. Por nusja e madhe ziente përbrenda. Në lëvizje vetullash të kreshpëruara, e zhytur në pellg hidhërimi, ngrihet në këmbë, gati të përmbys djepin me gjithë beben dhe e kap për flokësh nusen e vogël: Ik ! Dil jashtë! Ti ma shkatërrove jetën! Si guxon të hysh në derën time!? E bëj këtë lëshim për të voglin tënd, se i është tharë buza për një pikë qumësht,-tha nusja e vogël. Le të vdesë dhe çuni im, siç vdiq i ati. Po, të paktën, të vdes nga uria dhe jo nga plumbi i vëllait! Po faji im, ku qëndron? Unë e kisha fajin që yt shoq mbante koburen në brez? Për një pëllëmbë tokë!? Vritet vëllai për një pëllëmbë tokë!? Krisht, o Perëndi!

Dy kunatat i shkulnin flokët njëra-tjetrës, kurse fëmija qante me të madhe në djep. Nënëmadhja menjëherë hyri në mes tyre, si një arbitre e kujdesshme dhe, herë i fliste nuses së madhe, e herë i kthehej së voglës, duke u përpjekur t’i ndante: Lëshoje, moj, nusja e madhe! -Hiqi duart ti, moj, nusja e vogël!-E mori vesh i tërë fshati sherrin. Pu! Pu! Pu! Dhe fëmija në djep, një çast, i pushoi të qarat e rrotullonte sytë i habitur, si të kuptonte poteren e grave. Nënës i dhemb zemra për djemtë. Për një rrip toke ishin grindur. Për pesë sekonda ishte bërë hataja. Djali i vogël qe përpjekur t’i merrte armën të madhit, por arma qe shkrepur dhe … faji i kobshëm i mbeti vëllait të vogël. Vjehrra i vë dorën te supi nuses së madhe, kurse kjo ngre kokën dhe e drejton shigjetën inatçore të vështrimit mbi fytyrën e kunatës: -Ajo të mos shkelë në pragun tim! Nuk e dua ndihmën e saj! Ajo ma shkatërroi jetën! Nuk e duaaaa!-çirret ajo në ekstazë dhe lotët i pikojnë si rruaza kristalesh në faqe. Nusja e vogël mblidhet e shtrydhet, dridhet si purtekë dhe mbështet kokën pas supit të vjehrrës për të gjetur mbrojtje. Pastaj, të dyja njëherësh, nuset nisin të qajnë me dënesë. Nënëmadhes i ther në shpirt loti i tyre. E kupton nënëmadhja pse qajnë nuset, e kupton… Dhe, në sekondë, hapi krahët e i mblodhi kokat e nuseve pranë kokës së vet duke i shtrënguar me dhimbsurinë e nënës. Iu sos durimi, i lëshoi ndjenjat dhe iu bashkua vajit të nuseve shamizeza: “Oiiih! Oiiih, të keqen nëna!”” Por, vjehrra nuk do që të shkatërrohet më tej shtëpia e saj dhe e bënë zemrën gur. Ngrihet në këmbë, e shtrëngon gjuhën në mes të dhëmbëve dhe mundohet t’ua qetësojë gjakrat nuseve:-Farmak e kam zemrën nëna, farmak! Po, hë, i bihet murit me kokë!? Dera ime u mbyll. Pse, mua nuk më dhemb shpirti për çunat? I madhi te zoti,… i vogli njëzetë vite në qeli. Ç’e dua unë jetën! Prandaj them, të mbledhim mendjen e të mos shkatërrohemi më tej, se u bëmë gazi i botës. Ju, jeni akoma të reja. Të kalojnë 40-tat dhe bëni çfarë t’u thotë koka juaj. Çfarë t’u thotë koka juaj, bëni! Në daç rrini këtu, në daç ikni. U pa jeta ime. Mua ma do zemra, të paktën të kalojnë 3 vjet, se bota do thonë: Paskan plasur për burrë këto, po ju bëni si t’u thotë koka juaj! Nënëmadhja nuk dorëzohet. E dinte se vetëm me të mirë ia hante kokën nuses së madhe. “Nuse e madhe” i thoshte, po ato një vit diferencë kishin. Hë, të keqen nëna, ngreu, se u mpive duke ndenjur. Liroji vendin nuses së vogël që t’i japë gji çunit, se shuan fëmija po nuk piu. Më ther në shpirt e qara e tij. Dëgjon,…më ther në shpirt! Nusja e madhe, e dyzuar në mendime, shikoi në bebe të syrit  vjehrrën, pastaj kunatën e pastaj fëmijën në djep. “Të ngrihem, të mos ngrihem”!Uli kokën, shtrëngoi tëmthat me të dyja duart dhe psherëtiu  thellë: “Oooh-oooh! Ta ha kokën fëmija!” Pastaj, vë shuplakën e dorës në tokë dhe ngrihet me ngadalë e ia lëshon vendin nuses së vogël. E vogla u ul në dysheme, kapi rrethin e djepit, e afroi të voglin pranë gjoksit dhe futi dorën në triko e nxori gjirin. Sapo gjiri preku buzën e tharë të bebes, ai menjëherë e hapi gojën duke zgjatur kokën si zogu i uritur i dallëndyshes në fole, e kapi thithkën mes buzëve të njoma dhe nisi të pinte qumësht me nxitim si i babëzitur. Kishte 24 orë që gënjehej me kapëz. Fëmija pinte e ofshante duke çliruar pjesë-pjesë ndjenjat e grumbulluara të rënkimit. Nënëmadhja, kur pa se nipit kërthi iu mbulua balli me bulëza djerse, nxori një napë e ia fshiu ballin. Fëmija e ngopi barkun me qumësht, i puliti qepallat dhe e zuri gjumi si një ëngjëll me sisën në buzë. Nusja e vogël e uli shumë lehtë djepin në vend, e puthi beben te balli dhe u ngrit. Fytyra njomëzake e bebit mori një çehre të bukur përskuqjeje e lëvizje muskujsh te faqet, sikur të ishte duke luajtur në ëndërr me ëngjëjt. Nusja e vogël hodhi vështrimin tek kunata. U ndje mirë që cepave të zgjatur të buzëve të saj dalloi qartë një shkreptimë buzëqeshjeje. Nuses së madhe një ndjesi gati hyjnore ia mbushi kraharorin me ngrohtësi. Nënëmadhja mbështetur pas murit, u çlirua pas një frymëmarrjeje të thellë. Pas pak, shtëpinë e mbuloi qetësia. Një qetësi e përkohshme… Mesnata e mbajti frymën. Heshtjen e theu nusja e vogël: Inati, tafmaja, gjaknxehtësia, e marrin më qafë njeriun. Nusja e madhe tha:-Vëllezër ishin, por ndryshonin si dita me natën. I madhi qe njeri i urtë. I vogli merrte zjarr shpejt…Sikur të mos i kishte bërë një nënë!.. “Trak!” ia bëri zemra nënëmadhes, sikur t’i dilte nga kraharori dhe i ngriti veshët përpjetë. Iu drodh krejt trupi e diçka, si një bombë i plasi përbrenda qënies së vet… Iu krojt koka…, e uli shaminë e zezë përmbi ballë, gati të mbulonte fytyrën, u kthye kurrizin nuseve dhe doli në derë me hap të lehtë duke iu dridhur trupi si t’i shkiste toka nën këmbë. Eci mes drithërimash duke u mbajtur pas murit dhe u mbyll në kthinën e vet duke u përplasur e cfilitur në dyshek