KËSHILLA ME “MOS”
Mos e trand një zemër të plagosur,
se trandjen ta kthen në tërmet,
se dhimbja atje thellë vulosur
zbrazet si lumi në det.
Mos e cyt një shpirt të trazuar,
se si shpata nga mylli shpejt del!
Dhe ka një sekret pa treguar,
që e ruan veç për duel.
Mos e zhgënje një grua besnike,
se një dell zemërak fsheh gjëkund.
Në këtë botë plot fije cinike,
ndodh që dhe mikun humb.
Mos prek një njeri të vetmuar
që lëmoshë s’kërkon nga askush,
veç fermanit nga qielli lëshuar
që varrin e zbrazët e mbush.
Mos e quaj më trim të vërtetë
që armën sakaq zbraz,
por atë që inatin si fletë
e fsheh dhe buzën vë në gaz.
VJESHTË NË PLAZH
S’di si ndodhi kështu papritur,
qielli u ul, era u ngrit,
litar i zjarrtë me vrik zbritur
verën e preu si me thik’.
Reja sakaq inat ka marrë:
Gjyma me shi poshtë lëshon,
siç bën një gjyshe kur një kitarë
mbesën ia josh nën një ballkon.
Mirazh i vjeshtës diku strukur
grebashkën heq nëpë bregdet,
e prish një mozaik të bukur
me pyje çadrash cep më cep.
Der’ e dijes deri dje duroi;
sot hap krahët në çdo kat,
teksa shkolla zgjohet si zgjoi,
plazhi paket porsi plak.
Po heshtin baret një nga një
te e zhurmëshmja shëtitore,
nëpër mjedise ku s’ka zë,
ngre heshtja përmendore.
Njerëz dhe ëndrra ikën tutje,
ku jeta shtigjet hap!
Dhe ndoshta larg me qindra lutje.
Rrjeta e motit kap.